Kërko

 Bekimi Urbi et Orbi Bekimi Urbi et Orbi 

Mesazhi i Papës për Krishtlindje: “Krishti qoftë dritë për fëmijët, viktima të luftës”.

Papa Françesku, në mesazhin e Krishtlindjes, i cili i parapriu bekimit Urbi et Orbi, kujtoi se drita e Foshnjës Hyjnore, që lind, është më e madhe se errësira në zemrat e në konfliktet njerëzore. Bëri, më pas, thirrje për paqen në Siri, në Tokën Shenjte, në Ukrainë e në Republikën Demokratike të Kongos, për krizën në Liban e Venezuelë, për gjithë të persekutuarit e për ata, që detyrohen të emigrojnë, me shpresën e një jete të sigurt.

R. SH. - Vatikan

“Drita e madhe, e profetizuar nga Izaia është Jezusi, që Ati na e dhuroi përgjithmonë”, “flakëza e vogël e ndezur në zemër të errësirës”, “Fjala e Zotit e bërë njeri”, që “vijon t’u bëjë thirrje skllevërve të të gjitha kohëve të dalin nga burgjet”. Kjo dritë e Krishtit  është më e madhe se errësira “në zemrat njerëzore”, “në marrëdhëniet e në konfliktet ekonomike, gjeopolitike dhe ekologjike” E është edhe zemra e mesazhit të Krishtlindjes, që Papa Françesku ia drejtoi botës nga Lozha e bekimeve e Bazilikës së Shën Pjetrit, në një ditë të ftohtë, por tejet të ndritshme dimërore.

Por, ta ndjekim mesazhin papnor të Krishtlindjes:

 

 “Populli,  që shtegtonte në errësirë, pa një dritë të madhe”(Is 9,1)

Të dashur vëllezër e motra, gëzuar Krishlindjen!

Nga prehëri i Kishës Nënë sonte lindi përsëri Biri i Zotit, i bërë njeri. Emri i tij është Jezus, që do të thotë Zoti shpëton. Ati, Dashuri e amshuar dhe e pafundme, e dërgoi në botë jo për të dënuar, por për të shpëtuar (krh Gjn 3,17). Ati e dhuroi me mëshirë të pambaruar. E dhuroi për të gjithë. E dhuroi përgjithmonë. E Ai lindi si flakëz e brishtë, e ndezur në errësirë e në  natën e akullt.

Ky Fëmijë, i lindur nga Virgjëra Mari, është Fjala e mishëruar e Zotit. Fjala, që drejtoi zemrën dhe hapat e Abrahamit drejt tokës së premtuar  e vijon t’i tërheqë të gjithë ata, që i besojnë premtimeve të Zotit. Fjala, që u priu hebrenjve gjatë udhës nga skllavëria në liri e vijon t’u bëjë thirrje skllevërve të të gjitha kohërave,  edhe të sotëm, të dalin nga burgjet e tyre. Është Fjalë më e ndritshme se dielli, e mishëruar në një bir të vogël njeriu, në Jezusin, dritë e Botës.

Prandaj Profeti brohorit: “Populli, që ecte në terrina, pa një dritë të madhe!” (Is 9,1). Po, ka shumë errësirë në zemrat njerëzore, por drita e Jezusit është më e madhe.

Ka errësirë në marrëdhëniet personale, familjare, shoqërore, por drita e Krishtit është më e madhe! Ka errësirë në konfliktet ekonomike, gjeopolitike, ekologjike, por shumë më e madhe është drita e Krishtit.

Krishti qoftë dritë për fëmijët e shumtë,  që pësojnë luftëra e konflikte në Lindjen e Mesme e në vende të ndryshme të botës. Qoftë ngushëllim për popullin e dashur sirian,  i cili nuk po e shikon akoma fundin e luftës, që e copëtoi vendin në këtë dhjetëvjeçar. I shkundtë ndërgjegjet e njerëzve vullnetmirë, i frymëzoftë qeveritarët dhe bashkësinë ndërkombëtare për të gjetur rrugëzgjidhje, që garantojnë sigurinë dhe bashkëjetesën paqësore  të popujve të Rajoneve e u dhashtë fund vuajtjeve të tyre. Qoftë mbështetje për popullin libanez, që të mund të dalë nga kriza aktuale  e të rizbulojë thirren e tij për të qenë lajmëtar i lirisë dhe i bashkëjetesës së harmonishme për të gjithë.

