Kërko

Takimi i Papës me priftërinjtë, rregulltarët, seminaristët në Famullinë e Shën Pjetrit Takimi i Papës me priftërinjtë, rregulltarët, seminaristët në Famullinë e Shën Pjetrit  Editorial

Atje ku shumëkush shikonte mëkatarë e keqbërës, Jezusi pa apostuj

Si kumtohet Ungjilli? Duke u nisur nga shikimi pozitiv, me të cilin i shikonte Nazareni njerëzit që takonte. Kështu foli Françesku për misionin dhe inkulturimin, gjatë ditës së tij të tretë në Tajlandë.

R. SH. - Vatikan

“Atje ku shumëkush shikonte vetëm mëkatarin, blasfemuesin,  tagrambledhësin, keqbërësin, e deri tradhtarin, Jezusi ishte i aftë të shikonte apostuj! E kjo është bukuria e syve të Atij, i cili na fton të kumtojmë shikimin që shndërron e bën të dalë nga tjetri ç’ka më të mirë në shpirtin e tij”. Këto fjalë, që mishërohen në dëshminë e jetuar nga shumë të krishterë në të katër anët e Botës, janë themelore për ta kuptuar misionin e Françeskut, në ditën e  tij të tretë në Tajlandë. Papa u ndal tek shikimi hyjnor i Jezusit, duke folur me meshtarët, rregulltarët, rregulltaret seminaristët e katekistët, në famullinë e Shën Pjetrit të Wat Roman a Tha Kham, një katund pak kilometra larg Bangkokut.

Jezusi ka sy, që i shpartallojnë të gjitha determinizmat, të gjitha fatalizmat, të gjitha skemat, sepse misioni, para se të jetë veprimtari për t’u kryer a projekt për t’u realizuar, kërkon shikim, për të bindur e edhe nuhatje, për të edukuar. Misioni kërkon edhe shqetësim atëror e amtar, sepse delja humbet vetëm pasi bariu e quan të humbur, jo përpara.

Pasojë e këtij shikimi dashamirës, është inkulturimi, tipik për misionin e krishterë, i aftë për të vlerësuar gjithçka duhet vlerësuar në kulturat dhe  traditat e popujve të ndryshëm. Sepse secili e ka një traditë të vetën. “Zoti - u tha Papa rregulltarëve - nuk na thirri për të na dërguar në botë, që t’u imponojmë njerëzve detyrime, as që t’u ngarkojmë barrë edhe më të rënda, se ato që ua ngarkon mbi shpinë jeta! Zoti na dërgon të ndajmë së bashku  një gëzim të ri, një horizont të bukur, një hapësirë mahnitëse. Nuk duhet pasur frikë, prandaj, nga inkulturimi i Ungjillit, gjithnjë më shumë, gjithnjë më thellë. Duhen kërkuar forma të reja, për ta transmetuar fjalën e duhur, atë që ta tund shpirtin e të ringjall dëshirën për ta njohur Zotin, duke e lënë Ungjillin t’i zhveshë petkat e mira, por të huaja, për të ritingëlluar me muzikën e  këtij vendi, në këtë tokë, e për të na e bërë të dridhemi nga e njëjta bukuri, që  na e ndezi shpirtin”.   

 

 

22 nëntor 2019, 16:42