Festa e Familjes Shenjte. Papa: “Etër e bij ta mbështesin njëri-tjetrin në përvetësimin e Ungjillit”

“Jezusi, Maria e Jozefi mund të jenë model i shenjtërisë për familjet tona”. Në reflektimin para lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se t’i përgjigjesh me gatishmëri të plotë vullnetit të Zotit, do të thotë të ecësh në rrugën drejt shenjtërisë edhe për prindërit e fëmijët e ditëve tona. Pikërisht prindërit e fëmijët i porositi të rifillojnë komunikimin. E, në përfundim, uroi një vit të ri me paqe në botë e paqe ndër zemra.

R. SH. - Vatikan

Në gjirin e familjes njeriu mund të bëhet shenjt, sipas shembullit të Familjes së Nazaretit, ku Jezusi, Maria e Jozefi, së pari secili në mënyrën e vet, e pastaj “së bashku”, iu përgjigjën vullnetit të Zotit, duke ndihmuar njëri-tjetrin për ta njohur këtë vullnet.

Shenjtëria është dhuratë dhe bashkim i lirë me projektin e Zotit

Ishte ky, reflektimi që, në një ditë të ndritshme, plot me diell, ndonëse të ftohtë dimri, Papa ua drejtoi besimtarëve, mbledhur në  Sheshin e Shën Pjetrit. I kushtohej festës së sotme të Familjes Shenjte të Nazaretit, por pa harruar posaçërisht etërit e bijtë e botës së sotme, sidomos ata më të  vuajturit, që detyrohen të braktisin tokat e tyre për shkak të shtypjes, dhunës, luftërave. Shenjtëria - pohoi Françesku - është dhuratë e Zotit, por njëkohësisht “bashkim i lirë e plot përgjegjësi me planin e Tij”. Kështu ishte edhe për Familjen e Nazaretit, gjithnjë e gatshme për ta pranuar vullnetin e Zotit.

Ëmbëlsia e Marisë, “shërbëtores së Zotit”

Duke rilexuar sot Ungjillin sipas Mateut, që na kujton ikjen në Egjipt,  masakrën e fëmijëve të pafajshëm dhe largimin e Krishtit Fëmijë nga Nazareti, Papa u ndalua tek secila nga figurat e familjes, duke nisur nga Maria, për të vijuar me Jozefin e Jezusin. Posaçërisht tek Maria, Vasha, të cilën para se të bëhej Nuse, Zoti e thirri të ecte në një një rrugë tjetër. E ajo nuk ngurroi ta quajë veten përvujtërisht “shërbëtore”:

“Jezusi do ta lartonte madhështinë e saj jo aq për rolin e nënës, por kryesisht për bindjen ndaj Zotit, duke pohuar ‘Të lum janë ata, që  e dëgjojnë fjalën e Zotit edhe e vënë në jetë’. Si Maria, që mediton, reflekton dhe e adhuron në heshtje nismën hyjnore. E prania e saj tek këmbët e Kryqit, do ta shenjtëronte këtë gatishmëri të  plotë”.

Bindja dhe heshtja e Jozefit

Po Jozefi, si i përgjigjet vullnetit të Zotit, pa i krijuar kurrë asnjë pengesë? Në Ungjill - vërejti Papa - Jozefi nuk flet, por vepron, "duke u bindur”. Është njeriu i heshtjes e i bindjes. Sipas Ungjillit të Mateut, e dëgjon tri herë zërin e Zotit, që i kërkon të ikë në Egjipt, për t’u rikthyer rishtas në Izrael:

“I udhëhequr nga vetë Zoti, përfaqësuar prej Engjëllit, Jozefi e largon familjen e tij nga kërcënimet e Herodit dhe e shpëton. Familja Shenjte solidarizohet, kështu, me të gjitha familjet e botës, që detyrohen të mërgojnë,  e solidarizohet edhe me të gjithë ata, që braktisin tokën e tyre, për shkak të shtypjes, dhunës, luftës”.

Jezusi është “vullneti i Atit”

Së fundi Papa kujtoi Jezusin, anëtarin e tretë të Familjes Shenjte. E edhe fjalët e Shën Palit, në Letrën II drejtuar Korintianëve: “Aty nuk kishte ‘po’ e ‘jo’. Kishte vetëm ‘po’”, e kjo duket në çaste të ndryshme të jetës së Tij tokësore - nënvizoi Papa:

“Kjo duket gjatë episodit në tempull, kur prindërve, që e kërkonin plot ankth, i përgjigjet: ‘A nuk e dini se duhet të merrem me punët e Atit tim?’; gjatë përsëritjes së tij të vazhdueshme ‘Ushqimi im është të bëj vullnetin e Atij, që më dërgoi’; e sidomos gjatë lutjes në Kopshtin e ullinjve: ‘Ati im, nëse  duhet ta pi doemos këtë kelk, u bëftë vullneti yt!”.

Model për familjet e sotme

Familjen Shenjte të Nazaretit, që i përgjigjet njëzëri vullnetit të Atit,  Papa e paraqiti si model për prindërit e bijtë e sotëm, duke u besuar atyre edhe një detyrë të veçantë:

“Tre anëtarët e kësaj familjeje e ndihmojnë njeri-tjetrin për të zbuluar planin e Zotit. Luten, punojnë, komunikojnë. E unë pyes: ti, në familjen tënde, a di të komunikosh, apo je një nga ata djemtë, që ngulen pranë tryezës me telefonin në vesh e shkëmbejnë kush e di ç’mesazhe? Tryezë e rrethuar nga një heshtje e thellë, si të ishte duke u kremtuar ndonjë meshë… Pa asnjë komunikim! Duhet ta rifillojmë dialogun në familje! Etër, prindër, bij, gjyshër e vëllezër duhet të komunikojnë me njëri-tjetrin…. Duhet t’ia nisim që sot, në ditën kushtuar Familjes Shenjte”.

Familja Shenjte mund të jetë model - përfundoi Papa - që prindër e fëmijë ta mbështesin njëri-tjetrin në pranimin e Ungjillit, themel i shenjtërisë së familjes”. E, në përfundim, ia besoi Mbretëreshës së Familjes, të gjitha familjet, posaçërisht ato, që kalojnë prova të rënda a çaste të vështira.

 

 

29 dhjetor 2019, 15:43