Kërko

 Greçio: Shpella e Betlehemit e Krishtlindjes Greçio: Shpella e Betlehemit e Krishtlindjes 

Greçio pret Papën tek Shpella e parë e Betlehemit

Gjithçka është gati në Greçio, në Shenjtëroren françeskane të Shpellës së Betlehemit, për ta pritur Papën Françesku që sot, e Diela e parë e Kohës së Ardhjes, në orën 16.00, do të nënshkruajë, në Shpellën e parë, Letrën Apostolike kushtuar vlerës së Shpellës së Betlehemit e, më pas, në Kishën e Shenjtërores, do të kryesojë kremtimin e Fjalës së Zotit.

R. SH. - Vatikan

Sot Shenjtëroja françeskane, e ndërtuar rreth Shpellës, është plot me fëmijë e familje, që dëgjojnë nga fretërit e shoqëruesit, historinë mahnitëse  të Shpellës së parë të Betlehemit. Marrin pjesë, pastaj, në kremtimin e Meshës, në Kishën e Shenjtërores, rrethuar nga Shpella Betlehemi të të gjitha tipeve e kështu përgatiten për të vizituar Shpellën e parë, për të kundruar shkëmbin ku qe vendosur kashta e grazhdit e vendin ku pushon në paqe Giovanni Velita, i cili ia pati përgatitur Shën Françeskut këtë vend, të njohur, tashmë, nga mbarë bota. Në Kishë është edhe imzot Domenico Pompili, i cili na flet për programin e vizitës së shkurtër të Françeskut, pasditen e së Dielës së parë të Kohës së Ardhjes:

Programi i vizitës

Papa niset sot, rreth orës 15.15, me helikopter nga eliporti i Vatikanit, për të zbritur në sheshin poshtë Shenjtërores françeskane të Greçios e për të shkuar, më pas, me auto, në sheshin përballë, ku do të pritet nga imzot Domenico Pompili, ipeshkëv i Rietit dhe Atë Françesco Rossi, guardian françeskan.

Në orën 16.00 do të jetë në Shpellën e Shenjtërores, ku ruhet edhe sot e kësaj dite afresku me pamjen e Shpellës së parë të Betlehemit, realizuar nga Shën Françesku, me njerëz e kafshë të gjalla. Ati i Shenjtë do të gjunjëzohet menjëherë në lutje. Më pas, do të nënshkruajë Letrën kushtuar Shpellës së Betlehemit, për të vijuar me kremtimin e Fjalës së Zotit.

Në përfundim, do të rikthehet në Vatikan rreth orës 17.00.

Papët në Greçio

Më 4 janar 2016, Papa Françesku ishte, në formë private, në Shenjtëroren e Greçios, për t’u lutur para afreskut mesjetar, që të kujton Shpellën e parë të Betlehemit. Para se të arrinte në Shenjtërore, u takua me një grup të rinjsh, pjesëmarrës në mitingun e dioqezës, kushtuar Letrës Enciklike “Lëvduar qofsh”.

“Ju uroj ta ndiqni yllin - u tha të rinjve - E, ashtu si Mbretërit dijetarë, të keni përvujtërinë ta zbuloni Jezusin në të vegjlit, të përvuajturit, të varfërit, në ata, që flaken jashtë radhëve të shoqërisë”.

Më pas, ndalesa në lutje dhe shkrimi në regjistrin e vizitorëve: “E falënderoj Zotin për këtë hir dhe i lutem ta bekojë Kishën, Ipeshkvin e Rietit, fretënt e besimtarët e t’i ndihmojë të gjithë ta zbulojnë yllin e ta kërkojnë Foshnjën”. Pastaj, përshëndetja drejtuar bashkësisë françeskane të Shenjtores dhe takimi, për disa çaste, me rregulltarët.

Gjatë Meshës të Natës së Solemnitetit të Lindjes së Zotit, më 24 dhjetor 2011, Benedikti XVI pati kujtuar se në vitin 1223 Shën Françesku i Asizit  e kremtoi Krishtlindjen në Greçio, me një ka e një gomar, në një grazhd plot me kashtë, në mënyrë që ta bënte të dukshëm e të prekshëm misterin e Krishtlindjes.

Më 2 janar 1983, Gjon Pali II  pati shkuar për vizitë në Rieti e në Greçio. Bashkësisë kishtare e civile të dioqezës së Greçios i pati kujtuar se ky vend i vogël, i ndërtuar në zemër në shkëmbit, është “locus inventionis”, “gati-gati Betlehemi i dytë, që e bën të njihet e të duhet vendlindjen e Zotit në gjithë botën e krishterë, duke përhapur kudo mesazhin e shëlbimit e të paqes. E duke i folur edhe njeriut të sotëm, që shëtit në hapësirën pa fund, ndërsa rrethohet nga një boshllëk pa fund! Fjala e Mishëruar, Foshnja Hyjnore, dëshiron të arrijë edhe në zemrën e kësaj breznie e ta bëjë të provojë Dashurinë e lindur në kashtë e të mbëthyer mbi kryq, burim i faljes dhe i jetës së re”.

01 dhjetor 2019, 10:21