Kërko

Papa me viktimat e katastrofës së trefishtë: indiferenca mposhtet me dhembshuri

Në Tokio, gjatë ditës së tij të tretë në Japoni, Papa Françesku, duke u takuar me viktimat e tërmetit, të tcunamit dhe aksidentit bërthamor të 11 marsit 2011, kërkoi të mos harrohen 50 mijë njerëzit, akoma pa strehë e të rimendohet edhe për përdorimin e energjisë bërthamore, duke zgjedhur një stil jete të përvuajtur e të përkorë.

Për të kujtuar një katastrofë, që u ripagëzua “e trefishtë”: tërmetin, tcunamin e aksidentin bërthamor, si dhe rreth 18 mijë vetë që, më 11mars 2011 e në ditët dhe vitet e mëpasme, humbën jetën, Papa kërkoi një lutje të heshtur.

“Lutje që na bashkon e na jep guxim të ecim përpara me shpresë”.

E pas kësaj kërkese, mbi auditorin Bellesalle Hanzomon, qendër e takimeve në Tokio, ku Papa, ditën e parafundit në Japoni takohej me 800 viktimat e kësaj katastrofe, që e ndryshoi historinë e vendit, ra një heshtje e thellë.

Heshtja zgjati derisa Papa u drejtoi përshëndetjen e tij 10 viktimave të pranishme, për të dëgjuar, më pas, tri dëshmi e për të kujtuar se është bërë shumë, por se mbetet ende shumë për të bërë.

Matsuki: vendi nuk shqetësohet më për të shpërngulurit

Prekëse, dëshmia e Matsuki Kamoshita që, në çastin e shpërthimit bërthamor të Fukushimës, ishte 8 vjeçe e jetonte në Inaki. Ajo tregoi sesi iku drejt Tokios me nënën e vëllain tre vjeçar, që qante pa zë, ndërsa babai, mësues, kthehej në Fukushima për të mbrojtur nxënësit e tij. Të rriturit - kujtoi - duhet t’i tregojnë, pa fshehur asgjë, pasojat e shpërthimit  të rrezatimeve dhe dëmet e mundshme. Nuk dua - ishte kërkesa e saj dramatike - të vdesin para nesh, pasi gënjyen a nuk e thanë të vërtetën. Ju lutem - është thirrja që u bëj pushtetarëve - merreni guximin për të ecur në një rrugë tjetër. Ndërsa Juve, Atë i Shenjtë - vijoi - ju kërkoj të luteni me ne,  që bota mbarë të punojë për ta zhdukur nga ardhmëria kërcënimin e rrezatimeve bërthamore.

Lutja e heshtur për 18 mijë viktimat

Papa e përqafoi gjatë Matsukin, thellësisht i prekur e, kur e mori përsëri fjalën, e falënderoi atë, Toshiron e priftin budist Tokuun që, me fjalët e me praninë e tyre, shprehën trishtimin dhe dhimbjen e një mori njerëzish. Papa iu përgjigj këtyre dëshmive, duke i ftuar të gjithë në lutje:

“Të heshtim një minut e fjala jonë e parë të jetë lutja për më se 18 mijë njerëz, që humbën jetën, për familjet e tyre e për të gjithë ata, që janë ende të humbur. Një lutje, që na bashkon e na jep guxim të ecim përpara me shpresë”.

Ndihmë që, tetë vjet më pas, duhet të vijojë

Pas heshtjes, Papa Françesku falënderoi administratat vendase dhe të gjithë ata, që përpiqen për rindërtimin e për lehtësimin e gjendjes së 50 mijë njerëzve të shpërngulur, ende pa strehë të vërtetë mbi kokë.

Askush nuk ndërton i vetëm, duhen duar mike

U bëri, kështu, thirrje njerëzve vullnetmirë, që viktimat e kësaj tragjedie të vijojnë të marrin ndihmën, për të cilën kanë aq shumë nevojë. Rindërtimi - shpjegoi - kërkon solidaritetin edhe ndihmën e gjithë bashkësisë, sepse askush nuk ndërton i vetëm, askush nuk mund të rifillojë i vetëm. Duhet gjetur një dorë mike, një dorë vëllai:

“Tetë vjet pas katastrofës së trefishtë, Japonia tregoi sesi një popull mund të bashkohet me solidaritet, durim, këmbëngulje e rezistencë. Udha për rifillimin e vërtetë mund të jetë akoma e gjatë, por gjithnjë e mundshme, sepse mund të shpresojë në shpirtin e këtyre njerëzve, të aftë për t’u mobilizuar, për  të mbështetur e për të ndihmuar njëri-tjetrin”.

Jemi një familje: nëse vuan njëri, vuajnë të gjithë

Në përfundim, ftesa e Françeskut drejtuar të gjithë japonezëve:

“Ecni përpara çdo ditë, pak nga pak, për të ndërtuar ardhmërinë e bazuar mbi solidaritetin dhe angazhimin reciprok, për ju, për fëmijët tuaj, për nipat e për breznitë, që do të vijnë”.

25 nëntor 2019, 13:50