Kërko

Vatican News
Benedetto XVI Benedetto XVI  (Vatican Media)

Nё Enciklikën ‘Caritas in Veritate’Benedikti XVI inkurajon ekonominë e bashkimit

Zhvillimi ka nevojë për të vërtetën. Pa të – pohon Ratzinger – “veprimtaria shoqërore bie nën pushtetin absolut të interesave e të logjikave të forcës, me pasoja shkatërrimtare për shoqërinë”.

R.SH.- Vatikan

Dhjet vjet më parë, mё më 29 qershor 2009 botohej ‘Caritas in Veritate’, enciklika e parë shoqërore e Papёs sё nderit Bendiktit XVI. Dokumenti, që u ndjek me një interes të jashtëzakonshëm në nivelin botëror, aq sa u bë njё best seller në shumë vende. Enciklika ‘Caritas in Veritate’, që nga fjalët e saj të para të cilat, sipas traditës, shërbejnë edhe si titull, nënvizon se ‘zhvillimi i gjithanshëm njerëzor ka nevojë për të vërtetën e për dashurinë”: binom që përbën edhe kyçin për leximin e gjithë Enciklikës.

“E vërteta, për të cilën Jezusi u bë dëshmitar, e thënë me dashuri: kjo është forca që vë në lëvizje zhvillimin e njëmendtë të çdo njeriu e të mbarë njerëzimit”: nis kështu ‘Caritas in Veritate’ (E vërteta me dashuri), Enciklika e Papës Benedikti XVI kushtuar zhvillimit të gjithanshëm të njeriut, drejtuar botës katolike dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë, botuar më 29 qershor 2009.

Benedikti XVI nё dokument nënvizon e pohon menjëherë se ‘dashuria dhe e vërteta janë të lindura bashkë me njeriun. E vëren: “Krishterimi me dashuri, por pa vërtetësi, mund të shndërrohet lehtësisht në rezervë ndjenjash të mira, të nevojshme për jetën shoqërore, por të dorës së dytë”.
Zhvillimi ka nevojë për të vërtetën. Pa të – pohon Ratzinger – “veprimtaria shoqërore bie nën pushtetin absolut të interesave e të logjikave të forcës, me pasoja shkatërrimtare për shoqërinë”.

Benedikti XVI ndalohet tek dy kritere orientuese të natyrës morale, që rrjedhin nga parimi i thënies të së vërtetës me dashuri: drejtësia dhe e mira e përbashkët. Çdo i krishterë është i thirrur të vërë në plan të parë dashurinë në të gjitha veprimtaritë, edhe përmes rrugës institucionale, që ndikon në mënyrën shoqërore të jetesës. Kisha – ripohon Papa nё ‘Caritas in Veritate’ – nuk ka rrugëzgjidhje teknike për të ofruar, por ka misionin për të thënë të vërtetën, për të ndihmuar, kështu, në ndërtimin e një shoqërie, që i përgjigjet kërkesave të njeriut, dinjitetit të tij, misionit të tij në jetë.

Duke kujtuar Mesazhin e Enciklikës Populorum Progressio të Papёs Palit VI, Benedikti XVI thekson: “Pa perspektivën e jetës së amshuar, progresi njerëzor në këtë botë mbetet pa frymë. Pa Zotin, zhvillimi mohohet, çnjerëzohet”. Pali VI – shkruhet – ripohoi “rëndësinë e pamohueshme të Ungjillit për ndërtimin e shoqërisë mbi bazën e lirisë e të drejtësisë”. Në Enciklikën Humanæ Vitæ, Papa Montini flet për lidhjet e forta ndërmjet etikës së jetës e etikës së shoqërisë. Edhe sot Kisha e propozon me forcë këtë lidhje. Ratzinger shpjegon konceptin e thirrjes, që është i pranishëm në Populorum Progressio . “Zhvillimi është thirrje, sepse lind nga një thirrje e mbinatyrshme”. E është vërtetë i gjithanshëm, kur përpiqet për përparimin e çdo njeriu e të njeriut në tërësi”. “Feja e krishterë – shton – merret me zhvillimin, pa u mbështetur tek privilegjet as tek postet në pushtet”, “por vetëm tek Krishti”.

