Papa takohet me ipeshkvijtë e Azisë Papa takohet me ipeshkvijtë e Azisë 

Papa ipeshkvijve: misioni nuk është strategji, por “nuhatje” e Shpirtit Shenjt

Në Shenjtëroren kushtuar martirit tajlandez Nicolás Bunkerd Kitbamrung, Papa Françesku i ftoi ipeshkvijtë vendas dhe të Federatës së Konferencave Ipeshkvnore Aziatike (FABC) të kenë “shikimin dhe nuhatjen” e ungjillëzuesve, që nuk u frymëzuan kurrë nga planet e strategjitë, por gjithnjë e gjithkund, nga veprimi e Shpirtit Shenjt.

R. SH. .- Vatikan

Jeni Kishë e vogël, por “e pamolepsur nga kompleksi i inferioritetit, Kishë që nuk u ankua kurrë se nuk po e pranojnë”. Ishte një brohori, kjo, nga ana e Papës. Shprehje e admirimit për një bashkësi katolike, që nuk ka forcën e numrave, por forcën e fesë të të vegjëlve, e, posaçërisht, kujtesën e rrënjëve, që lindin nga martirizimi. Papa i shqiptonte këto fjalë para platesë, prej nga e ndiqnin ipeshkvijtë tajlandezë dhe të të gjithë Azisë,  gjë që i krijoi mundësinë të reflektonte për kuptimin e misionit, parë me sytë e bariut, ashtu siç kishte bërë pak më parë me klerin, rregulltarët e seminaristët.

Çdo kulturë është e përshtatshme për Ungjillin

Takimi me ipeshvijtë zhvillohej disa dhjetra metra larg të mëparshmit, në Shenjtëroren kushtuar kujtimit të të Lumit Nicolás Bunkerd Kitbamrung, prift i Bangkokut, vdekur më 1944 nga tuberkulozi, sëmundje që e mori në burg ku - në kulmin e luftës franko-indokineze - qe vënë në pranga i akzuar si spiun, vetëm e vetëm pse ishte meshtar katolik, aso kohe mision  i papranueshëm në këto vise. Me të Françesku u kujtoi ipeshkvijve edhe  misionarët e parë që - pohoi - "na prinë me guxim, me gëzim e me një rezistencë të jashtëzakonshme”. Me forcën e tyre - shtoi Ati i Shenjtë- mbeten  pasqyrë për ungjillëzuesit e sotëm:

“Nuk kërkuan vise, që u krijonin kushtet për të pasur sukses; përkundrazi: garancia e tyre ishte siguria se asnjë njeri e asnjë kulturë nuk është e paaftë për të marrë farën e jetës, farën e lumturisë e, sidomos, farën e miqësisë që Zoti dëshiron të na e dhurojë. Nuk pritën që ndonjë kulturë të ishte e ngjashme ose të përshtatej lehtë me Ungjillin, përkundrazi, u zhytën në ato realitete të reja, të bindur nga bukuria që mbartnin me vete. Me bindjen se çdo jetë vlen para syve të Mësuesit”.

“Hundë” misionari

Së bashku me ipeshkvijtë tajlandezë, Papën e ndiqnin edhe përfaqësuesit e FABC, organizëm federativ i Konferencave i ipeshkvnore aziatike, që vitin e ardhshëm do të mblidhen në asamblenë e tyre të përgjithshme, me rastin e 50-vjetorit të themelimit. Ky - kujtoi Papa - do të jetë rast i mirë për t’u kthyer e për t’i vizituar këto shenjtërore, ku ruhen rrënjët misionare të këtyre trojeve. Toka me bukuri të madhe, por edhe me varfëri të të gjitha natyrave, që Papa i kujtoi edhe një herë një nga një, duke nisur nga shfrytëzimi, trafiku i njerëzve, droga, flukset e migrantëve. Të gjitha, shqetësime baritore që, më shumë se për strategji, kanë nevojë - pohoi -  të jenë në sintoni me Shpirtin Shenjt:

“Më pëlqen të vë në dukje se misioni, para se të jetë veprimtari për t’u realizuar a projekt në zhvillim, kërkon shikim e ‘nuhatje’ për t’u edukuar; kërkon shqetësim atëror e amtar, sepse delja humbet, kur bariu e numëron si të humbur, kurrë më parë”.

Delja e kthyer në vathë

E këtu Papa pushoi pak, për të kujtuar një ngjarje të ndonjë muaji më parë, kur një misionar francez, prej 40 vjetësh në veri të Tajlandës, shkoi ta takojë në Vatikan, me një grup prej ndonja 30 vetësh, etër e nëna  familjesh, me moshë mesatare 25 vjeç:

“Ai vetë e kish pagëzuar brezninë e parë, e tani po pagëzonte fëmijët e tyre. Ndokush mund të mendojë: e humbi jetën për 50 a 100 vetë, i mbolli këto farë… E pastaj? Pastaj Zoti e ngushëllon duke e bërë të pagëzojë  fëmijët e atyre, që i pati pagëzuar më përpara. Ishin banorë vendas të Tajlandës… po ai  e jetoi këtë çast si pasuri për Ungjillëzimin. Kështu nuk e quajti të humbur asnjë dele. Përkundrazi, i ktheu të gjitha rishtas në vathë”.

Ndërmjet njerëzve, jo mbi piedestal

Një nga pikat më të bukura të ungjillëzimit - kujtoi Françesku - është të kuptosh se misioni i besuar nga Kisha nuk është vetëm të shpallësh Ungjillin, por edhe ta mësosh tjetrin t’i besojë Ungjillit e t’i prish në udhën e  shndërrimit prej tij:

“Një kishë në shtegtim, që del në rrugë pa frikë, për t’u takuar me njerëzit  që iu besuan, është e aftë t’ia hapë përvujtërisht zemrën Zotit e ta jetojë me Zotin mahnitjen e aventurës misionare, pa pasur nevojë, të vetëdijshme a të pavetëdijshme, për ta nxjerrë në pah vetveten, duke u marrë me kush e di se çka, ose duke pretenduar kush e di se ç’vend të shquar”.

Të shikosh veprimin e Zotit në popull

Françesku e vijoi bisedën me ipeshkvijtë, duke skicuar portretin e bariut: “Njeri që, para së gjithash, e do me gjithë shpirt popullin e vet, ia njeh virtytet e veset, forcën e ligështinë. Bari i thirrur t’i dojë meshtarët e vet jo si gjykatës, por si atë”.

Misioni - kujtoi akoma Papa - nuk është punë që i takon vetëm klerit dhe njerëzve të kushtuar:

“Nuk duhet ta harrojmë faktin se shumë nga trojet tuaja u ungjillëzuan nga laikët. Ata patën mundësinë t’u flasin njerëzve në dialektin e tyre, ushtrim i thjeshtë, i drejtpërdrejtë i inkulturimit jo teorik, as ideologjik, po fryt i pasionit për ta gëzuar së bashku praninë e Krishtit. Të mos e humbasim hirin për ta parë Zotin që vepron në mes të popullit të vet: ashtu si bëri më parë, siç bën përsëri e si do të  vijojë të bëjë”. 

22 nëntor 2019, 12:24