Kërko

Papa: të varfërit na hapin portat e Qiellit. Ta dëgjojmë britmën e tyre!

Françesku, duke kremtuar dje Meshën me rastin e Ditës Botërore për të Varfërit, i nxiti të gjithë ta pranojnë britmën e tyre për ndihmë si thirrje për të dalë nga vetvetja. Nuk mjafton etiketa e katolikut ose e të krishterit, për të qenë të Krishtit. Duhet folur gjuha e tjetrit, që të shtyn drejt dashurisë pa hipokrizi.

R. SH. - Vatikan

Ishte kulmi i Ditës së djeshme kushtuar të varfërve, Mesha që Papa e kremtoi në Shën Pjetër. E në bankat e Bazilikës së Vatikanit dje ishin pikërisht ata, “thesari i Kishës”, të dashurit e vetë Zotit, portierët e Qiellit”, zemra që rreh fort e Papnisë së Françeskut. Të ftuar për të festuar në sofrën e Zotit, burra, gra e fëmijë, nga vende të ndryshme, me histori të ndryshme jete,  me barrë të ndryshme mbi shpatulla.  

Vetëm Zoti e i afërmi janë pranë nesh përgjithmonë

Duke e marrë shtytjen nga Ungjilli i ditës, në të cilin Jezusi paralajmëron se nuk do të mbetet as gur mbi gur nga Tempulli madhështor i Jeruzalemit, Papa i ftoi besimtarët të mos merren me punë të kota, por të shikojnë gjërat e rëndësishme. E më pas pyeti: “Pse Zoti lejon të shemben siguritë tona, ndërsa bota është gjithnjë më shumë e pasigurt?”. Përgjigjja është një e vetme;  e bën këtë, që ne të mund të mësohemi të dallojmë çka është vërtet e sigurt, çka i bën ballë kohës përgjithmonë. Heret a vonë të gjitha sendet, domethënë mbretëritë dhe ngjarjet njerëzore, luftërat, tërmetet, përmbytjet do të kalojnë, edhe po qe fjala për ngjarje të mëdha ose përfundimtare. Vetëm Zoti do të jetë përgjithmonë! Zoti e i afërmi që - pohoi Papa - vlejnë më shumë se të gjitha kronikat e botës.

Nxitimi nuk vjen nga Zoti

Nëse dëshiron ta dish çka vlen me të vërtetë – kujtoi Françesku - ruaju nga dy tundime. Së pari, nga nxitimi:

“Sipas Jezusit, nuk duhet t’i shkosh mbrapa atij, që të siguron se fundi është i shpejtë e se koha është fare pranë. Mos e ndiq, prandaj, atë që përhap alarme e që ushqen frikën nga tjetri e nga e ardhmja, sepse frika të paralizon zemrën e mendjen. E pra, sa herë  na josh dëshira për të ditur gjithçka, menjëherë. Sa herë mbushemi me kureshtje për të marrë vesh lajmet më shkandulluese, që nga rrëfimet më tronditëse, tek ulurimat e atij që këlthet me tërbim e thotë: ‘O sot, o kurrë!’. Po i gjithë ky ngut, kjo britmë që kërkon gjithçka e menjëherë, nuk vjen nga Zoti”.

I varfëri besdis

Të joshur  nga potera e fundit - vijoi Papa  - nuk kemi kohë për Zotin e për vëllezërit, që jetojnë pranë e pranë. Por ekziston një ilaç. Ngulmimi, dhuratë e Zotit, ku ruhen të gjitha dhuratat e tjera:

“Sa e vërtetë është sot! Të pushtuar nga mania për të vrapuar, për ta fituar gjithçka, menjëherë, ai që mbetet mbrapa të besdis. E të duket si hedhurinë; sa pleq, të posalindur, të gjymtuar, të varfër shikohen si njerëz të kotë, të panevojshëm. Shkohet përpara me nxitim, pa pyetur fare se hendeqet thellohen e pangopësia e një pale, shton varfërinë e shumëkujt.  T’i kërkojmë Zotit që secili nga ne e edhe Kisha të ngulmojë për të bërë mirë e të mos e humbasë kurrë nga sytë çka vlen me të vërtetë”.

Tundimi nga vetvetja

Tundimi i dytë, për t’u shmangur, është “vetvetja”, egoizmi, vetëvlerësimi,  përpjekja për t’i bërë gjërat vetëm që të dëgjosh  një ‘të lumtë!’. Papa nuk është dashamir i fjalës “unë” -  fjala që do, është “ti”. I krishteri  - qorton -  nuk është dishepull i vetvetes, nuk dëgjon sirenat e trilleve të veta, por zërin e dashurisë:

“Shumë do të vijnë në emër tim - thotë Zoti - por nuk duhen ndjekur: nuk mjafton etiketa ‘i krishterë a katolik’ për të qenë të Jezusit. Duhet folur gjuha e Jezusit, gjuha e dashurisë, gjuha e tjetrit, larg çdo hipokrizie. Bëj mirë, por vetëm e vetëm për t’u lavdëruar; dhuroj, por vetëm për të marrë, ndihmoj, por vetëm për t’u bërë pastaj mik me njerëz të rëndësishëm.  Kështu flet vetvetja, jo Zoti!”.

Dashuria nuk kalon kurrë

Dashuria është një nga gjërat e paracaktuara për të mos kaluar kurrë. Zoti është dashuri e të varfërit, që kërkojnë dashuri, na çojnë drejtpërdrejt te Zoti! Prej këndej Françesku e përfundoi homelinë, duke rikujtuar atë, që është baza e krishterimit:

“Të varfërit na e lehtësojë hyrjen në Qiell: prandaj ndjenja e fesë së Popullit të Zotit i shikon si portierë të Qiellit. Ata janë thesari ynë, thesari i Kishës. Kanë në vetvete pasurinë, që nuk plaket kurrë, atë që bashkon tokën me Qiellin, për të cilën ia vlen vërtet të jetosh: Dashurinë!”.

Pas Meshe - dreka, në Sallën e Palit VI. Me Papën Françesku në krye të sofrës, rrethuar nga mijëra të varfër, që nuk do ta harrojnë kurrë harenë e kësaj dite! E, sidomos, atë që nuk kalon kurrë: dashurinë e kësaj dite!

 

 

18 nëntor 2019, 14:11