Kërko

Vatican News
Papa Françesku niset për Marok Papa Françesku niset për Marok  (Vatican Media)

Një papni për udhë, në rrugët e botës

Në vitin 2019, Papa Françesku kreu 7 udhëtime apostolike ndërkombëtare, në 11 vende. Një “papni për udhë”, që përqendrohet në periferitë gjeografike dhe ekzistenciale.

R.SH. - Vatikan

“Do t’ju them një sekret: nuk më pëlqen të udhëtoj”. Janë fjalët, në dukje të papritura, që Papa shqiptoi më 8 qershorin e kaluar, duke iu drejtuar një grupi të rinjsh, të cilët i priti në Vatikan, në kuadrin e nismës “Treni i Fëmijëve”. Në fakt, dihet mirë se, kur ishte kryipeshkëv i Buenos Ajresit, Jorge Mario Bergoglio e linte dioqezën rrallë e tek. Pak udhëtime ndërkombëtare, kryesisht në Amerikën Latine, ose në Romë, për Sinodet dhe Koncistorët. Megjithatë, Françesku e ka mbajtur gjithnjë gjallë shpirtin e udhëtarit, shpirt misionar, i cili, kur ishte i ri, e nxiste të ëndërronte Japoninë, ku dëshironte të shkonte në gjurmët e Shën Françesk Saverit.

Dëshirë që, në një mënyrë të paparashikueshme për jezuitin e ri argjentinas, Bergoglio mundi ta realizonte këtë vit si Papë, duke vizituar Tokën e Diellit që lind. Në të vërtetë, në dioqezën e tij, në Buenos Ajresin e pamatë, Papa i ardhshëm nuk është ndalur kurrë. Madje, e pati përshkuar gjerë e gjatë, duke lëvizur  pothuajse gjithmonë me mjetet e transportit publik. “Krejt normale” për ipeshkvin e më pas, për kardinalin argjentinas, që, megjithatë, ngjalli habi të madhe kur, menjëherë pas zgjedhjes së tij në fronin e shën Pjetrit, u bënë të njohura disa fotografi, ku shihej Papa aktual ulur si udhëtar i zakonshëm, në një autobus të kryeqytetit të Argjentinës.

 Ky ipeshkëv që ecte shumë, “callejero” në mesin e njerëzve, i pëlqente ta kalonte kohën në “Villas Miserias”, në “periferitë ekzistenciale” të metropolit argjentinas e më pak në qendër të qytetit. Gjithnjë, në udhëtim brenda dioqezës së vet. E kështu, kur u bë Bari i Kishës Universale, Françesku e ndjeu menjëherë se dioqeza e tij tani ishte bota dhe se duhej të nisej përsëri, me të njëjtën frymë që e kishte shoqëruar deri atëherë, por në një hapësirë shumë më të madhe.

Po në audiencën me djemtë e vajzat e “Trenit të Fëmijëve”, Françesku pati thënë për udhëtimin: “Më gjeti ç’ndodh me fëmijët kapriçozë: nuk të pëlqen supa? Dy pjata! Nuk të pëlqen udhëtimi? Do të jesh gjithnjë në udhëtim… Është e vërtetë që në udhëtime gjen gjithmonë shumë njerëz, njerëz të mirë dhe mëson shumë”. Në këtë përgjigje, kaq të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, gjejmë kuptimin e udhëtimeve të Papës Françesku: të takojë njerëzit, të njohë vendet e mënyrën e jetesës së tyre. Siç nënvizon kohët e fundit gazeta amerikane “Washington Post”, në një artikull të Chico Harlan, Papa i përdor udhëtimet apostolike për të “reformuar Kishën”, duke vendosur në qendër pikërisht periferitë, nga të cilat mund të gjejë limfën për të filluar procese të reja ungjillëzimi.

Një papni “itinerante”, “sinodale”, siç u pa qartë gjatë 2019-ës, vit rekord për udhëtimet ndërkombëtare apostolike. Françesku kreu 7 shtegtime e vizitoi 11 vende, në 4 kontinente. Duhet të kthehemi në vitin 1982 e tek Papa shën Gjon Pali II, për të gjetur të njëjtin numër vizitash të Pasardhësit të shën Pjetrit përtej kufijve italianë. Nga ana tjetër, është kuptimplotë fakti që ky vit, kaq i mbushur me udhëtime ndërkombëtare, përkon me njëqindvjetorin e Letrës apostolike “Maximum Illud” të Papës Benedikti XV kushtuar veprimtarisë misionare në botë. Me udhëtimet e tij, Françesku nënvizon pikërisht përmasën thellësisht misionare të dishepullit të Zotit, i thirrur të jetë “në dalje”, për t’ia kumtuar Lajmin e Mirë gjithë botës, sepse asnjë tokë nuk është larg dhe asnjë popull nuk është i huaj për Fjalën e Hyjit.

Duke rishikuar shtatë udhëtimet e këtij viti, mund të gjejmë edhe çështjet kryesore të veprimtarisë baritore të Bergoglio-s: të rinjtë, në udhëtimin e Panamasë për DBR-në; dialogun ndërfetar, në udhëtimet në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Marok; dialogun ekumenik, në vizitat në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut e më pas, në Rumani. E më tej, mbrojtjen e ambientit dhe vëmendjen për të varfërit gjatë udhëtimit në Mozambik, Madagaskar dhe Mauricius; së fundi, paqja dhe promovimi i të drejtave të grave dhe të fëmijëve - çështjet kryesore të udhëtimit aziatik me dy etapa: Tajlandë dhe Japoni.

Gjatë përshëndetjes me gazetarët, në avionin që e çonte në Tajlandë, Papa vuri në dukje se “është mirë që njerëzit të informohen dhe t’i njohin kulturat, që janë larg nga Perëndimi”. Në fakt, me udhëtimet e tij, Françesku tërheq vëmendjen ndaj atyre këndeve të botës, ku mjetet e komunikimit masiv nuk do të shkonin kurrë. Falë pranisë së tij, ata bëhen “të dukshëm” për bashkësinë ndërkombëtare, e thirrur të kujdeset për popuj e toka, që përndryshe, do të harroheshin krejtësisht.

“Kultura e takimit” rrënjoset edhe në sajë të udhëtimeve papnore. Udhëtime, që zgjasin shumë më tepër se çasti, në të cilën Papa hipën në avion për t’u kthyer në Romë. Jo vetëm për popujt, por edhe për atë vetë, që, në një intervistë, rrëfeu se i mban në zemër njerëzit, që takon nëpër udhëtime, se lutet “për ta, për situatat e dhimbshme dhe të vështira” në të cilat jetojnë, “në mënyrë që të zvogëlohen pabarazitë”, që sheh gjatë shtegtimeve.

23 dhjetor 2019, 18:08