Kërko

Vatican News

Papa: të ndërtosh ura me atë që ka Besojmë të ndryshme, nuk është kurrë agresion

Në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku nxiti për hapjen e një shtegu ndërmjet Ungjillit dhe botës pagane, ashtu si pati bërë Shën Pali në Areopagun e Athinës, i frymëzuar nga altari kushtuar “hyjit të panjohur”, e duke e parë botën pagane me sytë e fesë, jo të armiqësisë.

R. SH. - Vatikan

Ftesë e fuqishme për të hedhur ura me kë nuk beson, a ka fe tjetër nga jona, kjo e Papës Françesku, sot paradite, në katekizmin e audiencës së përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit. U frymëzua nga Shën Pali, Ati i Shenjtë, e nga predikimi i tij në Areopagun e Athinës, domethënë, në Logun e Kuvendit. Apostulli zjen përbrenda vetes, duke e parë qytetin përplot me idhuj, por kjo “ndeshje” me paganizmin, në vend që ta bëjë të ikë nga sytë këmbët, e nxit të krijojë një urë, për të dialoguar me këtë kulturë - vërejti Papa - duke vijuar, kështu, “shtegtimin e tij” pas Apostujve, në Librin kushtuar "Punëve" të tyre.

Mesazhi i fesë duhet inkulturuar me delikatesë

Pali shkon në vendet më të spikatura, më simbolike: në sinagogë, në Shesh, në Areopag, ku zhvillohej jeta politike e kulturore. Nuk mbyllet brenda vetes, por takohet me të gjithë: judenj, epikurenj, stoikë e shumë e shumë të tjerë. Nuk e shikon Athinën dhe botën pagane me syrin e kundërshtarit,  por me syrin e fesë:

“T’i kërkojmë edhe ne sot Shpirtit Shenjt të na mësojë të ndërtojmë ura me kulturat e atyre, që nuk besojnë, ose kanë besojmë të ndryshme nga jona. Të ndërtojmë gjithnjë ura, gjithnjë me dorën e shtrirë, pa agresion. T’i lutemi të na bëjë të aftë ta inkulturojmë me delikatesë mesazhin e fesë,  duke i shikuar ata, që nuk dinë asgjë për Krishtin, me shikim kundrues, që i  ngroh edhe zemrat më të ngurta”.

Kjo e Palit është, pra, një sjellje që - nënvizoi Papa - na bën ta pyesim veten për mënyrën si i shikojmë qytetet tona: me indiferencë, me përbuzje, apo me fenë, që i  njeh bijtë e Zotit edhe në mes të turmave paemër:

“Pali e shikon botën pagane me syrin, që e shtyn të hapë një shteg. Në zemrën e njërit nga institucionet më në zë të botës së lashtë, në Areopag, ai jep një nga shembujt më jashtëzakonshëm të inkulturimit të mesazhit të fesë: ua kumton Jezu Krishtin adhuruesve të idhujve, e këtë nuk e bën duke i sulmuar, por duke u bërë ‘urë’, ndërtues urash”.

Pali kumton “Të Panjohurin e Njohur”

E mori shtytjen nga një altar pagan, që qe ngritur në qytet, Pali. Mbi të nuk kishte asnjë shtatore. Binte në sy vetëm kushtimi: “hyjit të panjohur”. Ai kushtim e nxiti t’u kujtojë dijetarëve athiniotë, se “Zoti nuk fshihet”. E se ai ishte aty, pikërisht për t’ua kumtuar atë Zot, që e adhuronin, pa e njohur”: niset, pra, nga feja biblike në Zotin e zbulesës, për të arritur tek ringjallja e tek gjyqi i mbramë, domethënë, tek mesazhi tipikisht i krishterë. E, mbi këtë bazë, u kujton shpërpjestimin ndërmjet madhështisë  së Krijuesit, në kërkim të vazhdueshëm, që secili të mund ta gjejë - e tempujve të ngritur nga dora e njeriut. Apostulli kumton pra  “Atë, që njerëzit nuk e njohin” - shpjegoi Françesku - duke cituar, më pas, shprehjen e bukur të Benediktit XVI: “Kumton të Panjohurin e Njohur”. “Ua kumton atyre, që nuk e njohin, por që e njohin”.  Pali i fton athiniotët të bëjnë kthesë, duke  pranuar kerygmën, domethënë, kumtimin e Ungjillit. Por kur arrin në këtë pikë, predikimi i tij, që deri në atë çast i pati lënë të gjithë pa frymë, ndesh në shkëmb, sepse “vdekja dhe ngjallja e Krishtit, që dëgjuesve u duket marrëzi, shkakton zhurmë, tallje e përqeshje”. Atëhere Pali largohet, ngaqë e kupton se përpjekja e tij kishte dështuar. Ndonëse gjithë ai kumtim i zjarrtë, nuk mund të mos prekte asnjë zemër. Disa e pranuan fenë e kumtuar nga Pali. Dionisi, anëtar i Areopagut, për shembull, e edhe Damaris, një grua që e kish ndjekur  me zemër në dorë fjalën e Apostullit. Kështu, në përfundim, edhe në Athinë Ungjilli nisi  vrapin me dy zëra, atë të këtij burri e atë të kësaj gruaje.

T’ia hapim zemrën atij, që troket në portën tonë

Gjatë përshëndetjeve, drejtuar shtegtarëve të gjuhës arabe, Papa i nxiti që përballë vuajtjeve të kohës sonë, t’i luten Zotit të na i hapë zemrat, për t’iu përgjigjur nevojave të njerëzve të varfër, të pambrojtur, të papunë, të gjithë atyre, që trokasin në portën tonë, në kërkim të bukës, të strehës, të pranimit të dinjitetit të tyre”.

Duke përshëndetur shtegtarët polakë, kujtoi se të dielën e ardhshme, në Poloni, do të kremtohet Dita XI e Solidaritetit me Kishën e Persekutuar, organizuar nga “Ndihmë për Kishën që Vuan”, së bashku me Konferencën ipeshkvnore polake, kushtuar sivjet Sudanit të Jugut. Papa uroi që lutjet dhe veprat e solidaritetit t’i lehtësojnë zemrat e vëllezërve,  të cilët vuajnë për Krishtin në vende të ndryshme të botës.

Së fundi, u kujtoi shtegtarëve italianë se muaji nëntor u kushtohet të vdekurve. Rast i përshtatshëm - theksoi - që duhet të na shtyjë të mendojmë për kuptimin e jetës: jetës tokësore e, sidomos, asaj të amshuar, që të mund ta kuptojmë, kështu, se jeta ka vlerë të madhe, nëse jetohet si dhuratë!

06 nëntor 2019, 13:35