Kërko

Papa Françesku dhe pëllumbi-simbol i paqes Papa Françesku dhe pëllumbi-simbol i paqes 

Papa: “paqja s’mund të jetë e vërtetë, pa një sistem ekonomik më të drejtë”

U paraqit sot, në Vatikan, Mesazhi i Papës Françesku për Ditën Botërore të Paqes 2020, që kremtohet më 1 janar. Tema kësaj Dite të 53-të Botërore është: “Paqja si udhë shprese: dialog, pajtim dhe kthesë ekologjike”.

R.SH. - Vatikan

Nuk do të ketë kurrë paqe të vërtetë, nëse nuk do të jemi të aftë të ndërtojmë një sistem ekonomik më të drejtë”, sepse “përçarja ndërmjet anëtarëve të një shoqërie, shtimi i pabarazive shoqërore dhe refuzimi i përdorimit të mjeteve për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor vënë në rrezik kërkimin e së mirës së përbashkët”. Kështu shkruan Papa Françesku në Mesazhin e tij për Ditën e 53-të Botërore të Paqes, që kremtohet më 1 janar 2020. Tema e zgjedhur nga Ati i Shenjtë është: “Paqja si udhë shprese: dialog, pajtim dhe kthesë ekologjike”.

Konferenca e shtypit në Vatikan

         Mesazhi papnor u paraqit sot në Sallën e Shtypit të Vatikanit nga kreu i Dikasterit për Zhvillimin e gjithanshëm Njerëzor, kardinali Peter Turkson, nga sekretari i të njëjtit dikaster, don Bruno Marie Duffé dhe nga prof.sha Gabriella Gambino e Dikasterit për Laikët, Familjen e Jetën. Njëri pas tjetrit e, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, përfaqësuesit e Vatikanit në këtë konferencë për shtyp nënvizuan argumentet kryesore të trajtuara nga Papa Françesku në mesazh, me të cilin kërkon të ruhet “kujtesa dhe horizonti i shpresës, jo vetëm për të mos bërë të njëjtat gabime e për të mos propozuar të njëjtat skema iluzore të së kaluarës, por edhe që e kaluara, fryt i përvojës, të sugjerojë gjurmët për t’u ndjekur në vendimet e sotme e të ardhshme për paqen”.

Bota nuk ka nevojë për fjalë boshe

         Ati i Shenjtë nënvizon se “udha e paqes është sfidë tejet e ndërlikuar, pasi interesat në lojë, në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, bashkësive dhe kombeve, janë të shumëllojshme e kontradiktore. Së pari, i duhet bërë thirrje ndërgjegjes morale dhe vullnetit personal e politik. Paqja e ka zanafillën në thellësitë e zemrës njerëzore e vullneti politik duhet përforcuar gjithnjë, që të nisin procese të reja, të cilat pajtojnë dhe bashkojnë njerëz e bashkësi. Bota nuk ka nevojë për fjalë boshe, por për dëshmitarë të bindur, për artizanë të paqes të gatshëm për dialog, pa përjashtime e pa manipulime”.

Nevojitet një sistem ekonomik më i drejtë

         Në fakt, theksoi kardinali Turkson në paraqitjen e mesazhit papnor, Françesku është i bindur se nuk mund të arrihet paqja pa dialog ndërmjet njerëzve, që kërkojnë me gjithë shpirt të vërtetën, përtej ideologjive dhe opinioneve të ndryshme. “Paqja – shkruan Papa – është udhë, të cilën e bëjmë së bashku, duke kërkuar gjithmonë të mirën e përbashkët e duke u impenjuar ta mbajmë fjalën e dhënë e të respektojmë ç’është e drejtë”. Ati i Shenjtë beson se duke i dëgjuar të tjerët, secili mund ta njohë e ta vlerësojë tjetrin, deri sa të shohë edhe tek armiku fytyrën e një vëllai. Çdo gjë që vlen për paqen në fushën shoqërore, vlen edhe për atë në fushën politike dhe ekonomike, pasi paqja është tipar i të gjitha përmasave të jetës së një bashkësie. Prandaj, thekson Papa Françesku në mesazh: “Nuk do të ketë kurrë paqe të vërtetë, nëse nuk do të jemi në gjendje të ndërtojmë një sistem ekonomik më të drejtë”.

T’i shohim të tjerët si bij të të njëjtit Zot

         Për Papën, komentuan edhe pjesëmarrësit e tjerë në konferencën e shtypit, duhet “braktisur dëshira për t’i dominuar të tjerët e duhet ta shohim njëri-tjetrin si njerëz, si bij të Zotit e si vëllezër. Tjetri nuk duhet përmbyllur në gjithçka ka bërë apo ka thënë, por duhet marrë parasysh për premtimin, që mban në vetvete. Vetëm duke zgjedhur rrugën e respektit, mund ta këpusim spiralen e hakmarrjes e të ndërmarrim udhën e shpresës”.

Kthesë ekologjike

         Gjithnjë, në këndvështrimin e ekologjisë së gjithanshme, që nuk ka të bëjë vetëm me ambientin, por me njeriun në tërësi, në mesazhin e tij, Papa Françesku prek edhe nevojën për kthesë ekologjike. “Para pasojave të armiqësisë sonë me të tjerët, të mungesës së respektit për shtëpinë e përbashkët dhe të shfrytëzimit abuziv të pasurive natyrore, parë si mjete të dobishme vetëm për fitime, pa respektuar bashkësitë lokale, të mirën e përbashkët dhe natyrën, - përfundon Ati i Shenjtë – kemi nevojë për kthesë ekologjike”. Nuk arrihet paqja, nëse nuk e shpresojmë atë, ngul këmbë Papa, pasi trajton aspektet e ndryshme të saj. “Është e nevojshme të besojmë, duke u frymëzuar nga dashuria e Zotit për secilin prej nesh, dashuri çliruese, e pakufishme, falas dhe e palodhur”. Vetëm kështu, do të jemi në gjendje të bëhemi artizanë të vërtetë të paqes.

12 dhjetor 2019, 13:11