2019.10.11 JESCOM - Laboratorio di educazione ai media per giovani cattolici in Vietnam 2019.10.11 JESCOM - Laboratorio di educazione ai media per giovani cattolici in Vietnam 

Papa të rinjve vietnamezë: ndërtoni një Kishë plot gjallëri e gëzim!

Françesku dërgon një videomesazh për Ditën e Rinisë, që u kremtua sot në dioqezën e Vietnamit Verior, me temë: “Shko në shtëpinë tënde, tek tuajt”. Të rinjve Papa u propozon trashëgiminë e martirëve vietnamezë, ndërsa u kërkon dëshmi të ndershme, të vetëdijshme e optimiste. Françesku lutet për 39 migrantët vietnamezë, të mbytur në Angli

R. SH. - Vatikan

“Mos kini frikë nga shkëlqimi i identitetit tuaj katolik!”. Këto fjalët me të cilat Papa i nxit të rinjtë vietnamezë, në një videomesazh për Ditën e Rinisë, organizuar në dioqezën veriore të Vietnamit, për të qenë  dëshmitarë të guximshëm të Ungjillit, sipas shembullit të martirëve, prindërve, gjyshërve, të cilët gjatë luftës humbën gjithçka, veç forcës dhe bukurisë së fesë. Papa kujton edhe 39 migrantët vietnamezë, që vdiqën  të rrasur në një makinë-frigorifer, me të cilën udhëtonin pa bukë e pa ujë, me shpresë se kështu do të mund të arrinin në jug të Anglisë. E arritën si njerëz prej akulli: “Histori tepër e dhimbshme, të lutemi për të gjithë” – ftoi Papa.

“Shko në shtëpinë tënde….”

Françesku rikujtoi temën e Ditës “Shko në shtëpinë tënde, tek tuajt!”,  duke u ndaluar fort tek fjala “shtëpi” e tek kuptimi që ka në kulturën vietnameze e në kulturat e tjera aziatike.  Fjala shtëpi ka një kuptim tejet të pasur, të ngarkuar me një mori emocionesh.

Shtëpi nuk do të thotë vetëm familje, farefis, por edhe atdhe, vendlindje, miq e dashamirë.

Shtëpi do të thotë gjithçka ka më për zemër njeriu!

Prej këndej, Papa u ndal edhe tek bukuria e traditave familjare në Vietnam, ku nderohen babai e nëna e të moshuarit trajtohen si shtyllat e shtëpisë!

“Shko në shtëpinë tënde” - pohon Françesku në mesazhin drejtuar të rinjve vietnamezë - do të thotë të kthehesh në zanafillën tënde.

Kthehu në shtëpi, do të thotë të thellosh trashëgiminë tradicionale e kulturore dhe ta pasurosh më tej atë.

Shko në shtëpinë tënde, do të thotë të rrethohesh me miq e dashamirë!

Shko në shtëpi, tek tuajt, do të thotë të rikthehesh edhe tek në shtëpi tjetër, tek Kisha jote!

Trashëgimtarë të një shtëpie tjetër, Kishës

Ndërsa i fton të rinjtë të mos i humbasin kurrë këto “thesare”, Papa ndalohet tek një trashëgimi tjetër, një tjetër shtëpi: tek Kisha, që duhet ruajtur e kujdesuar me entuziazëm misionar:

“Si të pagëzuar, pastaj, trashëgoni edhe një ‘shtëpi’ tjetër, më të madhe, Kishën. Kisha është shtëpi, shtëpia juaj. Jeni fatbardhë që lindët  në prehërin e një Kishe heroike, të pasur me dëshmitarë të ndritur. Mendoj për shenjtorët martirë vietnamezë. Për gjyshërit e prindërit, që vuajtën nga lufta, duke humbur gjithçka patën, përveç fesë, që jua transmetuan si trashëgimin më të çmuar. Ja pra, tek kjo Kishë mund të ktheheni kurdoherë e të merrni forcë e frymëzim për fenë tuaj; këtu mund të formoni ndërgjegjen tuaj me dinjitet; këtu secili prej jush mund të gjejë udhën e jetës, sipas thirrjes së Zotit”.

Shumica pret kumtimin e Ungjillit

Tema e ditës nuk është vetëm ftesë për t’u kthyer. Shtëpi nuk do të thotë një vend i mbyllur, as i kufizuar. Shtëpi do të thotë edhe udhë, shtegtim misionar!

“Mos harroni se jeni ende pakicë në mes njerëzve tuaj. Eshtë ende një shumicë, që ka të drejtë e që pret të dëgjojë kumtimin e Ungjillit. Mandati i Krishtit është akoma urgjent për ju, sot! Tani ju takon ju detyra ta ndërtoni një Kishë-shtëpi-të re e gazmore, plot me jetë e vëllazërim. E unë uroj që përmes dëshmisë suaj mesazhi shëlbues i Zotit, të arrijë në zemrat e fqinjve tuaj e të bashkatdhtarëve tuaj. Gjithnjë dëshmi, kurrë prozelitizëm”.

Ndershmëri, përgjegjësi, optimizëm!

Për ta kryer më mirë këtë detyrë, Papa u sugjeron të rinjve tri karakteristikat e dëshmisë: “Ndershmëri, përgjegjësi, optimizëm!”. Kështu mund t’i qëndrojnë gjithnjë besnikë identitetit e fesë së tyre, në gjirin e një shoqërie botërore, të udhëhequr nga materializmi. E ndonëse ndershmëria mund të kërkojë shumë flijime, mos harroni kurrë - u kujton - se është vlerë, që Kisha dhe shoqëria e kërkojnë gjithnjë nga të rinjtë. Mos kini frikë ta bëni të shkëlqejë identiteti juaj i bukur katolik! Kjo do t’ju bëjë edhe më patriotë, më vietnamezë: do t’ju ushqejë një dashuri të madhe për atdheun tuaj, do t’ju bëjë më atdhedashës:

“Duajeni shtëpinë tuaj - i fton Papa vietnamezët - me një ftesë që duket sikur u drejtohet mbarë të rinjve të botës - Duajeni popullin tuaj, duajeni vendin tuaj. Jini vietnamezë të vërtetë, plot me dashuri për mëmëdheun!”.

20 nëntor 2019, 14:48