Papa gjatë takimit me të rinjtë Papa gjatë takimit me të rinjtë 

Nënë Tereza, në takimin e Papës me të rinjtë: “Jo çka kam, por për kë jetoj”.

Duke u takuar me të rinjtë japonezë, Papa Françesku kujtoi përsëri shembullin dhe porositë e Nënë Terezës, që mbeten gjithnjë aktuale, ashtu si figura e Shenjtores Shqiptare.

R. SH. - Vatikan

Duke u takuar me 900 të rinj japonezë, që e pritën me këngë gëzimi në Katedralen e Shën Marisë, në Tokio, e i dhuruan një kimono të shkurtër,  Papa, siç bën shpesh, kujtoi shoqërinë e zhvilluar, nga jashtë mahnitëse, por nga  brenda, pa pikën e gjallërisë, e pushtuar nga një mërzitje e padurueshme, që shpesh të shtyn deri në vetëvrasje. Me burra e gra, që kanë harruar të vënë buzën në gaz! Që nuk mrekullohen kurrë. Me zemër, që u ka pushuar së rrahuri. Sa njerëz në botë janë materialisht të pasur, por jetojnë si skllevër, të zhytur në një vetmi që vret! Mendoj për vetminë e një mori të rinjsh e të rriturish, që jetojnë në shoqëritë tona të pasura - pohoi Papa - për të kujtuar, më pas përsëri Nënë Terezën e me të, “varfërinë shpirtërore” të botës së kamur, të cilën ajo e quante varfëria më e tmerrshme.

Vetmia të bën ta ndjesh veten të padashur” - vijon t’i kujtojë njerëzimit Murgesha e madhe shqiptare, e me të, edhe Papa, nga Japonia e largët, ku  Shën Nënë Tereza la gjurmë të pashlyeshme. E që aty, vijon t’u bëjë thirrje të rinjve të mendojnë mirë çka vlen më shumë në jetë:

“Duhet menduar se gjëja më e rëndësishme nuk është pasuria që kam a që mund të kem, por me kë mund ta ndaj. Nuk ka rëndësi të lodhesh duke menduar e duke pyetur veten pse jetoj, por për kë jetoj!”-  u rikujtoi Papa të rinjve japonezë porosinë e Nënë Terezës.

E ne po kujtojmë  lutjen e Shenjtores shqiptare, nga qielli, për të rinjtë e botës e edhe për ne të gjithë:

“Lutja ime për secilin prej jush

është që të jeni vetëm të Jezusit nëpërmjet shën Marisë…

T’i kërkojmë Zojës sonë të na japë zemrën e saj,

kaq të papërlyer, kaq të pastër për ta dashur Jezusin

që të bëhemi të denjë për ta marrë Jezusin

nëpërmjet bukës së jetës

dhe pamjes së çpërfytyruar të të varfërve”.

25 nëntor 2019, 12:26