Papa takohet me Kryeptarikun budist Papa takohet me Kryeptarikun budist 

Papa takohet me Kryepatrikun Budist: fetë të promovojnë paqen e vëllazërimin!

Takim nën shenjën e respektit, miqësisë e nderimit ndërmjet katolikëve e budistëve: kjo, atmosfera e krijuar në tempullin Wat Ratchabophit Sathit Maha Simaram të Bangkokut gjatë takimit të Papës me Kryepatrikun e Budistëve Somdet Phra Ariyavongsatanana IX. “T’i ofrojmë botës - theksoi Papa - një fjalë shprese, të aftë për t’i inkurajuar e për t’i mbështetur të gjithë ata, që dëmtohen më shumë nga përçarjet”.

R. SH. - Vatikan

Nderimi në tempullin e Bangkokut, ishte nderim për “popullin e buzëqeshjes”. Këtu, në shtëpinë historike të murgjërve tajlandezë, që përfaqëson burimin e budizmit, Françesku foli fjalë plot nderim për udhën e përbashkët të nisur nga Papët paraardhës, por edhe për atë, që u bë vitet e fundit “në shërbim të paqes”. Udhë e hapur për të ndërtuar akoma së bashku “kulturën e mëshirës, të vëllazërimit e të takimit”. Papa, duke folur në gjuhën spanjolle, ftoi kështu për të vijuar ecjen në udhën e respektit, pavarësisht nga ndryshimet, duke pasur mirë parasysh se fetë janë “fanarë shprese, sepse nismëtare e garante të vëllazërimit”.

Populli i buzëqeshjes

Në vijim Françesku vuri në dukje tiparet e këtij populli që, në Tempullin Mbretëror, gjen një nga simbolet më të rëndësishme të kulturës dhe të vlerave tajlandeze:

“Duke shuar etjen në burimet e budizmit shumica e tajlandezëve mësuan ta çmojnë kohën, t’i nderojnë të moshuarit, të jetojnë një jetë të thjeshtë, të bazuar mbi kundrimin, shkëputjen nga kotësitë, punën e disiplinën: karakteristika që përbëjnë  tiparin  tuaj më të spikatur, aq sa të quheni ‘popull i buzëqeshjes’”.

Në fjalimin e tij Papa kujtoi miqësinë me bashkësinë budiste dhe hapat e bëra nga Papët paraardhës, duke nisur nga Pali VI, që pati pritur në Vatikan, pothuajse 50 vjet më parë, Kryepatrikun e 17-të Somdej Phra Wanarat(Pun Punnasiri), së bashku me një grup të rëndësishëm murgjërish budistë. “Ishte - kujtoi Françesku - një kthesë tejet e rëndësishme në zhvillimin e dialogut ndërmjet traditave tona fetare” . Qe, pastaj, Gjon Pali II - kujtoi akoma Papa - që e vizitoi këtë tempull, duke thelluar dialogun ndërmjet dy palëve. Papa kujtoi edhe një vizitë të kohëve të fundit të murgjërve të Tempullit Wat Phon në Vatikan, si dhe dhuratën që sollën: përkthimin e një dorëshkrimi të lashtë budist në gjuhën pali, i cili sot ruhet në Bibliotekën vatikanase.

Kultura e takimit është e mundshme

“Këto hapa të vegjël”- shpjegoi Françesku - tregojnë se kultura e takimit është e mundshme:

“Kur kemi mundësi të njihemi e të vlerësohemi, edhe pse ndryshojmë, i flasim botës një fjalë shprese, e cila i inkurajon dhe i mbështet të gjithë ata, që dëmtohen më shumë nga përçarjet. Mundësi si kjo na kujtojnë sa rëndësi ka që fetë, si nxitëse e garantuese të vëllazërimit, të jenë  fanarë shprese”.

Papa vuri në dukje, në vijim, se Tajlanda i mikpret të krishterët e se kjo udhë miqësie e mirëkuptimi, e nisur prej vitesh, do të vijojë.

Përshëndetja e Patrikut

Miqësi, nderim e respekt ishin fjalët kryesore, që i drejtoi Patriku Papës, duke e quajtur këtë takim “ngjarje me rëndësi të madhe historike, që dëshmon miqësinë e fortë e të mrekullueshme të Kishës katolike me sagkha-në budiste tajlandeze”. Pastaj rikujtoi edhe vizitën e Gjon Palit II tek Patriku i mëparshëm, 35 vjet më parë, duke i quajtur të dy krerët e feve “njerëz të mirë e liderë të shenjtë”:  

“Asokohe të dy ishin liderë të feve tona  që - shpjegoi kreu budist - kanë që të dyja si qëllim  formimin e një njerëzimi, që përhap mirësjelljen e vërtetë dhe dashurinë ndaj  çdo krijese të gjallë: ideal vërtet unik”.

 “Françesku, mik i vërtetë i popullit tajlandez” - e quajti Patriku budist Papën, duke kujtuar më pas,  edhe reliket e shumta, dhuruar në të kaluarën mbretit e mbretëreshës nga Papët, parë si dëshmi e gjallë e miqësisë  ndërmjet dy feve.

Kisha në ndihmë të Tajlandës

Patriku, duke folur lirisht, vlerësoi lart edhe sjelljen e Kishës katolike,  që vjen për të ndihmuar, jo për të pushtuar. E Françesku iu përgjigj se prozelitizimi është i ndaluar. Në se jemi vëllezër - shtoi Papa - mund e duhet ta ndihmojmë paqen, të varfërit e të vuajturit në botë, sepse t’i ndihmosh të varfërit është gjithnjë udhë bekimi”.

 

21 nëntor 2019, 12:41