Kërko

Papa Françesku pre në audiencë presidentin e Republikës së Lituanisë, Gitanas Nauseda Papa Françesku pre në audiencë presidentin e Republikës së Lituanisë, Gitanas Nauseda 

Papa takon presidentin e Lituanisë. Nauseda: “faleminderit që ndërtoni ura ndërmjet feve”

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, u prit sot në audiencë nga Papa Françesku, të cilit i dhuroi një libër lutjesh, shkruar nga burgjet në Siberi, dhe një pemë-simbol të vendit të tij.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot në audiencë presidentin e Republikës së Lituanisë, Gitanas Nauseda. “Është nder i madh të jesh këtu”, pohoi kreu i shtetit, që u prit së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët. Delegacioni i dhuroi Atit të Shenjtë një libër me lutje shkruar nga lituanezja Adele Dirsyte, gjatë viteve të burgut në Siberi. Për Papën, edhe një skulpturë e vogël, që paraqet një pemë-simbol të vendit. “Përfaqëson Lituaninë – theksoi presidenti – Rrënjët janë të forta e duam të vazhdojmë të rritemi, pavarësisht nga vështirësitë”.

         Nga ana e tij, Papa Françesku i dhuroi Nausedës dhe gjithë familjes, një medaljon, ku pasqyrohet Sheshi i Shën Pjetrit në vitin 1657. “Ju jam mirënjohës – i tha së fundi, presidenti lituanez Atit të Shenjtë – për impenjimin tuaj në ndërtimin e urave ndërmjet feve”.

         Nauseda u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, i cili shoqërohej nga Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher.

         “Gjatë bisedimeve – njofton Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë – u fol mbi marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe mbi kontributin e Kishës në shoqërinë lituaneze, gjatë historisë së vuajtur të vendit dhe para sfidave aktuale shoqëroro-ekonomike. U trajtuan edhe disa tema me interes të përbashkët, si promovimi i familjes, mikpritja dhe drejtësia shoqërore. Gjithashtu, u fol për disa tema me karakter rajonal e ndërkombëtar, si paqja dhe siguria, konflikti në Ukrainë, si edhe u nënvizua nevoja për solidaritet më të madh ndërmjet kombeve evropiane në përballimin e sfidave të ndryshme të kontinentit”.

08 nëntor 2019, 14:38