Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme 

Françesku: të shumtë të krishterët që persekutohen sot, edhe me doreza të bardha

Martirizmi është shenjë, që tregon se po ecim në rrugën e Jezusit. Këtë theksoi Papa Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, duke reflektuar për çastin kur Shën Palin e nxjerrin para mbretit Agripa.

R. SH. - Vatikan

Shën Pali, i ngarkuar me zinxhirë, na mëson se ngulmimi në provë na ndihmon ta përtërijmë fenë e të jemi dishepuj misionarë. Sot paradite, në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI, Papa u përqendrua tek dëshmia e Shën Palit përballë mbretit Agripa, siç rrëfehet në Veprat e Apostujve, në qendër të reflektimeve të audiencave të përgjithshme të kësaj kohe, në vijim. Arritja e Palit në Jeruzalem - kujtoi Papa - ngjalli një urrejtje të egër; paditej si persektues e akuzohej se i mësonte njerëzit të ngrinin krye kundër ligjit e kundër tempullit. I vunë prangat e nisi jetën e të burgosurit, derisa e çuan para mbretit Agripa. Luka - vërejti Papa - dëshmon se në ato çaste Pali i ngjiste plotësisht Jezusit: të dy të urryer, të dy të akuzuar publikisht e të dy, më pas, shpallur të pafajshëm nga autoritetet perandorake: “Kështu Pali pësoi mundime, si  Mësuesi” e mundimet e  tij u bënë ungjill i gjallë.

Pikërisht përvoja e Shën Palit e nxiti Papën të prekë përsëri temën e persekutimit. Sot paradite, para audiencës së përgjithshme, kishte pritur  disa shtegtarë ukrainas, të cilët i treguan sa shumë vuajtën për Ungjillin, pa e nxjerrë kurrë në treg fenë e tyre:

“Sot në botë, edhe në Evropë, shumë të krishterë martirizohen e japin edhe jetën për fenë, ose persekutohen me doreza të bardha, domethënë, lihen mënjanë, shpërfillen… Martirizimi është ajri i jetës së të krishterit, i bashkësisë së krishterë. Ka pasur e do të ketë gjithnjë martirë ndërmjet nesh; e ky është sinjal, që tregon se po ecim në rrugën e Krishtit. Është bekim, kur në radhët e popullit të Zotit ndonjëri a ndonjëra e jep këtë dëshmi martirizmi”.

Përballë mbretit Agripa II, apologjia e Palit shndërrohet në dëshmi feje. Pali flet për kthesën e tij dhe për misionin, që ia besoi Krishti, duke e prekur  zemrën e mbretit, aq sa gati-gati bindet për t’u bërë i krishterë. Prej këndej deklarohet i pafajshëm, por nuk mund të lirohej, sepse kishte kërkuar të dilte para gjykatës Qezarit. Prej këndej, e nisën të ngarkuar me pranga, në Romë:

“Duke filluar nga ky çast, Palin e shikojmë të burgosur, të ngarkuar me zinxhirë. E zinxhirët janë shenjë e besnikërisë së tij ndaj Ungjillit dhe e dëshmisë së dhënë për Krishtin. Natyrisht zinxhirët janë provë poshtëruese për Apostullin,  i cili para syve të botës duket si keqbërës. Po dashuria e tij për Krishtin është aq e fortë,  sa deri zinxhirët  i shikon me sytë e fesë”.

Një feje, që për Shën Palin, nuk është teori, opinon për Zotin e për botën, por  ndikim i dashurisë  së Zotit, që zjen në zemrën e tij. “Është dashuria  për Jezu Krishtin” - vuri në dukje Papa Françesku - duke kujtuar  pohimin e Benediktit XVI, në homelinë e mbajtur me rastin e Vitit Paolin 2018. Prej këndej, përvoja e fesë së Palit shndërrohet në dëshmi për gjithë të krishterët”:

“Të dashur vëllezër e motra, Pali na mëson ngulmimin në provë e edhe aftësinë për ta lexuar  gjithçka me sytë e fesë. T’i kërkojmë sot Zotit, me ndërmjetësinë e Apostullit, ta gjallërojë fenë tonë e të na ndihmojë të jemi besnikë deri në fund të fundit ndaj thirrjes sonë, si të krishterë, si dishepuj të Zotit e si misionarë”.

 

11 dhjetor 2019, 13:19