Papa Françesku në Abu Dabi Papa Françesku në Abu Dabi 

Shëndeti botëror, Abu Dabi: deklaratë e përbashkët e Papës dhe e Princit

Në prag të hapjes së Forumit “Reaching the Last Mile”, ku mblidhen krerët e angazhuar në luftën kundër sëmundjeve, sot, më 19 nëntor, në Louvre të Abu Dabit, Papa Françesku dhe Shehu Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Princi trashëgimtar i Abu Dabit, dërguan në konferencë një deklaratë të përbashkët, në mbështetje të bashkëpunimit për përmirësimin e shëndetit në zonat më të varfëra të botës.

R.SH. - Vatikan

“Ripohojmë bashkëpunimin tonë për përmirësimin e shëndetit dhe të mirëqenies së bashkësive në nevojë”. Kështu shkruajnë Papa Françesku dhe Shehu Mohamed bin Zayed Al Nahyan, princi trashëgimtar i Abu Dabit, në deklaratën e datës 18 nëntor, nënshkruar nga Nunci Apostolik në Emiratet e Bashkuara Arabe, imzot Francisco Montecillo Padilla dhe Zv.sekretari i Oborrit të Princit, Mohamed Mubarak Al Mazrouei.

Në tekst, me rastin e Forumit “Të arrijmë miljen e fundit”, që filloi sot në Abu Dabi, theksohet se bashkëpunimi buron nga bindja se çdo njeri ka të drejtë të jetojë me dinjitet dhe në shëndet të plotë. Shumë sëmundje, lexohet në të, shfaqen shpesh në gjendje varfërie, aty ku njerëzit janë më të brishtë e më të mënjanuar nga shoqëria. Papa dhe princi i Abu Dabit bëjnë kështu, një thirrje të përbashkët që të përtërihen përpjekjet për të promovuar programet shëndetësore, shoqërore dhe arsimore, si edhe për të formuar rrjete të përshtatshme mjekësore për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve, në mënyrë që askush të mos mbetet pas. Në deklaratë kërkohet një aksion politik global dhe bashkëpunim vullnetar ndërmjet shoqërisë civile dhe shteteve të veçanta, të cilat kanë përgjegjësi për shëndetin e qytetarëve të tyre.

Në Deklaratën e përbashkët, edhe thirrja për bashkësinë ndërkombëtare që të punojë për të arritur deri tek popullsitë më të rrezikuara nga sëmundjet, duke treguar vëmendje të veçantë ndaj patologjive, që prekin më të varfrit. Duhet ndërhyrë për t’u dhënë fund sidomos, sëmundjeve tropikale, të cilat prekin më shumë se 1.5 miliardë banorë të botës. Pavarësisht nga programet ndërkombëtare dhe nga përmirësimi i mundësive për terapi, këto sëmundje mbeten dytësore në axhendën globale të luftës kundër sëmundjeve.

Para patologjive, që sot mund të kontrollohen, të parandalohen dhe të eliminohen, thuhet më tej në deklaratë, nevojiten përpjekje më të mëdha për të koordinuar mundësitë në dispozicion, që të gjenden zgjidhje të përshtatshme. Kjo do të kërkojë qasje ndërdisiplinore, shoqëroro-shëndetësore dhe ambientale.

Garantimi i së drejtës për mjekim është thelbësor, përfundon teksti, prandaj si Papa ashtu edhe princi i Emirateve të Bashkuara Arabe impenjohen të mbështesin çdo nismë në këtë drejtim. Deklarata mbyllet me ftesën për solidaritet drejtuar të gjithë atyre, që i kuptojnë vuajtjet e nevojtarëve dhe jetojnë pikërisht në zonat më të varfra të botës.

19 nëntor 2019, 09:26