Kërko

Papa Françesku është në Tajlandë

Pas gati njëmbëdhjetë orë udhëtimi, Papa arriti në aeroportin e Bangkokut, ku u prit nga autoritetet politike dhe fetare të vendit. Menjëherë pas, u nis drejt nunciaturës për të drekuar e edhe për të pushuar, pas një shtegtimi kaq të gjatë e të lodhshëm. Takimet e para do të nisin nesër, në Pallatin e Qeverisë e më pas, në strehën historike të murgjërve tajlandezë dhe të Kryepatriarkut të tyre.

R. SH. - Vatikan

Nisi, me arritjen në Bangkok rreth orës 12.02 (06.02 në Itali), shtegtimi i 32-të apostolik i Françeskut: shtegtim impenjativ, që do të zgjasë deri më 23 nëntor në Tajlandë e, më pas, në Japoni, deri më 26. Të përforcojë grigjën e vogël të besimtarëve në fe, të mbështesë dialogun dhe takimin ndërfetar, të mbrojë paqen, jetën, ambientin – këto, vijat udhëheqëse të Pasardhësit të Shën Pjetrit që, në të dy vendet, shkel mbi gjurmët e paraardhësit, Gjon Palit II.

Programi i vizitës në Bangkok

Për ta pritur Françeskun në aeroportin e Bangkokut, kishte dalë një anëtar i Këshillit të Kurorës dhe gjashtë nga autoritetet më të larta të vendit, së bashku me ipeshkvijtë dhe 11 fëmijë me kostume tipike tradicionale, përfaqësues të dioqezave të pranishme në këto troje, ku katolikët janë pak më shumë se 300 mijë. Një grup i vogël prej tyre e përshëndeti Papën  në dalje nga aeroporti, prej nga u nis me automobil drejt nunciaturës, për të ngrënë drekën, për të pushuar dhe për të kremtuar, pasdite, privatisht, Meshën. Për ta pritur në aeroport, kishte dalë edhe e kushërira, motër Ana Rosa Sivori, 77 vjeçe, rregulltare saleziane, që këto ditë do të jetë edhe përkthyesja e Papës gjatë disa takimeve në trojet tajlandeze.

Papa në Tajlandë, motër Ana Rosa: ardhja e Papës këtu, dhuratë e veçantë  

Takimet dhe fjalimet e para, 8 vetëm në etapën tajlandeze, do të nisin nesër, më 21 nëntor, kur në Itali orët do të shënojnë tre pas mesnate. Papa do të pritet në Governmental House për Ceremoninë e mirëseardhjes, nga kryeministri, gjeneral Prayuth Chan-ocha. Këtu do të mbajë fjalimin e parë, përpara autoriteteve, shoqërisë civile dhe trupit diplomatik. Pastaj, takimi i parë ndërfetar i këtij shtegtimi, me Kryepatriarkun e budistëve, Somdej Phra Maha Muneewong, në banesën historike, domethënë në tempullin Wat Ratchabophit Sathit Maha Simaram e, rreth orës 4.50 me orën italiane, do të shkojë në St.Louis Hospital, themeluar nga katolikët në vitin 1898, sot qendër e famshme mjekësore, për t’u takuar personalisht me një grup të sëmurësh. Dita e parë, e ngarkuar me veprimtari e Françeskut në Bangkok, do të  vijojë pasdite me vizitën private tek Mbreti dhe Meshën e parë, në Stadiumin Kombëtar të Bangkokut, që mund të zërë më se 65 mijë vetë.

E premtja, 22 nëntor, do të jetë  ditë kushtuar kryesisht takimit me meshtarët, rregulltarët, seminaristët, katekistët e, pastaj, me ipeshkvijtë tajlandezë dhe aziatikë, që do ta presin Papën në famullinë e Shën Pjetrit  dhe në Kishën e Shenjtërores, kushtuar të Lumit Nicolas Bunkerd Kitbamrung. Dy takimet e fundit të ditës do të jenë me liderët e krishterë dhe me ata të feve të tjera, kur në Itali ora do të jetë 9.20 e mëngjesit. Më pas, Mesha Shenjte me të rinjtë, në katedralen e Zojës së Ngjitur në Qiell, në Bangkok. Më 23 nëntor, nisja drejt Japonisë.

Logoja e shtegtimit: mision e kumtim!

E vogël, por shumë aktive, bashkësia katolike që e pret Françeskun në Tajlandë e që jep një ndihmesë të shquar në gjirin e shoqërisë, posaçërisht në fushën edukative. Për t’u theksuar, roli i saj në dialogun ndërfetar dhe në kumtimin e Ungjillit, gjë që pasqyrohet qartë edhe në Logon shoqëruese të kësaj etape të shtegtimit të  Françeskut në Tajlandë. Bie në sy në të, një kryq me tre vela, simbol i Trinisë Shenjte, që u prin misionarëve, dhe një barkë, simbol i kumtimit, mbajtur nga dora e Zojës, së cilës misionarët ia besojnë vetveten gjatë shtegtimeve të largëta. Brenda kornizës, edhe rrethanat historike, në të cilat kryhet ky shtegtim papnor: 350 vjetori i vikariatit apostolik të Siam (sot Tajlandës), themeluar më 1669. Misionarët e parë, që zunë vend në këto troje, ishin domenikanët portugezë, të ndjekur pas nga françeskanët dhe jezuitët, me një qëllim të vetëm: të shpallin Lajmin e Mirë!

20 nëntor 2019, 11:31