Ratzinger vë në dukje se ‘shkaqet e prapambetjes nuk janë kryesisht të natyrës materiale. Janë, mbi të gjitha, në vullnetin, në mendimin e akoma më shumë, në mungesën e vëllazërimit ndërmjet njerëzve e popujve”. “Shoqëria, gjithnjë më e globalizuar – thekson - na bën të afërt, por jo vëllezër. Atëherë duhet të mobilizohemi, që ekonomia të evoluojë drejt rezultateve plotësisht njerëzore”.

"Caritas in Veritate” thekson se humanizmi i krishterë, i gjallëruar nga dashuria e i udhëhequr nga vërtetësia, është forca më madhe në shërbim të zhvillimit, sepse është pikërisht dashuria e Zotit, humanizmi i hapur drejt Absolutit - na kujton Papa  Ratzinger – ai që na jep guxim të punojmë e të vijojmë përpjekjet në kërkim të së mirës për të gjithë”. Në “Caritas in Veritate”, posaçërisht në Kapitullin III, Papa i thur lavde përvojës së dhurimit pa kurrfarë interesi në marrëdhëniet ekonomike dhe inkurajon ekonominë e bashkimit. Kjo përvojë lindi më 1991 në Brazil, në gjirin e Lëvizjes së Fokolarëve.

 Iu lutëm pionierit të saj, doktor Alberto Frasinetit, të na shpjegojë tiparet themelore të ekonomisë së bashkimit:

Ideja është të kemi ndërmarrje apo firma, që janë në treg, si gjithë të tjerat, ndërmarrje që lindin për të fituar, por që i ndajnë këto fitime në tri pjesë: një pjesë caktohet për të varfërit me projekte ndihme, për t’i bërë zotër të fateve të tyre, duke i çliruar, me punë, nga varfëria; pjesa tjetër vihet në shërbim të edukimit të të rinjve me këtë kulturë të re të dhurimit pa interes, që ka në bazë vëllazërinë universale. E, së fundi, pjesa e tretë i mbetet ndërmarrjes pikërisht për të vijuar zhvillimin dhe prodhimin e të mirave materiale në vitet që vijnë.

A mund të na kujtoni ndonjë përvojë konkrete?

 
Një ndërrmarrje, ku shërbejmë si këshilltarë e që në fillim të vitit ishte në krizë, pa se tregu i saj ra me 40%. Titullari i mblodhi të gjithë përgjegjësit rreth një tryeze dhe u tha: “Mirë pra, tani mundohuni të na jepni ndonjë ide”. E ata vendosën të vënë në jetë një projekt kursimi, që pas katër muajsh pati si fryt kursimin e 25 mijë eurove, falë përdorimit të kujdesshëm të telefonit, të dritës e të sendeve të tjera të nevojshme. Titullari vendosi që një pjesë të këtyre kursimeve t’i shpenzojë për një projekt-ndihmë në favor të të varfërve, që u zgjodhën nga vetë nëpunësit. Krijimi i një atmosfere të tillë bashkëpunimi i nxiti të gjithë të impenjohen me zell të madh në kryerjen me sukses të detyrës në gjirin e ndërmarrjes e cila, duke vijuar në këtë rrugë, nuk pati nevojë të nisë në shtëpi asnjë nga punonjësit e saj.

Mendoni se mund të përhapet më tej përvoja e ekonomisë së bashkimit?

Sipa meje, ka mundësi përmirësimi. Sot për sot natyrisht është përvojë e kufizuar. Ekonomia e bashkimit është përvojë e njerëzve. Nuk na duhen ide afariste të lindura në tryezë, por njerëz me ide e me guxim, që nuk duan të ecin në rrugën e suksesit vetëm, por edhe me të tjerët. Një ekonomi e tillë nuk është ekonomi në kuptimin e ngushtë të fjalës: gjen zbatim në të gjitha shtresat e popullsisë. Ka të bëjë sa me punonjësit e ndërmarrjeve, aq edhe me gratë shtëpiake, me mësuesit, studentët, me të gjithë ata, që besojnë në një projekt, në të cilin ekonomia bëhet mjet për të siguruar mirëqenien e të gjithëve.

02 dhjetor 2019, 20:47