Kërko

 Papa me shtegtarët e Heparkisë së ritit bizantin ukrainas të Mukachevos Papa me shtegtarët e Heparkisë së ritit bizantin ukrainas të Mukachevos 

Françesku përshëndeti ukrainasit e Mukachevos, 30 vjet pas shtypjes sovjetike

Para audiencës së përgjithshme, Papa përshëndeti besimtarët ukrainas të Heparkisë së Mukachevos, duke e kujtuar këtë Kishë, “nënë e shumë martirëve”, që e dëshmuan Krishtin me gjakun e tyre.

R. SH. - Vatikan

“T’u jepni breznive të ardhshme një dëshmi feje të fortë, të gjallë, katolike, pa e harruar kurrë ‘shtypjen e egër të regjimit sovjetik’”. Këtë u uroi Papa pjesëmarrësve në shtegtimin e Heparkisë së ritit bizantin të Mukachevos  tek varri i Shën Pjetrit, duke i pritur sot në Vatikan, pak para audiencës së përgjithshme në Sallën e Palit VI.  Besimtarët ukrainas  ishin tek Papa me rastin e 30-vjetorit të daljes nga klandestiniteti. Françesku falënderoi Zotin “pambarimisht të mirë”, që me dorën e tij të pushtetshme e çliroi këtë Kishë, “nënë e shumë martirëve, të cilët e dëshmuan besnikërinë ndaj Krishtit, Kishës katolike dhe ipeshkvit të Romës me gjakun e tyre".

Çastet më të errëta të historisë

Papa kujtoi, më pas, Ipeshkvin Martir Teodor Romza i cili, në çastet më të errëta të historisë së Mukachevos, i priu popullit të Zotit me urti ungjillore e guxim, si njeri i palodhur, sipas shembullit të Krishtit, Bariut të Mirë, derisa dhuroi edhe jetën për delet e veta. Prej këndej, porosia për të qenë gjithnjë besnikë ndaj Krishtit:

“Dëshiroj t’i kujtoj edhe paraardhësit tuaj, gjyshërit e gjyshet, etërit e nënat që, në intimitetin e shtëpive të tyre, shpesh edhe nën mbikqyrjen e rreptë të regjimit armiqësor, duke vënë në rrezik lirinë e edhe vetë jetën, ua transmetuan mësimin e Krishtit breznive të ardhshme, përfaqësues të të cilave jeni ju vetë, dëshmi e një feje  të fortë, të gjallë, një feje katolike”.

11 dhjetor 2019, 13:10