Zoti Jezus qoftë dritë për Tokën Shenjte, ku Ai, shëlbuesi i botës u lind e ku vijon pritja e shumë njerëzve që,  edhe  me lodhje, por pa e humbur shpresën, presin ditë paqeje, sigurie, prosperiteti. Qoftë ngushëllim për Irakun e përshkuar nga tensionet shoqërore dhe për Jemenin e vënë në provën e një krize të rëndë humanitare.

Qoftë shpresë, Foshnja e vogël e Betlehemit, për mbarë kontinentin amerikan, në të cilin kombe të ndryshme po kalojnë një stinë tërmetesh shoqërore e politike. I dhashtë guxim popullit të dashur venezuelan, të vënë në një provë të gjatë nga tensionet politike  e shoqërore  e bëftë të mos i mungojë ndihma, për të cilën ka nevojë. Bekoftë përpjekjet e atyre që po përpiqen të favorizojnë drejtësinë e pajtimin dhe që punojnë për të kapërcyer krizat e ndryshme si dhe format e shumta të varfërisë, që e fyejnë dinjitetin  e çdo njeriu.

Qoftë dritë, Shpërblyesi i botës, për Ukrainën e dashur, që dëshiron rrugëzgjidhje konkrete për paqe afatgjatë.

Zoti, që lindi, qoftë dritë për popujt e Afrikës, ku vijojnë situata shoqërore dhe politike, që shpesh i detyrojnë njerëzit të emigrojnë, duke  i lënë pa shtëpi e pa familje. Paqja qoftë me popullin, që jeton në rajonet lindore të Republikës Demokratike të Kongos, martirizuar nga konfliktet e pafundme. I ngushëlloftë ata, që vuajnë për shkak të dhunës, të fatkeqësive natyrore ose të emergjencave shëndetësore. Ngushëllim qoftë edhe për ata që persekutohen për shkak të besimit të tyre fetar, posaçërisht për misionarët dhe besimtarët e rrëmbyer si dhe të gjithë ata, që bien viktima  të sulmeve nga ana e grupeve ekstremiste, posaçërisht në Burkina Faso, Mali, Niger e Nigeri.

I biri i Zotit, i zbritur nga Qielli mbi tokë, i mbrojtët dhe i përkrahët  ata që, për shkak të këtyre padrejtësive e të tjerave, duhet të emigrojnë me shpresë se do të gjejnë një jetë të sigurt. Është padrejtësia, që i detyron  të kapërcejnë shkretëtira e dete, të shndërruara në varreza. Padrejtësia, që i detyron të pësojnë shpërdorime, skllavëri e të gjitha tipet e torturave  në kampe përqendrimi çnjerëzore. Është padrejtësia, që i shtyn drejt vendeve ku mund të kenë shpresë për një jetë të denjë e i bën të gjejnë përpara mure indiference.

 Emmanueli qoftë dritë për mbarë njerëzimin e plagosur. E shkriftë  zemrën tonë shpesh të gurëzuar edhe egoiste e na bëftë mjete të dashurisë së Tij. Përmes fytyrave tona të varfëra, u dhashtë buzëqeshjen e Tij  fëmijëve të mbarë botës: atyre, që u braktisën e edhe atyre, që pësuan dhunë. Përmes krahëve tanë të ligshtë, i veshtë të varfërit që nuk kanë me se të mbulohen; u dhashtë bukë të uriturve, mjekoftë të sëmurët. Përmes shoqërisë sonë të ligshtë, qoftë pranë pleqve e vetmitarëve, migrantëve e të shtypurve. Në këtë ditë feste, u dhashtë të gjithëve dashurinë e tij e i  davaritët retë  e kësaj bote!

Ndjesa e plotë,  me rastin e Krishtlindjes

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, kardinali diakon Renato Raffaele Martino shpalli ndjesën e plotë, dhënë nga Papa me këtë rast. E më pas Françesku dha bekimin apostolik “Urbi et Orbi” - “Romës e Botës”, që vlen për botën mbarë, përshëndeti të gjithë ata, që ishin të lidhur përmes radios, televizonit dhe mjeteve të tjera të komunikimit e, në fund, kujtoi se “të gjithë jemi të thirrur t’i japim  shpresë botës, duke kumtuar me fjalë, e sidomos me dëshminë e jetës, se Jezusi, paqja jonë, lindi”.

25 dhjetor 2019, 13:05