Kërko

Vatican News
Grurë Grurë  (Pavlofox)

Papa për WFP-në: askush nuk përjashtohet nga lufta kundër shpërdorimit ushqimor

Në fillim të sesionit të dytë të zakonshëm të Programit Botëror të Ushqimit (WFP), mesazhi i Papës Françesku për pjesëmarrësit: një ftesë e fuqishme për të bashkuar, pa humbur kohë, mundësi dhe ide, që të arrihet një stil jetese, i cili i jep ushqimit rëndësinë që meriton, si fryt i Tokës Nënë, i domosdoshëm për të ardhmen e njerëzimit.

R.SH. - Vatikan

Kontrasti ndërmjet shpërdorimit të ushqimeve, nga njëra anë, dhe urisë, nga ana tjetër, ndërmjet kulturës së hedhurinave dhe stileve të jetesës, që respektojnë vlerën e ushqimit, është në qendër të mesazhit të Papës për Programin Botëror të Ushqimit (WFP). Ati i Shenjtë ia dërgon mesazhin drejtorit ekzekutiv, David M. Beasley, në krye të organizatës kryesore humanitare të Kombeve të Bashkuara, që impenjohet të ndihojë me ushqime në raste emergjence, si edhe punon për përmirësimin e mënyrës së të ushqyerit në të gjithë botën.

Paradoksi i bollëkut, për shkak të neglizhencës dhe të egoizmit

         Papa e dërgon këtë mesazh në fillim të sesionit të dytë të zakonshëm të Komitetit Ekzekutiv të organizatës, së cilës i vë në dukje objektivin: formulimin e nismave konkrete për të luftuar urinë dhe shpërdorimet, që “rëndojnë gjithnjë e më shumë në ndërgjegje”. Ati i Shenjtë thekson pengesën e madhe për sigurimin e ushqimit, atë që shën Gjon Pali II e quante “paradoksi i bollëkut”, i cili vë ballë për ballë ata, që nuk kanë ushqim të mjaftueshëm dhe të shëndetshëm, me ata, që e shpërdorojnë ushqimin. “Paradoksi - shkruan Bergoglio - nënkupton mekanizma të sipërfaqshme, neglizhencë dhe egoizëm: bazat e kulturës së hedhurinave. Nëse nuk e njohim këtë dinamikë dhe nuk përpiqemi ta ndalojmë, do të jetë e vështirë të respektohen impenjimet e Marrëveshjes së Parisit për ndryshimin e klimës dhe të realizohen Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Agjendës 2030 të Kombeve të Bashkuara”.

Përgjegjësi e të gjithëve

         Secili, kujton Papa, e jo vetëm qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare, ka “përgjegjësinë” për të arritur objektivat e caktuara në nivel botëror. Françesku përmend familjet dhe shkollat, që duhet të edukojnë dhe ta rrisin vetëdijen për këtë, prandaj, nënvizon Ati i Shenjtë, “askush nuk përjashtohet” nga lufta kundër një kulture, “që shtyp kaq shumë njerëz, veçanërisht të varfërit dhe të brishtët e shoqërisë”.

Shpërdorimi i ushqimit cënon jetën dhe pengon përparimin

         Në mesazh, Papa flet për fushatën globale të Programit Botëror të Ushqimit, “Ndal mbetjeve ushqimore”, duke theksuar se “shpërdorimi i ushqimit dëmton jetën e shumë individëve dhe pengon përparimin e popujve”. Për një të ardhme, që nuk lë pas askënd, pohon Françesku, duhet një e tashme, që e refuzon shpërdorimin e ushqimit. Ati i Shenjtë bën një thirrje të fuqishme: “të gjithë, pa humbur kohë, duke bashkuar mundësi dhe ide, mund të vendosim një stil jetese, i cili i jep ushqimit rëndësinë që meriton. Ky stil i ri jetese ka të bëjë me vlerësimin e dhuratave të Tokës Nënë e do të ndikojë mbi gjithë njerëzimin”.

Roli i Kishës

         Në fjalët e Papës nënvizohet edhe bashkëpunimi i Kishës Katolike me WFP-në në promovimin e “solidaritetit ndërmjet njerëzve, sepse çdo njeri ka të drejtë të ketë ushqim të shëndetshëm dhe të vazhdueshëm”.

“Do të doja  - përfundon Ati i Shenjtë - që kjo fushatë t’i ndihmojë të gjithë ata, të cilët vuajnë nga pasojat e varfërisë në ditët tona dhe, të dëshmojë se sa herë që njeriu vihet në qendër të vendimeve politike dhe ekonomike, konsolidohet paqja dhe stabiliteti ndërmjet kombeve dhe rritet kudo mirëkuptimi, themeli i përparimit të vërtetë njerëzor”.

18 nëntor 2019, 14:02