Kërko

Papa: Ardhja është kohë për t’u zgjuar nga gjumi i indiferencës

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së parë të Kohës së Ardhjes e të fillimit e Vitit të ri Liturgjik, Papa bëri një thirrje të fuqishme për të mos ecur në rrugët egoizmit, që shkaktojnë luftëra e konflikte. Kujtoi edhe se pasdite do të jetë në Greçio, ku do të nënshkruajë Letrën mbi domethënien e Shpellës së Betlehemit.

R. SH. - Vatikan

Rrini zgjuar, që të jeni gati për ardhjen e Krishtit. Duke kujtuar faqen e  sotme të Ungjillit në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa pohoi se Koha e Ardhjes është më e përshtatshmja për ta pritur Krishtin, lajmëtar i paqes, që na tregon udhët e Zotit. Rrini zgjuar, pra:

“E të rrish zgjuar, nuk do të thotë t’i mbash gjithnjë sytë të hapur, por ta kesh zemrën e lirë e të drejtuar në drejtimin e duhur, domethënë, ta kesh të gatshme për dhurim e për shërbim. Gjumi, nga i cili duhet të zgjohemi, është indiferenca, kotësia, paaftësia për të krijuar lidhje të vërteta njerëzore, për të marrë mbi vete fatin e vëllait të vetmuar, të braktisur a të sëmurë. Pritja e Jezusit, që vjen, duhet të shndërrohet në angazhim vigjilent” - kujtoi Papa.

Mbi të gjitha, duhet të mrekullohemi përballë veprimit të Zotit, të papriturave të tij e t’ia lëmë Atij vendin e parë. Vigjilencë do të thotë konkretisht edhe të jesh i vëmendshëm ndaj të afërmit në nevojë, të na prekin vështirësitë e tij, të vrapojmë drejt tij, pa pritur që ai apo ajo të na kërkojnë ndihmë, por të mësohemi të parashikojmë, të ndihmojmë para se të na thërrasin, ashtu si bën gjithnjë Zoti me ne.

Të ecim me besim drejt Krishtit, kuptimi e fundi i historisë

Në këto katër javë të kësaj Kohe, liturgjia na prin në kremtimin e Lindjes së Jezusit, ndërsa na kujton se Ai vjen çdo ditë e se do të rikthehet me lavdi në fund të kohëve. Kjo siguri na nxit ta shikojmë me besim të ardhmen, ashtu si na fton të bëjmë Izaia Profet, në Leximin e Parë të Meshës së sotme.  Izaia profetizon e thotë: “Në fund të kohëve popujt do të dynden drejt malit të tempullit të Zotit, që do të jetë i fortë, i lartuar mbi majat e maleve”. Tempulli i Zotit në Jeruzalem paraqitet si pikë konvergjence e takimi për mbarë popujt. Pas mishërimit të Birit të Zotit, vetë Jezusi dëftohet si tempull i vërtetë. Por profecia e Izaisë është edhe vegim hyjnor. Na shtyn të sillemi si shtegtarë, për udhë drejt Krishtit, që është kuptimi e fundi i historisë.

Udhët e egoizmit lindin luftëra e konflikte

E Papa Françesku tregoi konkretisht cila është udha, që duhet përshkuar:

“Sa shumë njerëz kanë uri e etje për drejtësi, do të mund ta gjejnë vetëm duke përshkuar udhët e Zotit; ndërsa e keqja, mëkati vijnë sepse individë e grupe shoqërore parapëlqejnë të ndjekin udhët e diktuara nga interesa egoiste, që shkaktojnë ndeshje e luftëra. Po të kërkonte secili, duke ecur pas Zotit, udhën e së mirës, atëhere bota do të kishte shumë më tepër paqe e harmoni”.

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa iu lut Marisë, Virgjërës vigjilente e Nënës së shpresës, të na prijë, duke na ndihmuar t’i kthejmë sytë kah Jezusi.

01 dhjetor 2019, 13:58