Kërko

Papa: të rinj, mos u ndalni, ecni e angazhohuni për të qenë të lumtur

Françesku i beson një videoje, të regjistruar në Nunciaturën e Bangkokut, fjalë inkurajimi për të rinjtë tajlandezë, që sonte u mblodhën së bashku për një mbrëmësore lutjeje. “Të këshilloj të bësh dy gjëra: mos rri kurrë për tokë, ngreju shpejt e shpejt, e mos e kalo jetën tënde i shtrirë mbi divan!”.

R. SH. - Vatikan

“Mos e kaloni jetën mbi divan, por ndërtojeni, ecni përpara, lëvzni!”. Papa, në tremen e nuciaturës, që e mikpret në Bangkok, në këtë etapë të parë të shtegtimit të tij të 32-të apostolik, u drejton një mesazh të rinjve tajlandezë, të mbledhur sonte për një mbrëmësore lutjeje. Shumica e tyre do të marrin pjesë në Meshën, që Papa do ta kremtojë në Katedralen e Zojës së Ngjitur në Qiell, të premten, në orën 17.00 me orën vendase.

“E di se sonte po kremtoni një mbrëmësore lutjeje, se po luteni. E di edhe se të tjerë akoma janë për udhë, për të arritur këtu. Dy gjëra vërtet të bukura: të lutesh e të ecësh! Në jetë duhen bërë këto dy gjëra: ta kesh zemrën të hapur për Zotin, sepse prej Tij marrim forcë, e të ecim, sepse në jetë nuk duhet të rrish si i ngrirë. Një i ri nuk mund të shtangohet që në moshën 20 vjeçare, duhet të ecë! Gjithnjë përtej, gjithnjë në ngjitje, lart e më lart!”.

Fjalë jo të programuara, por të dala nga zemra, të shqiptuara spontanisht, në këtë videomesazh drejtuar rinisë tajlandeze; fjalë që arrijnë drejt e në zemra, duke ngjallur entuziazëm e forcë tipike për të rinjtë:

“Ndonjëri mund të më thotë: ‘Po, o Atë, nganjëherë edhe ligështohem e jam gati të bie përdhe. S’ka gjë! Është një këngë malësorësh që këndon: ‘Në artin e ngjitjes, nuk ka rëndësi të mos rrëzohesh, por të mos mbetesh përdhe!’”.

Udha për të arritur lumturinë, që për shumë të rinj mbetet akoma kimerë, nuk është  e shtruar me përtaci. Nuk është divani, nuk është jeta e bllokuar  në kënetat e vështirësive, në mungesën e punës, në adhmërinë e paqartë, që duket se nuk do të të krijojë asnjë mundësi. Është rruga e shtruar me guxim e angazhim. Prandaj Françesku, duke parë telekamerën, i përfundon këshillat e tij atërore me fjalët:

“Po të jap dy këshilla: mos rri kurrë përdhe. Ngreju, pa pritur që ndokush të të ndihmojë! Së dyti, mos e kalo jetën ulur në divan. Bëje vetë jetën! Ndërtoje jetën! Çoje përpara jetën! Ngjitu gjithnjë lart. Angazhoju për jetën,  e do të kesh një lumturi të papërfytyrueshme, të siguroj. Zoti të bekoftë. Lutem për ty, lutu edhe ti për mua!”.

20 nëntor 2019, 18:22