Papa në mes të dëmtuarve nga tërmeti Papa në mes të dëmtuarve nga tërmeti 

2019-ta e Papës Françesku: siguria e fesë dhe lufta kundër idhujtarive

Vit i ngarkuar me veprimtari e me fryte, ky i Papës Françesku. E edhe me shumë shtegtime e takime personale, me të vetmin qëllim: të kumtojë lajmin e mirë të mëshirës së Zotit!

R. SH. - Vatikan

Edhe sivjet Papa Françesku na dhuroi një katekizëm të thjeshtë, të kuptueshëm për të gjithë, kushtuar dashurisë së Zotit. Detyra më e rëndësishme është të kumtohet Ungjilli - na kujtoi - e në 2019-tën e bëri këtë përmes 41 audiencave të përgjithshme (me ciklin kushtuar Atynës edhe Veprave të Apostujve), 56 lutje të Engjëllit të Tënzot e të Mbretëreshës Qiellore; më se 60 homeli në kremtime publike; 44 homeli në Shën Martë (pa numëruar mesazhet, letrat, dokumentet, intervistat, që u botuan si libra, si dhe rreth 260 fjalime publike).

Bindje, jo pështjellim

U kujtoi të gjithëve se në  bazë të jetës sonë është një bindje ngushëlluese: Zoti na do e, në Jezusin, dha jetën për ne. E ky është mesazhi qëndror i gjithë misionit të tij (Evangelii gaudium, tekst programatik i Papnisë së Françeskut). Na fton të kujtojmë fenë e thjeshtë, por të patundur të nënave e të gjysheve, që dha e jep “forcë e qëndrueshmëri për të shkuar përpara, pa t’u këputur krahët. Fe e bërë në shtëpi, që  kalon pa u vërejtur, por që e ndërton pak nga pak mbretërinë e Zotit. Fe, që nuk të lë të ngatërrohesh, sepse e themeluar mbi vërtetësinë e Ungjillit.

Feja dhe idhujtaria

Françesku na nxit të adhurojmë një Zot të vetëm në tri Vetje, në një shoqëri, që bëhet gjithnjë e më shumë pagane. “Idhujtari – kujton - nuk do të thotë vetëm të shkosh në ndonjë tempull pagan e të adhurosh një shtatore, Jo, idhujtaria është në zemër! Idhujtari do të thotë të pëlqesh një gjë, sepse është më e rehatshme, e ta harrosh Zotin. Idhujt sot kanë ndërruar emër, po janë më të pranishëm se kurrë; idhulli i parasë, i suksesit, i karrierës, i vetërealizmit, i kënaqësisë. Të gjithë idhuj, që ta premtojnë lumturinë, por nuk ta japin, madje të skllavërojnë, ta rrëmbejnë dashurinë. Idhujt ta premtojnë jetën, ndërsa ta marrin - pohon Papa në një nga katekizmat e bukura të viti të kaluar - ndërsa Zoti i vërtetë nuk ta kërkon jetën, por ta dhuron.

Farizeu, brenda shpirtit tonë, nuk na lë të korrigjohemi

Fjalët e Papës shpesh janë të forta, ashtu si fjalët e Jezusit. Gjë që nuk të çudit: është Mëkëmbësi i Tij! Ashtu si Krishti, qorton në mënyrë të veçantë sjelljen farizeike të atyre, që e mbajnë veten më të drejtë, më ortodoksë, më të mirë se gjithë bota. Kjo është feja e “unit”, feja e vënë në shërbim të vetvetes, me ritet dhe lutjet e atyre, që e quajnë veten katolikë, por që kanë harruar fare të jenë të krishterë e njerëzorë, “e kanë harruar kultin e vërtetë të Zotit, që kalon gjithnjë përmes dashurisë për të afërmin”. Françesku propozon rrugën e vetëakuzës: në shpirtin e të gjithëve - vëren - lind gjithnjë “farizeu”, pretenduesi, kampioni i aftësisë për t’u justifikuar. Po rruga e fesë është gjithnjë ajo e përvujtërisë, e përpjekjes për t’u korrigjuar.

