Kuvendi "Promoting Digital Child Dignity" Kuvendi "Promoting Digital Child Dignity" 

Papa: të zhduket nga faqja e tokës çdo abuzim me të miturit

Fjalimi i gjatë i Papës para pjesëmarrësve në Kuvendin “Promovimi i dinjitetit të fëmijëve në internet”, që fillon sot, mund të përmblidhet në një thirrje të fortë për të gjithë shoqërinë që të mbrojë të miturit në botën dixhitale. Thirrjen më urgjente ua drejtoi kompanive të këtij sektori, që duhet të garantojnë sigurinë.

R.SH. - Vatikan

Për të frenuar abuzimet me të miturit, edhe në internet, duhet kaluar nga fjalët në vepra. Kështu foli sot Papa Françesku, në takimin me pjesëmarrësit e kuvendit ndërkombëtar të organizuar në Vatikan, për të diskutuar e për të gjetur zgjidhje, që respektojnë dinjitetin e të miturve në botën dixhitale. Të pranishëm, krerë fetarë, shkencëtarë, familje, komunikatorë dhe kolosë të internetit.

Roli i komunikatorëve

         Ati i Shenjtë denoncoi ritmet e shpejta të shtimit e të përhapjes së imazheve të abuzimit e të shfrytëzimit të të miturve, që kanë të bëjnë me forma gjithnjë e më të dhunshme dhe me fëmijë në moshë gjithnjë e më të njomë. Gjithashtu, vuri në dukje edhe “pasojat e rënda” të përhapjes së materialeve pornografike në internet, që ndikojnë rëndë në psiqikën e të miturve.

         “Nuk është kuptuar akoma – ngriti zërin Papa – e shpesh, nuk duan ta kuptojnë, sa e rëndë është çështja në tërësinë e saj dhe në pasojat për të ardhmen! Kjo nuk mund të arrihet pa aleancën e ngushtë me mediat, pra, me ju komunikatorët, që keni aftësinë të mobilizoni opinionin publik dhe shoqërinë. Me të drejtë, keni zgjedhur si temë të këtij takimi: ‘Nga koncepti tek veprimi’. Në fakt, nuk mjafton të kuptojmë, duhet të veprojmë. Dënimi moral i dëmeve, që u bëhen të miturve, për shkak të keqpërdorimit të teknologjive të reja dixhitale, duhet të shndërrohet në nisma konkrete dhe urgjente. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë rrënjoset e keqja e aq më e vështirë bëhet lufta kundër saj”.

Ekuilibër ndërmjet së drejtës për jetë private dhe sigurisë

         Ati i Shenjtë vërejti se problemi kryesor qëndron në “tensionin – i cili bëhet më pas kontradiktë – ndërmjet idesë së botës dixhitale si hapësirë lirie pa kufi të shprehjes dhe të komunikimit dhe asaj të përdorimit të përgjegjshëm të teknologjive e pra, edhe të kufizimeve të tyre. Me mbrojtjen e lirisë së plotë të shprehjes lidhet ideja e mbrojtjes së jetës private, me forma gjithnjë e më të sofistikuara të kriptimit të mesazheve, që e bëjnë shumë të vështirë e gati të pamundur çdo kontroll. Prandaj, duhet gjetur ekuilibri i përshtatshëm ndërmjet ushtrimit të ligjshëm të lirisë së shprehjes dhe interesit shoqëror për t’u siguruar se mjetet dixhitale nuk do të përdoren për veprimtari kriminale, në dëm të të miturve”.

Thirrje urgjente për kolosët e internetit

         Papa Françesku nënvizoi se “për të favorizuar zhvillimin e internetit, me përfitimet e tij të mëdha, kompanitë, që furnizojnë shërbimin, janë konsideruar për një kohë tepër të gjatë si furnizuese të thjeshta të platformave teknologjike e jo përgjegjëse për përdorimin e tyre, as ligjërisht, as moralisht. Potenciali i mjeteve dixhitale është i jashtëzakonshëm, por pasojat e mundshme negative të abuzimit të tyre në fushën e trafikut të njerëzve, në organizimin e terrorizmit, në përhapjen e urrejtjes dhe të ekstremizmit, në manipulimin e informacionit e – duhet të ngulim këmbë – edhe në fushën e abuzimeve me të miturit, mund të jenë njëlloj të konsiderueshme. Tani, më në fund, opinioni publik dhe legjislatorët e kanë kuptuar këtë”. E Papa u bëri thirrje kompanive të botës dixhitale:

         “Atyre u drejtoj sot thirrjen më urgjente që të jenë të përgjegjshëm përsa u përket të miturve, integritetit dhe të ardhmes së tyre. Pa përfshirjen e plotë të kompanive të sektorit, pa vetëdijen e plotë për pasojat morale dhe shoqërore të administrimit dhe të funksionimit të tyre, nuk do të jetë e mundur të garantohet siguria e të miturve në botën dixhitale. Ato duhet jo vetëm të respektojnë ligjet, por edhe të shqetësohen për drejtimet, në të cilat lëviz zhvillimi teknologjik dhe shoqëror i promovuar dhe i shkaktuar prej tyre, sepse ky zhvillim u paraprin faktikisht, ligjeve, që përpiqen të përcaktojnë normat për të”.

14 nëntor 2019, 12:21