Mbretëria e Tajlandës
R. SH. - Vatikan
Tajlanda, shtet në juglindjen aziatike, në veriperëndim kufizohet me Mianmarin; në verilindje me Laosin; në juglindje me Kamboxhian; në jug, me Gjirin e Tajlandës dhe Malezinë, në perëndim, me detin e Andamane.
Kryeqyteti: Bangkok (8. 833.400 banorë)
Sipërfaqja: 513.115 km2
Popullsia: 65.522.000 banorë
Dendësia: 128 banorë/km2
Gjuha: thai
Grupet kryesore etnike: thai(97,5%), birmanë (1,3%)
Feja: budistë Theravada(95%), myslimanë(4%), katolikë(0,59%)
Forma e qeverisjes: Monarki kushtetuese
Monedha: baht (1,00 EUR= 33,49THB)
Pjesëmarrja në Organizatat Ndërkombëtare: APEK, ASEAN, OKB, vëzhguese në OAS, vëzhguese në OCI, WTO.
E njohur deri në vitin 1939 me emrin Siam, Tajlanda (“Toka e të lirëve) është i vetmi komb në juglindjen aziatike, që nuk iu nënshtrua sundimeve koloniale, ndonëse pati lidhje të ngushta tregtare me holandezët dhe anglezët. Rreth shekullit XIX nisi procesi i modernizimit të vendit, gjë që e bëri Mbretërinë e Siamit të dilte nga shekujt e izolimit. Nën Mbretin Rama II (1824-1851) u nënshkruan traktate tregtare me Shoqërinë Britanike të Indive Lindore e, gjatë Mbretërimit të Ramës IV, u ndje fort afrimi me të gjitha vendet perëndimore. Në vitin 1932, nën Ramën VII, vendi u shndërrua në monarki kushtetuese, lidhur ngushtë me forcat e armatosura, me rol të dorës së parë në jetën politike të vendit, sidmos në kohën e krizës, që nisi me hyrjen në skenën politike të manjatit Thaksin Shinawatra, lider i partisë populiste Thai Rak Thai (Partia e Thai, atyre që duan Thai-Trt), që u zgjodh kryeministër në zgjedhjet e viteve 2001 e 2005. Me reformat e tij në favor të shtresave më të varfëra të popullsisë, fitoi simpatinë e të fundmëve, por edhe armiqësinë e klasave të pasura, gjë që çoi në organizimin e një grushti ushtarak shteti, mbështetur edhe nga Mbreti Rama IX.
Pas fundit të Trt dhe daljes nga skena e Shinawatra-s, që u internua një herë e më pas edhe u dënua për korrupsion, vendi humbi stabilitetin, gjendje që vijoi gjatë, me referendume e ndeshje ndërmjet forcave politike.
E klasifikuar nga Banka Botërore si vend emergjent, falë investimeve të huaja dhe krahut të lirë të punës, vitet e fundit vendi nisi të zhvillohet me ritme të shpejta, aq sa të quhet “tigri i pestë i Azisë”. Ky zhvillim, që u favorizua sidomos nga eksportimi i lëndëve të para, si druri, gurët e çmuar, goma e orizi, me të cilat vendi është shumë i pasur, nuk zgjati shumë. Tajlanda u prek thellë nga kriza e tregjeve aziatike e viteve 1997-1998 si dhe nga tcunami i vitit 2004.
Pasi u kapërcyen këto çaste kritike, ekonomia vijoi zhvillimin edhe në kushtet e mungesës së stabilitetit të vendit. Një nga kufizimet kryesore të këtij zhvillimi, është shpërndarja e pabarabartë e pasurisë, si në planin territorial (zona e kryeqytetit dhe zonat turistike janë shumë më të pasura se pjesa tjetër e vendit e posaçërisht fshatrat), ashtu edhe në atë shoqëror. Thellohet gjithnjë më shumë përqendrimi i pasurisë në pak duar, gjë që shkakton pakënaqësi të thellë në klasat e përjashtuara. Sot Tajlanda ka 4,9 milion emigrantë, që përbëjnë 10% të krahut të punës. Kohët e fundit vendi akuzohet nga pjesa më e madhe e agjencive ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për fenomene, që lidhen me trafikun dhe skllavërimin e njerëzve, posaçërisht në tregun e seksit. Në vitin 2019 numri i viktimave të trafikut arriti shifra rekord.