Kërko

 Papa me anëtarët e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar Papa me anëtarët e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar 

Papa: teologjia nuk bën teori, por ndriçon faqet e Ungjillit

50-vjet pas krijimit, me dëshirën e Papës Pali VI, Komisioni Teologjik Ndërkombëtar e kremtoi përvjetorin në audiencë tek Papa Françesku: “Jeni të thirrur për të nxjerrë në dritë Ungjillin, duke hyrë në mes të fesë e kulturës”.

R. SH. - Vatikan

“Që teologjia lind e rritet ‘në gjunjë’, dihet nga të gjithë! Nuk është, pra, koncept i ri i magjisterit të Papës”. Françesku e rikujtoi këtë gjatë fjalimit, mbajtur teologëve të Komisionit Ndërkombëtar, që kremtuan së bashku me të një gjysëm shekulli pune, duke reflektuar se teologjia duhet të ketë “frymëmarrjen e Ungjillit”, larg abstragimeve, për ta ndihmuar misionin e Kishës, që feja të jetohet ditë për ditë.

Në katedrën e jetës

Këtë deshi Papa Montini, kur e themeloi Komisionin, më 11 prill të vitit ’69. Ideja kryesore - pohoi Papa Françesku, duke kujtuar edhe mesazhin e gjatë e të pasur me mendime, shkruar nga Benedikti XVI me këtë rast – ishte që puna e specialistëve të thirrur për të bërë pjesë në të, të krijonte “një urë të re ndërmjet teologjisë e magjisterit”, për të mos e humbur entuziazmin e stinës së frytshme të Koncilit. Një vend ballafaqimi, në të cilin larmitë e kulturave dhe të jetës kishtare, ta pasuronin misionin besuar nga Selia e Shenjtë Kongregatës për Doktrinën  e Fesë. Detyrë që - kujtoi Papa - vijon të jetë e vlefshme për pasardhësit e Henri de Lubac dhe të Karl Rahner:

“Keni, në ballafaqimin me Ungjillin, një mision krijues! Jeni të thirrur ta bëni të dalë në dritë Ungjillin. E ju vërtet ia vini mirë veshin, asaj që u thotë sot Shpirti Shenjt Kishave në kultura të ndryshme, për të ndriçuar aspekte gjithnjë të reja të misterit të pashterrshëm të Krishtit. E pastaj, ndihmoni edhe në hapat e para të Ungjillit; përgatisni udhët, duke ia shpjeguar fenë njeriut të sotëm, në mënyrë që secili të mund ta ndjejë më pranë Kishën e të ndjehet i përqafuar prej Saj, i marrë për dore kudo që ndodhet dhe i shoqëruar për të shijuar ëmbëlsinë e kerigmës dhe risinë e saj, që nuk njeh perëndim. Për këtë është e thirrur teologjia: nuk është hulumtim i bërë nga katedra për jetën, por mishërim i fesë në jetë”. 

 Lutje e vazhdueshme për të “përkthyer Zotin”

Përveç kësaj - ngulmoi Papa - teologu duhet të studiojë më shumë e t’i japë popullit të Zotit “ushqim të shëndetshëm për fenë”, duke e mbrojtur nga “diskutimet” e panevojshme e nga relativizmi, që mund të lindë nga diskutimi. Nëse Komisioni Teologjik dëshiron të jetë “model e nxitje” edhe për të ardhmen, për këdo që dëshiron t’u kushtohet edhe në të ardhmen këtyre studimeve, është e domosdoshme të ketë bindjen se:

“Vetëm një teologji e bukur, që ka respekt për Ungjillin e nuk kënaqet me anën funksionale, të tërheq! E për të bërë teologji të mirë, nuk duhen harruar kurrë dy përmasa. E para, jeta shpirtërore: vetëm në lutje të përvuajtur e të vazhdueshme, duke ia hapur zemrën Shpirtit Shenjt, mund të kuptohet e të përkthehet Fjala e Zotit dhe të bëhet vullneti i Atit. Teologjia lind e rritet në gjunjë! Përmasa e dytë është jeta kishtare: të ndjesh në Kishë e me Kishën! Teologjia nuk bëhet nga individët, por në bashkësi, në shërbim të të gjithëve, që vëllezërit e motrat e kohës së tyre ta provojnë shijen e mirë të Ungjillit, gjithnjë me ëmbëlsi e respekt”.

 

 

29 nëntor 2019, 13:45