Butësi, kundër sulmeve

Ashtu si fjalët e forta të Jezusit, edhe këto të Papës kanë efekt të dyfishtë: prej tyre del më zemërbardhë, ose më zemërgur. Prej këndej, pastaj, burojnë edhe rezistencat e sulmet. Françesku nuk druhet nga skizma. E theksoi këtë gjatë kthimit të tij nga Afrika. “Sot - vërejti - kemi shumë shkolla të shtrënguara brenda Kishës. Nuk janë skizma, por rrugë të krishtera pseudoskizmatike, që mbarojnë keq, sepse pas kësaj sjelljeje të ashpër “nuk është shenjtëria e Ungjillit”. Papa fton t’i gjegjemi së keqes me të mirë, të jemi të butë me njerëzit, që tundohen t’i bëjnë këto sulme sepse, me sa duket, janë duke kaluar çaste problematike, “prandaj duhen shoqëruar butësisht”. Druhen se Kisha e sotme nuk është më katolike, vënë në gojë të Papës fjalë të pathëna, ndërsa asnjë dogmë nuk ka ndryshuar. “Është vetëm një hap përpara në mirëpritje e në mëshirë, një ftesë për t’i jetuar me zemër devocionet, gjë që nuk i ndryshon fare. E edhe me nxitjen  për të ecur krah për krah si popull, që zhvillimi i doktrinës të jetë  gjithnjë i bashkuar me Traditën e vërtetë”. E këtu lind pyetja: “A do të munden të krishterët të jenë të mëshirshëm me njëri-tjetrin?”.

Sinodi i Amazonës: kthim tek Jezusi, qendra është Ai!

Tetorin e kaluar u mbajt Sinodi për rajonin Panamazonik. Papa përsëriti shumë herë fjalën “kthesë”, më pas, koncept, që e gjejmë edhe në dokumentin  përfundmtar, si nxitje kryesore e asamblesë. Sinodi kërkon një kthesë të katërfishtë; sinodale, sepse në Kishë duhet të mësohemi të ecim gjithnjë bashkë, jo të ndarë a të vetmuar; kulturore, sepse duhet  të dimë t’u flasim kulturave të ndryshme; ekologjike, sepse shfrytëzimi egoistik i ambientit çon në shkatërrimin e popujve; baritore, sepse kumtimi i Ungjillit është urgjent! Në bazën e këtyre katër kthesave, është një kthesë e vetme kah Ungjilli i gjallë, që është Jezusi. Kthesa e vërtetë është të  mënjanohemi - thotë Françesku – të shpërqendrohemi, të vemë në qendër Krishtin e ta lëmë Shpirtin Shenjt të jetë protagonist i jetës sonë.

Luftë kundër shpërdorimeve, brenda e jashtë Kishës

Mund ta quajmë historik, takimin e shkurtit në Vatikan: krerët e Kishave të të gjitha kontinenteve përballuan plagën e shpërdorimeve mbi të miturit, kryer në mjedise kishtare. Dhe e bënë këtë përballë mbarë botës, me guxim e transparencë. Në fjalimin e mbajtur në përfundim të takimit, Françesku kujton, duke cituar të dhënat,  se shumica  e shpërdorimeve u kryen nga familjarët dhe edukatorët, pra në mjediset shtëpiake, shkollore, sportive e kishtare, pa llogaritur plagën e turizmit seksual dhe dhunime të tjera. “Fakti se kemi të bëjmë me një problem universal e transversal, që për fat të keq ndeshet kudo”- saktëson- “nuk e pakëson aspak shëmtimin e tij brenda Kishës”, ku bëhet më i rëndë e më shkandullues, sepse në kundërshtim me autoritetin e saj moral dhe besueshmërinë e saj etike”. Me Motu proprion Vos estis lux mundi, Papa mori masa të reja për sinjalizmin e shpërdorimeve, të ngacmimeve e të dhunës, si dhe për  dhënien e llogarisë nga ipeshkvijtë dhe eprorët rregulltarë.

