Kërko

Papa me murgeshat e Vietnamit, në audiencën e përgjithshme Papa me murgeshat e Vietnamit, në audiencën e përgjithshme 

Veprimtaria javore e Papës dhe e Vatikanit

Disa nga veprimtaritë kryesore gjatë javës.

R.SH. - Vatikan

Nga veprimtaria javore e Papës dhe e Vatikanit kujtojmë nënshkrimin e “Deklaratës së përbashkët të Feve Monoteiste Abrahamike mbi çështjet e fundit të jetës”, të hënën, në ambientet e Selisë së Shenjtë. Fetë monoteiste abrahamike janë kundër “çdo forme eutanazie”, thuhet në këtë Dokument, si edhe kundër “vetëvrasjes së asistuar nga ana mjekësore”, sepse janë veprime “krejtësisht në kundërshtim me vlerën e jetës njerëzore” e, si pasojë, “të gabuara, si nga pikpamja morale, ashtu edhe nga ajo fetare, prandaj duhen ndaluar pa përjashtime”. Të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët kërkojnë së bashku që kostoja e terapive të mos ndikojë në vendimin e pacientit për fundin e jetës, duke mos e nxitur atë të zgjedhë vdekjen, në vend të kujdesit dhe të ngushëllimit në çastet e mbrame.

Të premten, në Solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve, në Loreto të Italisë u shpall Jubileu Lauretan “Maria Regina et Janua Coeli”. Meshën e kremtoi imzot Krzysztof Nykiel, Regjent i Pendestarisë Apostolike, i cili hapi edhe Portën Shenjte. Një ditë më parë, Papa Françesku vendosi që përkujtimi fakultativ i Zojës së Loretos të shkruhet në Kalendarin Romak më 10 dhjetor, siç dëshmon Dekreti i Kongregatës për Kultin Hyjnor e Disiplinën e Sakramenteve. Viti i Shenjtë kushtuar Zojës së Loretos do të fillojë më 8 dhjetor dhe do të përfundojë në 10 dhjetor 2020.

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve, Papa kujtoi dëshmitarët e shumtë, që “jetojnë pranë nesh e janë pasyrim i pranisë së Zotit”. Gjithashtu, bëri thirrje të mos jepen mesazhe negative mbi vdekjen. Solemniteti i Gjithë Shenjtorëve - ishin fjalët e para drejtuar nga Françesku besimtarëve të shumtë, që mbushnin plot Sheshin - na kujton se të gjithë jemi të thirrur  për shenjtëri. Shenjtorët e shenjtoret, që i kremtojmë sot së bashku, nuk janë thjesht simbole, qenie njerëzore të largëta, të paarritshme - pohoi - Përkundrazi, janë njerëz, që jetuan me këmbë në tokë: “Provuan të përditshmen e jetës, me sukseset e dështimet e saj, duke e gjetur në Zotin, forcën për t’u ngritur gjithnjë në këmbë e për ta vijuar rrugën”. Nga kjo - vijoi Papa - kuptohet se shenjtëria është cak, që nuk mund të arrihet vetëm me forcat tona, por fryt i hirit të Hyjit dhe i lirisë sonë për t’iu përgjigjur. Është dhuratë, pra, shenjtëria, dhuratë e thirrje.

Papa: Shpirti Shenjt tregon udhët që duhen ndjekur

Në audiencën e përgjithshme, tё mërkurën e kaluar, 30 tetor 2019, Papa Françesku u ndalua posaçërisht tek arritja e krishterimit në Evropë, duke kujtuar se Shpirti Shenjt është protagonist i misionit të Kishës, sepse na e hap zemrën e na jep guxim. Katekizmi i audiencës sё përgjithshme tё 30 tetorit, mbajtur nga Papa Bergoglio nё Sheshin e Shёn Pjetrit nё Vatikan, u frymëzua  nga fragmenti, shkëputur prej “Veprave të Apostujve”, në të cilin tregohet  arritja e Palit dhe e Silës në Maqedoni, vend që Françesku e vizitoi pak kohë më parë e që sot e kujtoi me shumë dashuri, sepse e priti plot ngrohtësi e fe. E pikërisht atje  nis “procesi i inkulturimit” në Evropë. Ai proces, që vijojn deri më sot.

Papa u ndal tek tre episode nga jeta e Palit në Maqedoni: tek ungjillëzimi dhe pagëzimi i tregtares, Lidies dhe familjes së saj; arrestimi, së bashku me Silën, pasi dëboi djallin, që kishte pushtuar një skllave, të shfrytëzuar nga zotërinjtë e, së fundi, kthimi dhe pagëzimi i rojes së burgut, ku ishte i lidhur me zinxhirë, dhe familjes së tij:“Duke lexuar Veprat e Apostujve, shihet qartë se Shpirti Shenjt  është protagonist i misionit të Kishës: është Ai, që u prin  hapave të ungjillëzuesve, duke u treguar rrugën për t’u ndjekur”. 

03 nëntor 2019, 08:42