Papa japonezëve: lutem që të mos shpërthejë kurrë më forca shkatërrimtare e armëve bërthamore

“Të përdorësh armë bërthamore është imorale”. Ky, qortimi i fortë i Papës Françesku në videomesazhin spanjisht drejtuar popullit japonez, pak ditë para arritjes në vendin aziatik. Papa kërkon të mbrohet jeta e të punohet për paqen e sigurt, që i bën ballë kohës. “Kur është e vërtetë - pohon - nuk zmbrapset: mbrohet me thonj e me dhëmbë”.

R. SH. - Vatikan

Imoraliteti i përdorimit të armëve bërthamore dhe vlera e paqes së sigurt, që nuk kthehet mbrapa! Këto, fjalët kryesore të videomesazhit të Papës Françesku drejtuar popullit japonez, në prag të nisjes së tij për shtegtimin e 32-të apostolik, që do të nisë në Tajlandë e do të vijojë në Japoni. Në Vendin e Lindjes së Diellit do të jetë nga 23 deri më 26 nëntor. Kryesore, ndërmjet fjalëve të tij, fjala “jetë”, që tingëllon fuqimisht edhe në temën e kësaj vizite: “Të mbrohet e gjithë jeta!”. Ky instinkt i fuqishëm, që e kemi të gjithë në zemër e që na nxit ta mbrojmë dinjitetin e çdo njeriu,  fiton një vlerë të veçantë përballë kërcënimeve kundër bashkëjetesës paqësore, që duhet të përballojë sot bota, posaçërisht në ndeshjet e armatosura - nënvizon Papa - duke kujtuar vuajtjet e shkaktuara nga lufta, që vendi i njeh mirë, e duke ngritur përsëri fuqimisht zërin kundër përdorimit të armës atomike:

“Së bashku me ju lutem që forca shkatrrimtare e armëve bërthamore të mos shpërthejë kurrë më në historinë e njerëzimit. Të përdorësh armë bërthamore, është imorale!”.

Uroj të nisë një udhë, që të çon tek paqja, pa zmbrapsje

E pikërisht “kultura e dialogut”, e vëllazërimit, posaçërisht ndërmjet traditave të ndryshme fetare, është ajo, që mund të ndihmojë për t’i kapërcyer përçarjet, për të thelluar respektin ndaj dinjitetit njerëzor e për të  ecur përpara në zhvillimin e gjithanshëm të popujve:

“Besoj se vizita ime do t’ju inkurajojë në udhën e respektit të anasjelltë e të takimit, që çon drejt paqes së sigurt, të qëndrueshme në kohë, të  paprapësueshme. Kjo është bukuria e paqes: kur është e vërtetë, nuk zmbrapset: mbrohet me thonj e me dhëmbë”.

Të fuqizohet mbrojtja e jetës, edhe e shtëpisë së përbashkët

Të mbrosh jetën, do të thotë  të mbrosh gjithësinë. Në videomesazh, Papa Françesku nënvizon se do të ketë rastin të vlerësojë edhe “bukurinë e madhe të natyrës së Japonisë”. Do të shprehë, kështu, dëshirën e përbashkët për mbrojtjen e jetës, e cila përfshin edhe tokën, shtëpinë tonë të përbashkët, që kultura japoneze e simbolizon aq bukur me qershitë në lulëzim. Së fundi siguron se do të lutet dhe i falënderon të gjithë ata, që po punojnë për këtë vizitë, me shpresë se ditët e kaluara së bashku  “do të jenë plot me hir e hare”.

Shtegtimi Apostolik në Japoni

Vizita e Françeskut në viset, që të kujtojnë shpërthimin e bombës atomike, në Hiroshimë e Nagasaki, e, një ditë më pas, takimi me viktimat e katastrofës së trefishtë të Fukushimës, në vitin 2011, dëshmojnë qartë vëmendjen e Papës për këto tema. Në kryeqytetin japonez  Ati i Shenjtë do të takohet privatisht edhe me perandorin Naruhito. Më pas, me të rinjtë, me kryeministrin si dhe me autoritetet dhe trupin diplomatik. Përveç  kremtimit të Meshëve gjatë vizitës së tij në këtë vend, ditën e fundit Papa do të vizitojë Sophia University, ku do të ketë disa takime. Së fundi, ceremonia e lamtumirës dhe nisja për Romë, ku do të arrijë pasditën e 26 nëntorit.

 

18 nëntor 2019, 12:30