Kërko

Vatican News
2019.11.29 Terremoto in Albania - Caritas Albania (29 novembre) 2019.11.29 Terremoto in Albania - Caritas Albania (29 novembre)  (ANSA)

Ndihma e Papës për të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri

Papa Françesku ka vendosur të dërgojë një kontribut të parë prej 100.000 eurosh për të ndihmuar popullsinë shqiptare të goditur nga tërmeti, në këtë fazë të emergjencës. Shuma do të përdoret në dioqezat e zonave të tërmetit, në veprat e shpëtimit dhe të ndihmës. Presidenti i Karitasit Shqiptar, imzot Massafra: “Kisha në vijën e parë të frontit për të ndihmuar”.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku mendon sërish për Shqipërinë, pas përshëndetjes së popullit shqiptar në përfundim të audiencës së përgjithshme të së mërkurës, kur u shprehu afërsinë tij të dëmtuarve nga tërmeti i 26 nëntorit dhe, pas telegramit të ngushëllimit për viktimat. Sot, Dikasteri vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor njofton se Ati i Shenjtë ka vendosur të dërgojë një kontribut të parë prej 100 mijë eurosh për të ndihmuar popullsinë në këtë fazë të emergjencës.

Fondi do të përdoret për ndihmë

         Në këtë mënyrë, Ati i Shenjtë dëshiron të shprehë afërsinë e tij shpirtërore dhe mbështetjen e tij atërore për njerëzit dhe për territoret e prekura. Shuma do të përdoret në dioqezat e zonave të tërmetit, në veprat e shpëtimit dhe të ndihmës së popullsisë, në marrëveshje me Nunciaturën Apostolike në Shqipëri.

Fjalët e Papës në audiencën e përgjithshme

         Gjatë audiencës së përgjithshme, ditën e djeshme, Papa Françesku u shpreh kështu: “Dëshiroj t’i dërgoj një përshëndetje dhe t’i shpreh afërsinë time popullit të dashur shqiptar, që vuajti shumë këto ditë. Shqipëria ishte vendi i parë i Evropës, që desha ta vizitoj. Jam shumë pranë viktimave, lutem për të vdekurit e të plagosurit. Zoti e bekoftë këtë popull, që e dua aq fort”. 

Impenjimi i Kishës Katolike në mbështetje të popullsisë

         Kontributi i Papës, që arrin në Shqipëri përmes Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor, i cili shoqëron lutjen e Atit të Shenjtë për popullsinë, është pjesë e ndihmës së Kishës Katolike universale. Përveç Konferencave të ndryshme Ipeshkvnore, që po aktivizohen njëra pas tjetrës, në ndihma janë përfshirë edhe shumë organizata bamirësie.

Shkodra vë në dispozicion Fshatin e Paqes

         Në një intervistë me Vatican News, presidenti i Karitasit Shqiptar, imzot Angelo Massafra, shpjegon se “shumë famulli po aktivizohen për ndihmë e rregulltarët po çojnë në zonat e tërmetit ushqime e veshmbathje, si edhe ngushëllim në kampet e të pastrehëve”. Është vënë në dispozicion edhe “Fshati i Paqes” në Shkodër, ku tani strehohen emigrantë. Për imzot Massafra-n, tërmeti ka qenë thikë, që ngulet edhe më shumë në plagët e hapura të Shqipërisë: “Është fatkeqësi, që i rëndon kushtet e vështira të Shqipërisë, si nga pikpamja shoqërore, ashtu edhe nga ajo politike”.

Të gjitha famullitë impenjohen për ndihmë

E gjithë Kisha shqiptare është mobilizuar për të ndihmuar. Imzot Massafra informohet vazhdimisht për zhvillimet e fundit dhe konfirmon se çdo kishë angazhohet në maksimum: “Janë formuar disa kampe të shpërngulurish, kryesisht në qytetin e Durrësit. Më ka bërë përshtypje pozitivisht kjo bujari kaq e madhe dhe i jam mirënjohës secilit prej grupeve të kërkim-shpëtimit: duhet të përveshim mëngët dhe të punojmë për ta rimëkëmbur Shqipërinë dhe për ta bërë edhe më të bukur”.

Karitasi Shqiptar ndërmjet të shpërngulurve

Në vijën e parë të frontit edhe Karitasi Shqiptar, nënvizon imzot Massafra, duke sqaruar se shumë rregulltarë po dërgojnë personalisht pako me ushqime e veshmbathje dhe ngushëllim njerëzor. “Mbrojtja Civile – shpjegon imzot Massafra - ka kërkuar të mbahen në depo ndihmat që po mbërrijnë, në mënyrë që të mos prishen e të mos keqpërdoren. Koordinimi është i nevojshëm dhe po realizohet, por është normale që në ditët e para të tragjedisë të ketë pak kaos. Pas emergjencës, duhet patjetër të mendojmë për projekte më strukturore. Jam i sigurt se Zoti dhe solidariteti, nga brenda dhe jashtë vendit, do të na ndihmojnë të dalim nga ky çast shkurajimi të madh”.

28 nëntor 2019, 17:35