Kërko

Papa Françesku para Shpellës së Betlehemit Papa Françesku para Shpellës së Betlehemit 

Françesku: Shpella e Betlehemit na kujton ç’është Krishtlindja në të vërtetë

Duke pritur në audiencë delegacionin e bashkive, që dhuruan pemën dhe betlhemin e Sheshit të Shën Pjetrit, Papa Françesku kujtoi nevojën për të marrë “vendime të frytshme për mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët”.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku përshëndeti sot, në Sallën Pali VI në Vatikan, dhuruesit e betlehemit dhe të bredhit të Krishtlindjes, që janë vendosur në Sheshin e Shën Pjetrit. Pikërisht sot, në orën 16.00, u kremtua ceremonia e zbulimit të shpellës ku lindi Krishti (sivjet, në formën e kasolles) dhe ndezja e dritave të pemës. Betlehemi i dhuruar nga Scurelle, në provincën e Trentos dhe, pema e Krishtlindjes nga Rotzo, në pllajën e Asiagos, lidhen me kujtimin e stuhisë që, vitin e kaluar, shkatërroi shumë zona të Trivenetos.

Mbrojtja e shtëpisë së përbashkët

Papa shprehu mirënjohjen për autoritetet civile të dy komunave, që dhuruan “dy simbolet fetare të Krishtlindjes”:

“Takimi i sotëm më jep mundësinë ta përtërij inkurajimin tim për popullsitë tuaja, që vitin e kaluar pësuan dëme nga një fatkeqësi shkatërrimtare natyrore, e cila sheshoi zona të tëra pyjore. Janë ngjarje që na trembin, janë sinjale alarmi që na çon Gjithësia e, që na kërkojnë të marrim menjëherë vendime të frytshme për mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët”.

Bredhi i Rotzo-s është shenjë shprese

Françesku kujtoi ceremoninë, që do të mbahej pasdite në Sheshin e Shën Pjetrit, për ndezjen e dritave të bredhit të Krishtlindjes, që vjen nga Rotzo. Bredhi do të qëndrojë pranë grazhdit ku lindi Foshnja Hyjnore, deri në fund të festave. Të dy do të admirohen “nga shumë shtegtarë, ardhur nga e gjithë bota”.

“Faleminderit, të dashur miq, për këto dhurata e, edhe për pemët më të vogla, që do të vendosen në ambiente të tjera të Vatikanit. Mësova me kënaqësi se, në vend të pemëve të prera, do të mbillen 40 bredha për të ripopulluar pyjet e dëmtuara rëndë nga stuhia e vitit 2018. Bredhi i kuq, që dhuruat, paraqet një shenjë shprese, sidomos për pyjet tuaja, në mënyrë që ato të pastrohen sa më shpejt për të filluar kështu, veprën e ripyllëzimit”.

Përmes Shpellës së Betlehemit, komunikohet Ungjilli

Papa Françesku kujtoi se të dielën e kaluar shkoi në Greccio për të vizituar vendin ku Shën Françesku ndërtoi skenën e parë të lindjes së Krishtit, Shpellën e parë të Betlehemit. Aty, Ati i Shenjtë nënshkroi Letrën Apostolike “Admirabile signum” mbi kuptimin e betlehemit, i cili, tha Papa, është “shenjë e thjeshtë dhe e admirueshme e fesë sonë”. “Nuk duhet humbur kjo traditë, madje, është bukur që të përçohet nga prindërit tek fëmijët, nga gjyshërit tek nipërit dhe mbesat”:

“Është mënyrë e mirëfilltë për të komunikuar Ungjillin, në një botë që, nganjëherë, duket sikur ka frikë të kujtojë ç’është në të vërtetë Krishtlindja e, kështu, i zhduk shenjat e krishtera, për të mbajtur vetëm ato të një imagjinate të shterpët, konsumiste”.

Të kundrojmë Krishtin në fytyrën e të vuajturve

Papa vuri në dukje se trungjet e drunjta në sfond të betlehemit, ardhur nga zonat e goditura prej stuhisë,  “simbolizojnë gjendjen e paqëndrueshme, në të cilën u gjend Familja Shenjte”, natën e lindjes së Krishtit, në Betlehem. Para se të jepte bekimin, Ati i Shenjtë shqiptoi këto fjalë: “Virgjëra Mari, e cila e pranoi Birin e Zotit në brishtësinë e natyrës njerëzore, na ndihmoftë ta kundrojmë Atë në fytyrat e të vuajturve dhe na përkrahtë në impenjimin për të qenë solidarë me njerëzit më të brishtë dhe më të dobët”.

05 dhjetor 2019, 13:28