Kërko

Papa për Festivalin e Veronës: punoni për vëllazërimin

Pjesëmarrje e madhe dhe shumë nisma, planifikuar për edicionin e nëntë të Festivalit të Doktrinës Shoqërore të Kishës Katolike, në Verona të Italisë. Në videomesazhin e tij për këtë rast, Papa Françesku i fton të gjithë të rindërtojnë strukturën shoqërore. “Për të zgjidhur problemet - nënvizon ai - nuk duhen administratorë të mëdhenj, por bashkim në impenjimin për të mos u dorëzuar para indiferencës”.

R.SH. - Vatikan

Thurni një ind shoqëror, në të cilin prania bëhet dhuratë, që e bën të shkëlqejë bukurinë e vëllazërimit. