Tërmeti në Shqipëri, Papa "jam pranë viktimave, lutem për të vdekurit”

Gjatë audiencës së përgjithshme, Papa Françesku i shprehu popullit shqiptar, që po vuan kaq shumë këto ditë zije nga tërmeti, afërsinë e tij. “Zoti e bekoftë këtë popull, të cilin e dua fort!” - thekson edhe në telegramin e ngushëllimit, dërguar me këtë rast në emër të tij, presidentit Meta, nënshkruar nga sekretari i Shtetit Pietro Parolin. Ja video e Papës me fjalët që i drejtoi sot popullit shqiptar.

“Dëshiroj t’i dërgoi një përshëndetje dhe t’i shpreh afërsinë time popullit të dashur shqiptar, që vuajti shumë këto ditë. Shqipëria ishte vendi i parë i Evropës, që desha ta vizitoj. Jam shumë pranë viktimave, lutem për të vdekurit e të plagosurit. Zoti e bekoftë këtë popull, që e dua aq fort”. Kështu i kujtoi Papa Françesku, në përfundim të audiencës së përgjithshme, pasojat e tërmetit që, ndërmjet së hënës e së martës, lëkundi një pjesë të mirë të Shqipërisë, aq sa të shkaktonte një katastrofë të vërtetë. 

27 nëntor 2019, 18:05