2019.12.19 Credenziali Ambasciatori di Seychellesm Mali Andorra Kenya Lettonia Niger 2019.12.19 Credenziali Ambasciatori di Seychellesm Mali Andorra Kenya Lettonia Niger 

Françesku ambasadorëve të rinj pranë Selisë së Shenjtë: ndërtoni një botë më të drejtë

Përfaqësojnë Seishellet, Malin, Andorrën, Kenian, Letoninë dhe Nigerinë Ambasadorët e jashtëzakonshëm dhe plotfuqishëm pranë Selisë së Shenjtë, të cilët sot paradite i paraqitën Papës Letrat kredenciale. Shpresa që Ati i Shenjtë Françesku shprehu në fjalimin e tij është që angazhimi i tyre të jetë në favor të së mirës përbashkët dhe të trajtimit të përgjegjshëm të tokës.

R.SH. - Vatikan

Jemi udhës drejt Krishtlindjes, të cilën të krishterët e kremtojnë si festën e "Princit të paqes". E pikërisht paqja është fjala e parë plot domethënie, mbi të cilën Papa Françesku u ndal në fjalimin e tij drejtuar sot gjashtë Ambasadorëve të rinj të akredituar pranë Selisë së Shenjtë me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale. Në mesin e tyre tri gra të formuara në fushën ekonomike e shkencore, që përfaqësojnë ishujt Seishèlle, Kenian e Letoninë dhe tre burra që përfaqësojnë respektivisht Malin, Andorrën e Nigerin. Përparësitë e misionit të tyre, sipas Papës, duhet të synojnë ndërtimin e një bote më të drejtë dhe paqësore në të cilën jeta, dinjiteti e të drejtat e njeriut vlerësohen dhe sfida e kujdesit për mjedisin të trajtohet me përgjegjësi.

Të respektohen jeta, dinjiteti dhe të drejtat

Paqja, theksoi Papa para Ambasadorëve të rinj, është "aspiratë e mbarë familjes njerëzore" dhe është një "rrugëtim shprese" që përbëhet nga "dialogu, pajtimi dhe konvertimi ekologjik". Nga këtu vjen misioni që Ati i Shenjtë Françesku e percepton në detyrat e Ambasadorëve të rinj, me të cilët Kisha katolike është e impenjuar të bashkëpunojë:

Në një botë që mjerisht karakterizohet nga konfliktet civile, ndarjet sociale rajonale e ndërkombëtare dhe pabarazitë, është thelbësore të ndërmerret një dialog konstruktiv dhe krijues bazuar mbi ndershmërinë dhe të vërtetën, për të nxitur, kështu, një solidaritet më vëllazëror ndërmjet individëve dhe brenda komunitetit global. Nga ana e saj, Kisha katolike është e impenjuar të punojë me çdo partner përgjegjës në nxitjen e së mirës së çdo personi dhe të të gjithë popujve. Kjo është shpresa ime e zjarrtë që misioni juaj jo vetëm të mund të kontribuojë në konsolidimin e marrëdhënieve të mira ekzistuese ndërmjet Vendeve tuaja dhe Selisë së Shenjtë, por edhe në ndërtimin e një bote më të drejtë dhe paqësore, në të cilën jeta njerëzore, dinjiteti dhe të drejtat e njeriut të respektohen e të vlerësohen.

Të lihen mënjanë indiferenca dhe frika

Paqja fillon nga "pajtimi" dhe ky nuk rritet e nuk përforcohet nëse ka vullnet sundimi, frike dhe indiference:

Vetëm kur të lëmë mënjanë indiferencën dhe frikën mund të rritet dhe të lulëzojë një klimë e vërtetë respekti reciprok. Kjo, pastaj vetvetiu, çon në zhvillimin e një kulture që përfshin e pranon,  në një sistem më të mirë ekonomik dhe në krijimin e mundësive të ndryshme për të mundësuar, kështu, pjesëmarrjen e të gjithëve në jetën sociale e politike.

Politika dhe ekonomia për shtëpinë tonë të përbashkët

Në qoftë se ekziston vullneti për të hequr çdo pengesë në udhën e paqes, është gjithashtu e nevojshme të theksohet edhe pesha që në këtë synim  ka "mos-respekti për shtëpinë tonë të përbashkët" e në veçanti "shfrytëzimi i pandërgjegjshëm i burimeve natyrore" që u kushton jashtëzakonisht shumë komuniteteve lokale dhe vetë natyrës. Nga këtu dëshira e dytë, që Papa u shprehu ambasadorëve për detyrat e tyre vendim-marrëse, vjen nga rezultatet e Sinodit të fundit mbi Rajonin panamazonik, për një impenjim konkret në fushën e mbrojtjes së ambientit:

Angazhimi për një  administrim të ndërgjegjshëm të tokës dhe të burimeve të saj është kërkesë urgjente në të gjitha nivelet, nga arsimi familjar deri në jetën sociale e civile, e pastaj deri tek vendimet politike e ekonomike. E mira e përbashkët dhe ajo e shtëpisë në të cilën banojmë, kërkojnë përpjekje të mëdha bashkëpunimi, me qëllim që të përparojë lulëzimi i jetës dhe zhvillimi i vërtetë i çdo anëtari të familjes sonë njerëzore.

19 dhjetor 2019, 12:36