Kërko

 Papa në Japoni Papa në Japoni 

Papa në Japoni, si prijës shpirtëror universal

Vetëm pak orë kanë kaluar nga arritja e Françeskut në aeroportin e Tokios, në Japoni, ku Papa do të jetë deri të martën, 26 nëntor. Zjejnë përgatitjet, edhe pse nën shi, në vendet që do t’i vizitojë së shpejti e, sidomos, në Qendrën e shtypit, ngritur pikërisht për këtë ngjarje të madhe. Qeveria e pret Papën si prijës shpirtëror e moral në nivel universal.

R. SH. - Vatikan

Në orën 9.00 me orën e Tokios, u hap Qendra e Shtypit, përgatitur për vizitën e Papës Françesku. Gazetarë e fotografë u ulën një pas një në  hapësirat e caktuara e nisën provat për t’u lidhur me redaksitë e tyre, në mbarë botën, në ndjekje të kësaj ngjarjeje “historike”. Së paku 800, të akredituarit e shtypit.

Nga Papa pritet një mësim shpirtëror për të gjithë

Atë Joseph Naoki Momma, koordinator i përgjithshëm i strukturës së informacionit të Kishës vendase, njëri nga organizatorët e vizitës së Papës në Japoni, na pret me një lajm, që na kënaq pa masë: “Ndonjë ditë më parë morëm vesh - na thotë - se qeveria, më në fund, pranoi ta ndryshojë interpretimin e figurës së Atit të Shenjtë. Deri tani - vijon të shpjegojë-   Papa shikohej si “Perandor i ligjit”, kurse tani, si “Perandor i doktrinës”, ose më mirë të themi, si prijës shpirtëror e moral në nivel universal.

Vijojnë vrullshëm përgatitjet

Duke vijuar të na njohë me përgatitjet, në pritje të Françeskut, atë Momma na flet dy fjalë edhe për Kishën e sidomos, për atmosferën e gëzimit. Shumë njerëz shpresojnë ta takojnë Papën - shton- e këtë e tregojnë qartë kërkesat gjithnjë në rritje të atyre, që duan të marrin pjesë në ngjarjet kryesore. Numri është plotësuar e tejkaluar aq, sa duhen marrë masa për t’i seleksionuar kërkesat.

Takimi i parë i Papës do të jetë ai me ipeshkvijtë

Është  ngjarje historike - nënvizon atë Momma - shumë e rëndësishme   për një Kishë,  e cila ka shumë nevojë për inkurajim, që të mund ta vijojë  dëshmimin e vlerave të Ungjillit. Prandaj takimi i parë i Françeskut, pak pasi arriti ndër ne, do të jetë pikërisht ai me ipeshkvijtë, në Nunciaturën apostolike. Në emër të të gjithëve, Papën do ta përshëndesë imzot Josepf Mitsuaki Takami, kryeipeshkëv i Nagasakit, kryetar i Konferencës ipeshkvnore japoneze. Janë tri, kryedioqezat metropolitane në vend, ndërsa  dioqezat, trembëdhjetë. Katolikët në Japoni janë rreth 539 mijë, 0,42%, në gjirin e një popullsie me shumicë budiste e shintoiste. Po kaq, edhe anëtarët e Kishës protestante.

23 nëntor 2019, 11:39