Mesha e Papës në Shën Martë Mesha e Papës në Shën Martë 

Papa: vdekja është përqafim me Zotin, për t’u jetuar me shpresë

Në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shën Martë, Papa reflektoi mbi fundin që e pret çdo njeri, mbi vdekjen, duke e paraqitur si çast në të cilin Zoti vjen të na marrë e për të cilin duhet të përgatitemi. Në këtë çast të përbashkët ligështie, Françesku ftoi të lutemi njëri për tjetrin, që të mund t’i përgjigjemi mirë kësaj thirrjeje, besimplotë se shkojmë për të takuar Zotin.

R. SH. - Vatikan

Javën e fundit të vitit liturgjik, Kisha na fton të reflektojmë për fundin: fundin e botës e fundin e secilit prej nesh. E këtë e bën përmes Ungjillit të sotëm (Lk 21, 29.33) në të cilin Luka përsërit fjalët e Jezusit; “Qielli e toka do të kalojnë, po fjalët e mia nuk do të kalojnë”.

Ligështia njerëzore

E kështu - pohon Papa në homelinë e tij - “gjithçka do të marrë fund,” por “Ai do të mbetet”, e nga kjo mori shtytjen për ta ftuar secilin prej nesh të mendojë mirë për çastin e fundit, për vdekjen. Askush nuk e di kur do t’i  trokasë në portë. Madje shpesh e largojmë mendimin, duke besuar se jemi të përjetshëm. Po nuk është kështu:

“Të gjithë e kemi këtë ligështi. Dje mendoja për këtë, duke lexuar një artikull të bukur, botuar në Civiltà Cattolica, që kujton se të gjithë jemi të barabartë në këtë dobësi. Jemi të ligshtë! E në një farë pike kjo ligështi na çon drejt vdekjes. Prandaj dikush vrapon tek mjeku për të shëruar dobësitë fizike, dikush tjetër,  te psikologu, për të shëruar ligështitë psikike”.

Iluzioni se jemi të përjetshëm e shpresa në Tënzonë

Ligështia, pra, na bashkon e s’ka iluzion që mund të na shpëtojë nga vdekja. Në tokën time - kujtoi Papa - ishte në modë  parapagimi i funeralit, me shpresën se kështu mund t’i kurseheshin paratë familjes. Si u mor vesh mashtrimi i disa agjencive funerale, moda kaloi. “Po sa herë na gënjen shpresa” - kometoi Papa - sa herë na shtyn të mendojmë se “jemi të përjetshëm”. Sigurinë se do të vdesim një ditë, e gjejmë të shkruar në Bibël e në Ungjill. E Zoti na e paraqet gjithnjë jo si tmerr, që duhet përballuar, por si  takim me Të, e atëhere fjalës “tmerr” ia zë vendin fjala “shpresë”.

Zoti na porosit të shkojmë të përgatitur në këtë takim. Sepse vdekja është  takim: është Ai, që vjen të na takojë. Ai, që vjen të na marrë për dore, Ai, që na merr me vete. Nuk do të dëshiroja që ky predikim i thjeshtë të tingëllojë si paralajmërim morti. Është  thjesht Ungjilli, është thjesht jeta, thjesht detyra për t’i thënë njëri-tjetrit: të gjithë jemi të paqëndrueshëm, të gjithë e kemi një portë, në të cilën heret a vonë do të vijë e do të trokasë Zoti!

Të lutemi, që të jemi gati për ardhjen e Zotit

Duhet, prandaj, të përgatitemi mirë për këtë çast, në të cilin do të bjerë  zilja e Zoti do të trokasë në portën tonë. Të lutemi njëri për tjetrin - i ftoi Papa besimtarët, që ndiqnin Meshën - për të qenë gati e për ta hapur plot me shpresë portën, pas të cilës na pret Zoti vetë:

“Nga të gjitha sendet, që kemi grumbulluar e që kemi kursyer,  sigurisht të mira sa jemi gjallë, nuk do të mund të marrim asgjë… A më mirë të themi një gjë të vetme do të marrim: ‘përqafimin e Zotit’. Të mendojmë, pra për vdekjen tonë: unë do të vdes! Po kur? Vdekja ime nuk shkruhet në asnjë kalendar. E di vetëm Zoti. Prandaj t’i lutemi Zotit: ‘Zot, ma përgatit zemrën, që të vdes mirë, të vdes në paqe, të vdes plot me shpresë’. Kjo është fjala, që duhet ta shoqërojë gjithnjë jetën tuaj, shpresa se do të jetojmë me Zotin këtu e më pas, me Të edhe në anën tjetër. Të lutemi njëri për tjetrin për një pushim të mirë në paqe, në krahët e Zotit”.

29 nëntor 2019, 12:24