Kërko

2018-06-30 Papa Francesco cena poveri in Vaticano 2018-06-30 Papa Francesco cena poveri in Vaticano 

Papa: Shpresa e të varfërve nuk do të zhgënjehet kurrë

Të dielën mё 17 nëntor, tё Dielën e 33-tё XXILI gjatё vitit kishtar, në ora 10.00 paradite në bazilikën e Shën Pjetrit, nё Vatikan, Papa do të kremtojë Meshën me rastin e Ditës Botërore të të varfërve, me temë “Shpresa e të varfërve nuk do të zhgënjehet kurrë”.

R.SH. - Vatikan

Të dielën mё 17 nëntor, tё Dielën e 33-tё XXILI gjatё vitit kishtar, në ora 10.00 paradite në bazilikën e Shën Pjetrit, nё Vatikan, Papa do të kremtojë Meshën me rastin e Ditës Botërore të të varfërve. Kёshtu njofton Salla e Shtypit e Selisё së Shenjtë.

Kujtojmё se Dita Botërore e të varfërve u themelua nga Papa Françesku, me Letrën apostolike “Misericordia et misera”, botuar më 21 nëntor 2016, në përfundim të Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës. Pra, Dita Botërore e të Varfërve, është Ditë e dëshiruar shumë nga Papa Françesku, në përfundim të Jubileut të Mëshirës, me qëllim që e gjithë bashkësia e krishterë dhe njerëzore të ftohet t’u zgjasë dorën të varfërve, të ligshtëve, burrave e grave, që u mohohet dinjiteti njerëzor.

Të Dielën e 33-të të vitit liturgjik, mё 17 nёntor, kur do tё kremtohet Dita e tretë Botërore e të varfërve, shumë të varfër, tё shoqëruar nga veprimtarët e shoqatave e të grupeve tё Kishave famullitare, do tё marrin pjesë në Meshën qё do tё kremtohet pёr këtë rast nga Papa Françesku, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, si edhe në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në mesditë.

Shpresa nuk do të zhgënjehet

 Qershorin e kaluar u bë i njohur Mesazhi i Papës Françesku për Ditën e të Varfërve, me temë “Shpresa e të varfërve nuk do të zhgënjehet kurrë”. Ati i Shenjtё Françesku kujton se feja arrin të ngulitë në zemrën e të varfërve një “të vërtetë të thellë”: “u kthen shpresën e humbur para padrejtësive, vuajtjeve dhe pasigurisë së jetës”. Mendimi i Papës shkon veçanërisht tek burrat, gratë, të rinjtë, fëmijët, viktimat e skllavërive të reja, që i bëjnë ata emigrantë, jetimë, të pastrehë e të mënjanuar. Varfëria nuk kërkohet, por krijohet nga egoizmi, mendjemadhësia, lakmia dhe padrejtësia. Prandaj, veprat në favor të të varfërve, këshillon Ati i Shenjtë, mund të bëhen jo vetëm në bashkëpunim me njerëzit e fesë, por edhe me të gjithë ata, që besojnë në solidaritetin njerëzor: “Janë të panumërta iniciativat, që ndërmerr çdo ditë bashkësia e krishterë, për të dhënë një shenjë afërsie dhe lehtësimi për format e shumta të varfërisë, që i kemi para syve.

Për të krishterët, çështja e varfërisë është qendrore. Papa Bergoglio nënvizon: “nëse duam të takohemi me të vërtetë me Krishtin, është e nevojshme që ta prekim Atë në trupin plot plagë të të varfërve”. Ndihma për ta nuk mund të jetë e rastësishme, është pjesë e jetës së të krishterëve, të cilët duhet ta dëgjojnë britmën e të varfërve e të impenjohen në favor të tyre. Sipas Papës Françeskut tek të varfërit duhet të shohim edhe atë varfëri ungjillore, e cila nuk duhet humbur, e natyrisht, nuk i bën njerëzit ta humbasin dinjitetin e jetës. Në këtë kuptim, të varfërit nuk janë problem, janë pasuri, që duhet përdorur për të pranuar e jetuar thelbin e Ungjillit.

07 nëntor 2019, 19:45