Papa shfuqizoi edhe sekretin papnor për këto raste dhe ndryshoi normën lidhur me krimin e pedopornogafisë, duke e konsideruar “delicta gravoria” - një nga krimet më të rënda, mbajtjen dhe përhapjen e figurave pornografike, që lidhen me të miturit deri në moshën 18 vjeç.

Reforma: struktura më misionare

Vijonë punimet e Këshillit të Kardinajve (C6), për reformimin e Kuries Romake, që të gjitha strukturat e Kishës të jenë më misionare. Në përfundim e sipër, edhe boca e Kushtetutës së re Apostolike “Praedicate evangelium”. Papa reformoi edhe rolin e Dekanit të Kolegjit kardinalor: pranoi dorëheqjen e kardinalit Sodano dhe e bëri afatin dekanor pesëvjeçar.

Paratë janë në shërbim të Kishës

Vijon edhe reforma në fushën financiare. Papa rishikoi Statutin e Ior (Instituti për Veprat e Fesë), duke përfshirë edhe rolin e Revizorit të jashtëm për verifikimin e llogarive sipas standardeve ndërkombëtare e duke kujtuar përsëri se Ior, që njihet si Banka e Vatikanit, duhet të jetë gjithnjë më besnike ndaj misionit të saj në shërbim të Kishës. E, përsa i takon Obolit, apo Lëmoshës së Shën Pjetrit, saktëson se paratë duhet të japin fryt, e jo të mbyllen në arkë. Pa harruar se investimi duhet të jetë gjithnjë “moral”, që paraja të vihet në shërbim të ungjillëzimit të të varfërve.

Të rizbulohet Fjala e Zotit, për të njohur Jezusin

Me Letrën apostolike “Aperuit illis” të datës 30 shtator, Papa themeloi të Dielën e Fjalës së Zotit, një ditë e veçantë për t’i nxitur gjithë besimtarët  ta lexojnë e ta meditojnë Biblën, sepse - siç thoshte Shën Jeronimi - kush nuk e njeh Shkrimin Shenjt, nuk njeh Krishtin”. Duhet njohur, prandaj, rëndësia themelore e një feje, që ta ndryshon konkretisht jetën. Takimi solemn u caktua për çdo vit, në të Dielën III të Kohës së zakonshme (në vitin 2020, më 26 janar).

Të mos mungojë kurrë tradita e bukur e Shpellës së Betlehemit

Më 1 dhjetorin e kaluar Françesku nënshkroi, në Greçio, Letrën Apostolike Admirabile signum, përmes së cilës i nxit të krishterët ta rizbulojnë e ta rigjallërojnë traditën e bukur të Shpellës së Betlehemit. “Shpella e Betlehemit e çon Ungjillin atje ku jetohet: në shtëpi, në shkolla, në vendet e punës, në spitale, në burgje, në sheshe! Na kujton se Krishti vjen për ta ndryshuar jetën tonë! E botën tonë. Prandaj sot është më aktuale se kurrë” - këtë theksoi Papa, duke e quajtur “Shpellën e Betlehemit, Ungjill shtëpiak”, e duke uruar që Shpella ku lind Krishti, të mos mungojë në asnjë shtëpi.

Pas një jave do të jetë Krishtlindje - kujtoi Françesku - Këto ditë, ndërsa rendim për t’i dhënë fund përgatitjeve për festë, pyetja kryesore duhet të jetë: “Si po përgatitem për lindjen e të Festuarit?”. E mënyra më e thjeshtë dhe më e frytshme do të ishte t’i përgatitësh strehën Zotit, që lind, domethënë, t’ia bësh gati Shpellën e Betlehemit.

Të krishterët e persekutuar: janë më shumë se dje

Françesku nuk lodhet duke i denoncuar persekutimet antikristiane, Sot - përsërit - ka më shumë martirë, se në kohët e para të krishterimit. Kujton  Asia Bibin, nënën e 5 fëmjëve, që u mbajt në burg për pesë vjet. E quan “Grua e mrekullueshme martire”, ngaqë u vu në pranga pikërisht sepse nuk pranoi ta mohojë Krishtin. Po nuk harron kurrë as t’i denocojë sulmet e ekstremistëve islamikë kundër kishave të krishtera, si në  Sri Lanka,  ditën e Pashkëve, ku mbetën  të vrarë 250 vetë, por edhe kundër  feve të tjera, si sulmi kundër xhamive në Christchurch të Zelandës së Re, me 50 viktima. Pa kujtuar mizori të tjera.

