Kërko

Shkrirja e akujve Shkrirja e akujve 

Mesazh i Papës për Konferencën e Klimës: të mos e humbasim këtë rast

Po përballemi me një sfidë themelore, atë të ndryshimit të klimës, por fjalët janë akoma larg veprimeve konkrete. Në mesazhin dërguar pjesëmarrësve në Konferencën e OKB-së për Klimën në Madrid, shqetësimi i Papës dhe ftesa e tij për të bërë çdo përpjekje që brezave të ardhshëm t’u jepen “arsye për shpresë”.

R.SH. - Vatikan

Që nga e hëna e kaluar, 2 dhjetor, po mbahet në Madrid të Spanjës, Konferenca e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që do të vazhdojë deri më 13 dhjetor. Në hapjen e konferencës, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, lexoi mesazhin e Papës Françesku, dërguar kryetares së COP25, Carolina Schmidt, ministre e ambientit në Kili, si edhe gjithë pjesëmarrësve të Takimit. Në fjalët e Atit të Shenjtë, keqardhja për vonesën me të cilën bashkësia ndërkombëtare po përballet me ndryshimin e klimës, “një nga sfidat kryesore për njerëzimin”, si edhe ftesa për të mos e humbur këtë rast, që u jep shteteve mundësinë për ta “ruajtur shtëpinë tonë të përbashkët”.

Shqetësimi i Papës Françesku

         “Impenjimet aktuale të shteteve për të zbutur dhe për t’iu përshtatur ndryshimit të klimës janë shumë larg nga angazhimet vërtet të nevojshme për të arritur objektivat e përcaktuara nga Marrëveshja e Parisit”.

Këto, fjalët pa doreza të Papës në mesazh, ndërsa përshkruan gjendjen e sotme. Françesku kujton se hyrja e shpejtë në fuqi e Marrëveshjes - miratuar nga COP21, më 12 dhjetor 2015 - nismat e ndërmarra, përpjekjet për “gjetjen e mënyrave më të mira” për zbatimin e saj, “kanë treguar vetëdijen në rritje të protagonistëve të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me rëndësinë dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit për ndërtimin e shtëpisë sonë të përbashkët”. Por, menjëherë pas kësaj, sinjalizon se fatkeqësisht, pas 4 vjetësh, “kjo vetëdije është akoma mjaft e dobët, e paaftë t’u përgjigjet si duhet urgjencës për ndërhyrje të shpejtë, mbështetur edhe nga të dhënat shkencore në dispozicion”.

Ndjeshmëri në rritje, por vullnet i pamjaftueshëm politik

         Studimet aktuale, vëren Papa, “tregojnë sa larg janë fjalët nga veprat konkrete!” Por, nuk mungon edhe të vërejë se po shtohet konsensusi mbi nevojën për ta shndërruar modelin aktual të zhvillimit dhe për të nxitur solidaritetin ndërkombëtar në “luftën kundër ndryshimit të klimës dhe varfërisë”. Gjithsesi, shqetësimi mbetet, shkruan Ati i Shenjtë, sidomos “rreth aftësisë së këtyre proceseve për të respektuar kohën e kërkuar nga shkenca, si edhe për të shpërndarë si duhet koston e ndërhyrjeve”.

         “Duke u nisur nga kjo perspektivë, duhet të pyesim seriozisht nëse ekziston vullneti politik për të caktuar me ndershmëri, përgjegjësi dhe guxim, më shumë burime njerëzore, financiare dhe teknologjike, që mund të zbusin ndikimin negativ të ndryshimit të klimës, si edhe mund të ndihmojnë popullsitë më të varfëra dhe më të rrezikuara, të cilat preken më shumë”.

Duhet ndryshuar perspektiva

         Është i nevojshëm, shkruan Papa, një vullnet i qartë politik, i aftë t’i “ridrejtojë investimet financiare dhe ekonomike drejt atyre zonave, ku vërtet mbrohen kushtet e një jete të denjë për njerëzimin në një planet të shëndetshëm, për sot e për nesër”. Françesku na fton të reflektojmë për sfidën me të cilën përballemi të gjithë dhe sqaron:

         “Po përballemi me një ‘sfidë qytetërimi’ në favor të së mirës së përbashkët dhe me një ndryshim perspektive, që e vendos në qendër të veprimit tonë, dinjitetin e shprehur qartë nga ‘fytyra njerëzore’ e emergjencave klimatike. Mbetet një dritare mundësish, por nuk duhet të lejojmë që ajo të mbyllet. Duhet të përfitojmë nga ky rast, përmes veprimeve tona të përgjegjshme në fushën ekonomike, teknologjike, shoqërore dhe arsimore, duke e ditur mirë se ato janë të ndërvarura”.

T’u jepen të rinjve arsye për shpresë

         Së fundi, në mesazhin e Papës, flitet për të rinjtë, mbi të cilët nuk duhet të bjerë detyra e trajtimit të problemeve, shkaktuar nga brezat e mëparshëm. U duhet dhënë atyre mundësia “për ta kujtuar brezin tonë si ai që ripërtëriu dhe veproi - me vetëdije të ndershme, të përgjegjshme dhe të guximshme - mbi nevojën themelore për të bashkëpunuar, me qëllimin për ta ruajtur dhe për ta kultivuar shtëpinë tonë të përbashkët”. Kërkesa e fundit e Atit të Shenjtë: të bëhen përpjekje për t’u dhënë të rinjve “një të ardhme të mirë dhe dinjitoze”. Ndërsa, shpresa e Papës: “kjo frymë të karakterizojë punën e konferencës COP 25”, për të cilën uron sukses të plotë.

04 dhjetor 2019, 15:15