Pas Engjëllit të Tënzot, ftesa për t’u lutur kundër mesazheve negative mbi vdekjen
R. SH. - Vatikan
“Këto ditë, në të cilat, për fat të keq, qarkullojnë edhe mesazhe kulture negative mbi vdekjen dhe të vdekurit, i ftoj të gjithë të mos e lënë pas dore, brenda mundësive, një vizitë e një lutje në varreza. Do të jetë akt feje”. Ishte kjo, thirrja e Papës Françesku, drejtuar besimtarëve në përshëndetjet e zakonshme, pas lutjes mariane të Engjëllit, me rastin e solemnitetit të të Gjithë Shenjtorëve.
Dy festa, që lidhin tokën me qiellin
Papa Françesku përshëndeti edhe atletët, që morën Pjesë në Vrapimin e Shenjtorëve, organizuar nga Fondacioni Misionet Dom Bosko. Ati i Shenjtë nënvizoi sidomos, vlerën fetare të festës kushtuar Gjithë Shenjtorëve, edhe në lidhje me një festë sportive popullore. Më pas falënderoi famullitë e shumta dhe bashkësitë, të cilat në këtë ditë kaq prekëse, organizojnë një mori nismash lutjeje: “Këto dy festa na kujtojnë lidhjen ndërmjet Kishës së tokës e asaj të qiellit, ndërmjet nesh e të dashurve tonë, që kaluan në jetën tjetër” - kujtoi në vijim Papa.
Vizita në katakombet e Prishilës
Përveç vrapuesve, Papa përshëndeti edhe të rinjtë e Veprimit Katolik, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, ardhur nga dioqezat e shumta italiane, në 50-vjetorin e VKI si dhe grupet tjera, të pranishme në audiencë.
Ati i Shenjtë njoftoi, në përfundim, se nesër pasdite, me rastin e Solemnitetit të të Vdekurve, do të shkojë për ta kremtuar Eukaristinë në Katakombet e Prishilës “një nga vendvarrosjet e të krishterëve të parë të Romës”.