Udhëtimi i Papës në Tajlandë e Japoni, në një minut

Në gjashtëdhjetë sekonda, pamjet më të bukura të udhëtimit të 32-të apostolik të Papës Françesku në Azi. Çaste të fuqishme dhe të gëzueshme nga përqafimi i Atit të Shenjtë me pakicën katolike tajlandeze dhe japoneze.

R.SH. - Vatikan

Filluar më 19 nëntor, me nisjen nga Roma, udhëtimi i 32-të apostolik i Papës Françesku në Tajlandë dhe Japoni u karakterizua nga përqafimi plot dashuri i popullsive të dy vendeve aziatike për Atin e Shenjtë.

         “Dishepuj të Krishtit, dishepuj misionarë” - motoja e etapës tajlandeze - e cila kujton 350-vjetorin e themelimit të Vikariatit Apostolik të Siamit, ngritur më 1669. Në Bangkok, i rëndësishëm takimi me Kryepatriarkun e Budistëve, në tempullin Wat Ratchabophit Sathit Maha Simaram, ku u ritheksua impenjimi i feve në promovimin e paqes dhe të vëllazërimit.

         Në Japoni, paqja ishte lajtmotivi i vizitës me moton “Mbrojtja e jetës”. Prekëse, takimet me të mbijetuarit e bombës atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, si edhe me ata të katastrofës së trefishtë të vitit 2011: tërmeti, tsunami dhe aksidenti bërthamor i Fukushimës. Fjalët e Papës ishin të fuqishme: “përdorimi dhe mbajtja e armëve bërthamore janë të pamoralshme”.

26 nëntor 2019, 14:14