Kërko

 Jorge Mario Bergoglio në moshë të re Jorge Mario Bergoglio në moshë të re 

Papa: atë Fiorito, njeriu që të mësonte si të bëhesh mik i Zotit

Revista e jezuitëve “Qytetërimi Katolik” (Civiltà Cattolica), boton, nën kujdesin e atë Josè Luis Narvaja, “Shkrimet” e atë Miguel Ángel Fiorito, jezuit argjentinas, vdekur më 2005, një nga mjeshtrat e mëdhenj të përshpirtërisë së Shoqërisë, mësimet e të cilit formuan brezni të tëra jezuitësh latinoamerikanë, duke përfshirë edhe Françeskun. Vëllimet, me parathënien e Papës, që u paraqiten sot pasdite, paraprihen nga fjalët e Atit të Shenjtë: “Shkrimet e tij janë dhuratë e ‘do t’i bëjnë shumë mirë mbarë Kishës’”.

R. SH. - Vatikan

Sonte, në orën 18.30, në Sallën e Kongregacionit të Përgjithshëm të Shoqërisë së Jezusit, u paraqitën 5 vëllimet e shkruara nga atë Miguel Ángel Fiorito, me parathënien e Papës. Nuk është hera e parë që Papa Françesku nënshkruan parathënien e ndonjërit nga mjeshtrat e shpirtit të tij dhe të shumë të rinjve jezuitë argjentinas e uruguajanë. Që në vitin 1985 pati pranuar t’i paraprijë librit  të dytë, shkruar nga atë Miguel Ángel Fiorito, titulluar “Shqyrtim e luftë shpirtërore”, duke vërejtur, ndërmjet tjerash: “Shqyrtim shpirtëror do të thotë të kemi guxim të shikojmë gjurmët hyjnore, në fytyrat tona njerëzore”. Sepse pikërisht këtë bëri gjithë jetën atë Fiorito: “ndjeu e shijoi” hapat e Zotit në zemër e u mësoi sivëllezërve mënyrën si t’i ndjenin në gjithë thellësinë e tyre, duke ndenjur gjithnjë larg mashtrimeve të “shpirtit të lig”.

Në Shkollën e shpirtit

Tridhjetë e katër vjet më vonë, “nxënësi” Bergoglio u bë mëkëmbës i Krishtit, po koha nuk mundi ta shlyejë mirënjohjen  për mësimet  që mori nga “Mjeshtri i moçëm Fiorito”, siç e quanin jezuitët. E dëshmon vendimi  i Papës për t’i paraqitur pesonalisht, të premten e ardhshme, në orën 18.30, në Kurien e Përgjithshme të Shoqërisë së Jezusit “Shkrimet e jezuitit argjenetinas” botuar nga “Civiltà Cattolica”, përmbledhur në 5 vëllime, nën kujdesin e atë José Luis Narvaja. Tri faqet e parathënies, nënshkruar nga Papa, janë shprehje e mirënjohjes së përhershme për burrin e madh që, me “Qendrën e tij të përshpirtërisë” dhe me “Buletinin”, kontribuoi  me qartësi të rrallë për përvetësimin e risisë së Koncilit nga provinca e tij rregulltare e, në veçanti, për zhvillimin e të ashtuquajturës “teologji e popullit”, me të cilën  thuret e gjithë shërbesa e Françeskut.

Nuhatja e “armikut”

Atë Fiorito - shkruan Papa - e kishte bërë të vetën një fjalë të urtë të Shën Pjetër Faber: “Një gjë është të mësosh, gjë tjetër komunikosh. E secila kërkon hir”. Hirin, që profesori argjentinas e kishte në shkallën më të lartë. “Shkrimet e tij - vëren Françesku - pikojnë mëshirë shpirtërore! Janë mësime për kë nuk di; këshilla të mira, për kë ka nevojë; korrigjime, për kë gabon; ngushëllim për të trishtuarin e ndihmë për të patur durim edhe në kulmin e pikëllimit”. Si jezuit i mirë, praktikonte me zell artin e ushtrimeve - posaçërisht në gjysmën e dytë të jetës së tij - duke ua këshilluar të gjithëve format e veta. Madje kishte zhvilluar - vëren akoma Papa - një aftësi të posaçme “për ta nuhatur” shpirtin e djallit; dinte ta dallonte veprimin e tij, përmes shijes së keqe e gjurmës së pikëllimit që lë pas Shejtani në kalim.

Fletë, që të ngushëllon

Papa e rikujton figurën e Atë Fioritos të kacavarur në shkallën e bibliotekës së tij personale - një faqe e tërë muri prej gjashtë metrash me katër, duke gërmuar në njërën nga lëpizat përplot me “fletë”: skeda studimi, lutjesh e veprimtarish, atë që i duhej për t’ia dorëzuar “pa fjalë të tepërta” sivëllait, që i kish besuar ndonjë shqetësim, ose që e kish dëgjuar kur flitej për shkrimet e  tij.

Një e mirë për shumëkënd

Miguel Ángel Fiorito - vijon Papa - ishte  njeri, që dinte të dialogonte e të dëgjonte. I mësoi shumëkujt të lutej e të dialogonte miqësisht me Zotin, duke provuar gjithçka, por duke mbajtur për vete vetëm çka është e mirë”. Thënë me dy fjalë, ishte atë i dashur, mësues durimtar e, kur qe nevoja, edhe kundërshtar i vendosur, por gjithnjë respektues e i drejtë, kurrë armik, i aftë për të shqyrtuar “kohën e Zotit” në gjërat e edhe për të mësuar se pikërisht shqyrtimi është mjekimi më i mirë për verbërinë shpirtërore, këtë sëmundje të trishtë, që shërohet vetëm përmes veprimit hyjnor. Papa është i bindur se “këto shkrime do t’i bëjnë shumë mirë Kishës”. “Kanë lartësinë e një ëndrre të madhe”. Prej këndej uron që, “ashtu si në të kaluarën, kur lanë gjurmë në jetën e shumë shpirtrave, mendimet e ‘Mjeshtrit Fiorito’ të lëshojnë rrënjë, të çelin lule e të rrisin fruta në jetën e shumë njerëzve”.

10 dhjetor 2019, 08:03