Të mbrohet familja edhe jeta: çdo jetë

Më 25 mars, në Loreto, Papa  pohoi se, në veçanti për botën sot “familja e themeluar mbi martesën e një burri me një grua, ka rëndësi e mision themelor, duke e quajtur ideologjinë gender “një hap mbrapa” për njerëzimin. Françesku e mbron jetën nga zënia, në  përfundimin e saj të natyrshëm dhe ndërhyn në çdo rast, kur duhet mbrojtur jeta njerëzore.

Të rinjve: Zbulojeni dashurinë e Hyjit e shkoni kundër rrymës

Sivjet Papa botoi Nxitjen Apostolike “Christus vivit”, fryt i Sinodit kushtuar të rinjve, kremtuar në Vatikan, në tetor 2018. Kjo, fjala fillestare: “Krishti jeton! Ai është shpresa jonë dhe më e bukura rini e kësaj bote…”. Prandaj fjalët e para, që dua t’i drejtoj çdo të riu të krishterë- thekson - janë: “Ai jeton e të do të gjallë”. Papa shkruan edhe: “T’i kërkojmë Zotit ta çlirojë Kishën nga ata, që duan ta plakin, duke e ngulur në të kaluarën, ta frenojnë, ta bëjnë të palëvizshme. T’i lutemi edhe ta lirojë nga një tundim tjetër:  nga besimi se është e re. Jo! Është e re vetëm kur është vetvetja!”.

Shtegtimet ndërkombëtare: paqe për botën, sepse jemi vëllezër!

Në vitin 2019 Françesku bëri 7 udhëtime ndërkombëtare, duke vizituar 11 vende në 4 kontinente, vit rekord për misionin e tij jashtë Italisë. Kumtoi me gëzim Ungjillin në Panama, për Ditën Botërore të Rinisë; në Emiratet Arabe nënshkroi, me Imamin e Madh të Al Azhar, Dokumentin historik  mbi vëllazërimin njerëzor; në Marok pohoi rëndësinë e dialogut ndërfetar; në Bullgari, Maqedoni të Veriut e në Rumani foli për unitetin e të krishterëve; në Mozambik, Madagaskar e Mauritius, bëri thirrje për  mbrojtjen e të varfërve e të gjithësisë; në Tajlandë, thirrje për promovimin  e të drejtave të grave e të fëmijëve; në Japoni, për paqen, duke përsëritur se është imoral jo vetëm përdorimi, por edhe mbajtja e armëve bërthamore. Në Itali, Papa vizitoi Market, Loreton, Greçion.

Shenjtorë e të Lum, laikë e klerikë

Edhe këtë vit ishin të shumta shenjtërimet e lumnimet, duke nisur nga ata, që u vranë nga urrejtja për fenë në Spanjë, për të vijuar me shtatë ipeshkvijtë e Kishës greko-katolike në Rumani e me shumë të tjerë, si kardinali John Henry Newman, anglikani i kthyer në krishterim, i shpallur shenjt.

Meshtar prej 50 vjetësh, për mëshirë të Zotit

Më 2019 Papa mbushi 50 vjet meshtari. Thirrja e tij nisi që nga 21 shtatori i vitit 1953, në festën e Shën Mateut, publikanit të kthyer në krishterim  nga Jezusi. U bë meshtar, për t’ia dhuruar veten të mjerëve, “përgjithmonë”. Meshtar, për t’ua dhuruar edhe të tjerëve, mëshirën që ia dhuroi Zoti. Meshtar që – siç pohon Françesku - jeton në mes të njerëzve me zemrën e mëshirshme të Jezusit. E sot është koha e mëshirës!

28 dhjetor 2019, 15:51