Kërko

Vatican News
 Ushtrimet shpirtërore të Liderëve të Sudanit të Jugut Ushtrimet shpirtërore të Liderëve të Sudanit të Jugut  (Vatican Media)

Mesazh i Welby-t për Krishtlindje: me Papën Françesku, në vitin 2020, në Sudanin e Jugut

Në letrën e kryeipeshkvit të Canterbury, Justin Welbi, lider shpirtëror i Bashkësisë anglikane, shpresa për të shkuar, së bashku me Papën Françesku, në Sudanin e Jugut, në emër të një paqeje “afatgjatë e të drejtë”.

R. SH. - Vatikan

Në mesazhin e tij drejtuar Kishave të mbarë botës për Krishtlindje, kryeipeshkvi i Canterbury-t, Justin Welby, shpreh përsëri dëshirën të vizitojë, vitin e ardhshëm, vendin veriafrikan, që po përballon sfidën e madhe të formimit të një qeverie, në gjendje për t’i siguruar, më në fund, stabilitet e për të favorizuar pajtimin ndërmjet fraksioneve të ndryshme.

Vizita e Welby në realitetin e vështirë afrikan

“Jetojmë në një botë, ku jeta është e papërfillshme e ku njerëz të panumërt kërcënohen nga luftërat, sëmundjet, ndryshimet klimaterike, varfëria, e fatkeqësitë e natyrës”, shkruan Welby, duke kujtuar vizitën e bërë gjatë këtij viti në Republikën Demokratike të Kongos, vend tjetër i Afrikës, i tronditur thellë sa nga lufta civile, aq edhe nga epidemia e ebolës . “Gjeta një Kishë me zemër të madhe, që e shpall lajmin e mirë të ardhur nga Zoti në Jezu Krishtin e që kujdeset për nevojtarët” - shkruan. E shton: “Edhe në Sudanin e Jugut shikojmë efektin e një lufte të gjatë, e cila shkaktoi mijëra viktima dhe i detyroi mijëra njerëz të shpërngulen”.

Urimi i kryeipeshkvit  

“Zoti i mishëruar e larton njerëzimin tek Vetja. Atëhere edhe ne, që u lartuam, jemi të thirrur ta duam e t’i shërbejmë botës, që Zoti erdhi ta shpëtojë. Krishti - uron në përfundim kryeipeshkvi i Canterbury - që me mishërimin e tij bashkoi qiell e dhe, na mbushtë të gjithë përplot me paqen e vet”.

Françesku dëshiron të shkojë në Sudanin e Jugut

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot të 10 nëntorit të kaluar,  Françesku shprehu dëshirën të vizitojë. vitin e ardhshëm, Sudanin e Jugut. Papa dhe kryeipeshkvi i Canterbury, Justin Welbi, që më pas u takuan në Vatikan në gjysmën e nëntorit, e quajtën situatën në vend “të dhimbshme” dhe shprehën përsëri dëshirën për ta vizituar së bashku Sudanin e Jugut, nëse palët në konflikt do të formojnë qeverinë e unitetit kombëtar brenda shkurtit 2020.  

Mesazh i përbashkët urimi për Krishtlindje

Papa Françesku, Primati anglikan dhe ish-moderatori i Kishës presbiterane të Skocisë, i dërguan një mesazh të përbashkët urimi për Krishtlindjen dhe Vitin e ri  Presidentit  jugsudanez Kiir si dhe liderit të  opozitës Machar.

“I lutemi Krishtit - shkruajnë - t’ju ndihmojë për një angazhim të ri në udhën drejt paqes, që  kështu të bëhet e mundur edhe vizita jonë në Vendin tuaj të dashur!”.

25 dhjetor 2019, 14:50