Kërko

Valët përtej Murit: Radioja e Papës dhe 9 nëntori ‘89

Shembja e Murit të Berlinit qe, edhe për Radio Vatikanin, ngjarje jashtëzakonisht e madhe. Në gjirin e Radios së Papës brezni të tëra redaktorësh e teknikësh, kishin punuar për këtë çast të shumëpritur, duke ua çuar fjalën e ndaluar të fesë e të shpresës, katolikëve të përtej perdes së hekurt. Edhe fjalën shqipe.

R. SH. - Vatikan

Profecinë për vdekjen e tij “Mauer” - “Muri” e kishte  shqiptuar prej kohe, mbi një letër të gjatë 6 metrash, stërpikë me bojë të kuqe, shkruar me ngut nga një dorë e panjohur, poshtë grafiteve, që shtriheshin nën të: “Heret a vonë, çdo mur shembet!”.

Radio Vatikani, kundër totalitarizmit

Ajo, që  autori i panjohur e kishte ngulur si shpresë mbi çimenton e Murit të Berlinit - kur për gjermanët e për një kontinent të tërë fjala “liri” shkruhej me tela ferrc e bëhej shoshë nga mitrolozët, në redaksitë e Radio Vatikanit besohej plotësisht, që nga fillesa ogurzezë e Luftës së Ftohtë, e deri tek mbrëmja e pabesueshme e 30 vjetëve më parë. Besim, që bazohej mbi një bindje feje: dashuria e Zotit fiton mbi çdo urrejtje të gatuar nga totalitarizmi, sado që të zgjasë, sido që të mbrohet. Vjet e vjet luftë e ftohtë në kontinent - e vjet e vjet luftë edhe në redaksitë e Radio Vatikanit, sidomos në ato të Evropës lindore, të angazhuara për ta çuar ditë për ditë përtej perdes, oksigjenin e Ungjillit në mushkëritë e Kishës, pas telave me gjemba, që mbahej në këmbë vetëm me gjakun e martirëve të vet!

Rikthimi i lirisë

Atë 9 nëntor të vitit 1989 mbarë bota  e shikonte me gojë hapur nga habija ngjarjen e pabesueshme. Shihte si shkërmoqej Muri nën goditjen e buldozerëve, të dalë sakaq si prej dheut, si dyndej turma, si derdheshin lot gëzimi, si ngrihej deri në qiell britma aq e ndaluar, aq e dëshiruar, aq e ëndërruar: “Liri!”, pa pyetur fare për uniformat e frikshme, tani si të ngrira nga një dorë magjike. Në ato çaste, edhe në redaksitë e Radios së Papës derdheshin pa kursim po ata lot. Çka po ndodhte në Berlin, ishte një premtim i mbajtur, i përsëritur kaq herë nga mikrofonet e Radios së Papës.

Zëri i Karolit

Historiografia bashkëkohore e kujton tashmë Papën “e ardhur nga vendi i largët”, si njëri nga autorët kryesorë të rënies së bllokut komunist, që nga plasaritja e  parë, që Biri i Polonisë ia pati hapur më 1979, me rastin e kthimit të tij të parë në Atdhe, e deri tek gërmadhat e Murit  të Berlinit, dhjetë vjet më pas.

Karol Wojtyla besonte vendosmërisht në rënien e Murit të Berlinit e në fundin e perandorisë sovjetike. Ai pati thënë që në fillim, menjëherë pas udhëtimit të parë në Poloni, në vitin 1979, se gabimi më i madh, gabimi themelor i socializmit real ishte antropologjik. Kjo i befasoi edhe kancelaritë evropiane dhe amerikane. Ai e kuptonte fort mirë se gabimi bazë i këtij socializmi real ishte me natyrë antropologjike: këndvështrimi i gabuar mbi njeriun. Ai njeri i ri, që komunizmi dëshironte ta rikrijonte, që të funksiononte shoqëria e imagjinuar nga komunistët, ishte një mit, një gabim i madh. Prandaj, Papa e priste këtë ndryshim e prandaj, vazhdonte ta përsëriste mesazhin e tij për 10 vjet me radhë, derisa u kuptua mirë nga gjithë Evropa Qendrore e Lindore.

