Kërko

Vatican News
 Papa me Kardinalin Sodano Papa me Kardinalin Sodano  (Vatican Media)

Kardinali Sodano e lë rolin e Dekanit. Papa cakton një afat pesëvjeçar për këtë detyrë

Françesku e pranon kërkesën e ish-Sekretarit të Shtetit të Vatikanit për dorëheqje nga detyra e Dekanit, nisur që nga viti 2005 e, me një Motu proprio, cakton një afat pesëvjeçar për këtë detyrë.

R. SH. - Vatikan

Françesku e pranon kërkesën e ish-Sekretarit të Shtetit të Vatikanit për dorëheqje nga detyra e Dekanit të Kolegjit Kardinalor, paraqitur për arsye të moshës së shtyrë dhe, me një Motu proprio, cakton një afat pesëvjeçar për këtë detyrë, afat që mund edhe të përsëritet. Kujton edhe se në këtë rast kardinalit i jepet titulli “Dekan nderi”.

Vendimi i Papës u bë publik pas takimit tradicional për urimet drejtuar Kuries Romake, që hapet gjithnjë me përshëndetjen nga ana e Dekanit. Angelo Sodano, 92 vjeç, ipeshkëv e nunc apostolik që nga viti 1978, Sekretar i Shtetit të Vatikanit nga viti 1990  deri më 2005, ishte pasardhës i Joseph Ratzinger si Dekan i Kolegjit Kardinalor, i caktuar sipas parashikimit nga normat e sivëllezërve kardinaj të Urdhërit të Ipeshkvijve. Më 26 qershor 2018 Papa Françesku vendosi ta shtojë numrin e  pjesëtarëve të Urdhërit të Ipeshkvijve, deri në këtë çast i përbërë nga kardinajtë titullarë të dioqezave suburbikarie dhe nga Patriarkët lindorë,  në rang kardinali, duke përfshirë edhe Sekretarin e Shtetit, Pietro Parolin;  Prefektin e Kongregatës për  Kishat Lindore, Leonardo Sandri; Prefektin e Kongregatës për Ipeshkvijtë, Marc Ouellet dhe Prefektin e asokohshëm të Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, Fernando Filoni, tani Mjeshtër i Madh i Urdhërit të Kalorësve të Varrit Shenjt.

“Sot - shkruan Françesku në Motu proprion e re - duke pranuar kërkesën për dorëheqje të kardinalit Sodano “të cilin e falënderoj nga zemra për shërbimin e lartë ndaj Kolegjit të Kardinajve për gati 15 vjetët e mandatit të tij”, e duke pasur parasysh edhe se shtimi i numrit të kardinajve dhe impenjimet gjithnjë më të shumta e bëjnë përherë e më të rëndë detyrën e kardinalit Dekan, m’u duk e arsyeshme që tani e tutje kardinali Dekan, i cili do të vijojë të zgjidhet ndërmjet anëtarëve të Urdhërit të Ipeshkvijve sipas nenit 352 § 2 të Kodit të së Drejtës kanonike, do të mbetet në detyrë për pesë vjet, detyrë që mund edhe të përsëritet e, në përfundim të shërbimit, do të ketë titullin Dekan nderi i Kolegjit Kardinalor.

Kardinali Dekan kryeson Kolegjin, por si “primus inter paris”, i barabartë ndërmjet të barabartëve. Deri tani detyra e dekanit, i cili mbledh Konklavin, në rast të selisë vakante dhe e kryeson, nëse është më pak se tetëdhjetë vjeç, nuk kishte ndonjë afat të caktuar.

Në Konklavin e fundit, atë të marsit 2013, kardinali Sodano, tashmë më se tetëdhjetëvjeçar, pati kryesuar Kongregacionet e përgjithshme të kardinajve, por pa hyrë në Sikstinë, prej këndej, detyra për të kryesuar  gjatë votimeve, i pati kaluar zëvendës-Dekanit, Giovanni Battista Re.

 

 

21 dhjetor 2019, 14:02