Po shumë më pak dinë historianët për atë që bëri Radio Vatikani në shërbim të Papës Wojtyla e para tij, për ta mbajtur të ndezur zjarrin e fesë në zemrën e të krishterëve përtej murit, e të gjallë, shpresën për ditët që do të vinin, pa asnjë dyshim! Kështu valët e radios arritën ta kapërcenin gardhin e hekurit, për të çuar pas tij fjalët e Papës, kremtimet liturgjike, fragmetet nga magjisteri, faqet nga Bibla, Sakramentet, jetët e shenjtorëve, katekizmin për të rritur e për fëmijë, informacione kishtare të tipeve të ndryshme, por edhe të rejat mbi të drejtat e njeriut, drejtësinë, çarmatimin, kulturën, artin. Duke i bërë ballë edhe propagandës së Tiranës,  që, si e kish shpallur Shqipërinë ateiste, deklaronte se Kisha tashmë kishte vdekur e ishte varrosur një herë e përgjithmonë.

Ndërkaq zëri i Wojtylës lartohej me forcë, për t’i dhënë përgjigje  britmës së turmës së Asizit, ku Papa i sapo zgjedhur kishte shkuar nga Roma për t’ia besuar Shën Françeskut shërbesën e saponisur. Atyre, të cilët i kujtonin: “Mos e harro Kishën e heshtimit!” u përgjigjej: “Kisha e heshtimit nuk është më. Tani flet me gojën e Papës”

 Papa foli edhe përmes redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News

Ishte shtatori i vitit 1951, kur Sekretaria e Shtetit të  Selisё sё Shenjtё vendosi që Radioja e Papës  - Radio Vatikani të flasë edhe në gjuhën shqipe. Për ngritjen e redaksisë shqipe u thirr meshtari shqiptar në mërgim, Dom Zef Shestani. Zëri shqip përmes valёve tё Radios sё Papёs – Radio Vatikanit filloi më 3 tetor 1951, në orën 21, me transmetimin e parë me temën simbolike: "Udhën e Krygjës".

Populli shqiptar asokohe përshkonte udhën e vet të kryqit nën thundrën e diktaturës komuniste. Ishte një Udhë Kryqi e mundimshme, reale. Dëmet që regjimi ateist i komunizmit i shkaktoi fesë së Krishtit ishin nga më të rëndat që mbahen mend në historinë e Kombit shqiptar. E edhe të Kishës universale. Në kohën kur nё Shqipёri komunizmi bëri çmos të mbyllte çdo gojë që fliste në emër të Zotit, kur u rrokullisën kumbonët nga kumbonaret dhe heshtën uratët në Kishat e shkallmuara, zëri i Radio-Vatikanit vijonte të niste mesazhe  afërsie, ngushëllimi e shprese përtej perdes së hekurt. U çonte shqiptarëve mesazhet e Papës e tё Kishёs katolike, mesazhe ngushëllimi e durese, qëndrueshmërie e ngrohtësie vëllazërore, shprese e paqeje. Telat me gjemba që ndanin Shqipërinë nga bota perёndimore, nuk munden ta ndalojnë këtë zë të hynte përtej çdo çdo muri e tё dëgjohej fshehurazi, me kujdes, si një uratë e pëshpëritur pothuajse pa zë, por me gjithë shpirt, ndër shtëpitë e atyre që besonin e shpresonin në Zotin. Selia e Shenjtë nuk e kishte harruar komunitetin e krishterë e popullin e masakruar shqiptar! Kisha Universale nuk e largonte për asnjë çast vështrimin nga grigja qё ishte në gojë të ujkut.

Në periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri Radio Vatikani në gjuhën shqipe u përpoq të transmetonte zёrin e besimit nё Zotin, ta çonte zërin e Ungjillit në çdo shtëpi, t'i kthente shtëpitë në Kisha të vogla dhe prindërit, në barinj shpirtëror të fëmijëve të tyre. Për këtë flet qartë edhe urata e Rruzares Shenjte, që lutej çdo të shtunë para mikrofonit tonë nga Dom Zef Shestani, Motër Luçie Lacaj e një grup murgeshash e laikësh shqiptarë dhe ndiqej pas telave me gjemba nga besimtarët që përjetonin kalvarin e tmerrshëm tё persekutimit.

Në fillimet e veta, redaksia shqipe e Radio Vatikanit në gjuhën shqipe transmetonte tri herë në javë. Pastaj transmetimi u bë i përditshëm. Tematika fillestare ishte vetëm liturgjike-kishtare, por më vonë u pasurua, duke përfshirë edhe elemente tjera si dokumentet më të rëndësishme të Papës, veprimtaritë dhe shtegtimet e Atit Shenjtë, për të vijuar me veprimtaritë e Kishës katolike Universale e te Kishës katolike në trevat Shqiptare e në botë, çështjet e rëndësishme të etikës, të shoqërisë, të kulturës, letërsisë e artit, parë gjithnjë në këndvështrimin ungjillor.

Në fillim rrethi i bashkëpunëtorëve vijonte të ishte tepër i ngushtë. Radioja fliste. Po ishte një monolog i gjatë. Një monolog i dhimbshëm më se 40 vjeçar. Asnjë përgjigje nga dëgjuesit! Asnjë zë nuk pipëtinte përtej telave me gjemba. Zërat shqiptarë të Radio-Vatikanit flisnin me maturi, me kujdes të madh. Një fjalë e papeshuar, e përtej perdes së hekurt fillonte një valë e re martirizimi. Po, lavdi Zotit, erdhi dita e ëndërruar. Diktatura komuniste u shemb dhe filloi bashkëbisedimi ynë me dëgjuesit, që gjithnjë më shpesh janë edhe mysafirë në programet e ndryshme radiofonike e në web faqen e redaksisë shqipe të Radio Vatikan e Vatican News.

Kremtohet dita e rilindjes së Evropës

Kështu kremtohet dita e rilindjes së Evropës, e ringjalljes së saj, dalja në dritë, nga rrënojat prej çimentoje e hekurishtash që, për 30 vjet me radhë, ngujuan e ndanë vise e njerëz. Kisha katolike merr pjesë në entuziazmin e përgjithshëm, duke folur me gojën e protagonistёve për ngjarjen e madhe, për shembjen e atij, të cilin e quajti: “simbol i ndarjes ideologjike të Evropës e të mbarë botës”.  U shemb papritmas, pasi kjo shembje u bë e mundur përmes angazhimit të një mori njerëzish, që luftuan, u lutën, vuajtën, disa deri në flijimin e jetës, për t’ia arritur kësaj dite. Ndërmjet tyre, një rol protagonisti pati Papa Shёn Gjon Pali II.

Kanë kaluar 30 vjet nga dita e paharrueshme e rënies së muri

Kanë kaluar 30 vjet nga dita e paharrueshme e rënies së murit. Çfarë feste popullore në Berlin! Sa habi e sa gëzim në të gjithë Evropën e në të gjithë botën, që shihte e rishihte ato imazhe të pabesueshme! Për rreth 30 vjet, ata që ishin përpjekur ta kapërcenin duke ikur drejt lirisë kishin rrezikuar jetën, dhjetëra e dhjetëra vetë kishin vdekur para syve të tmerruar të dëshmitarëve të rastit. Besonim se burgu i madh i mbrojtur nga ai mur – e më gjerë nga “muri i hekurt” simbolik, që ndante Evropën më dysh – do të rezistonte akoma edhe për shumë vjet.

Por, aspiratat e lirisë dhe dobësitë e brendshme të regjimeve, të bazuara mbi një ideologji armike me Zotin e me njeriun, kishin punuar thellë në popujt e Lindjes, duke përgatitur një shembje epokale, e pashoqëruar – fakt ky fatlumë e i rrallë – nga derdhje të mëdha gjaku.

Pa dashur të thjeshtojmë një proces historik jashtëzakonisht të ndërlikuar, na vjen spontanisht kujtimi i rolit të Papës Gjon Pali II, i udhëtimeve të tij në Poloni, e cila kishte mbetur gjerësisht e besnikërisht katolike, dhe i pasojave të tyre në aspiratat e kërkesat për liri të atij populli e të popujve fqinjë. Kur Papa i moshuar kalonte më në fund nën Portën e Brandeburgut, jo vetëm Gjermania ishte bashkuar, por Evropa merrte frymë me dy mushkëri, Lindje e Perëndim.

Feja e krishterë kishte treguar se kishte kontribuar edhe një herë në bashkimin e në qytetërimin e kontinentit, duke kapërcyer provën e tmerrshme të ateizmit shtetëror. Është mirë të kujtohet kjo gjë, sa herë dikush ngul këmbë në reduktimin e kësaj feje në fushën e ngushtë private.  Por fatkeqësisht, në botë u ndërtuan e po ndërtohen mure të tjera. Do të vazhdojmë të impenjohemi, duke pritur që të festojmë më në fund, edhe padobinë e shembjen e tyre.

Kështu e kujtojmë sot rënien e Murit të Berlinit, që u shemb edhe me kontributin e Radios së Papës - ashtu si u shemb edhe gardhi i telave me gjemba i diktaturës komuniste të shtetit të vogël, shpallur ateist. I vetmi në botë!

09 nëntor 2019, 13:24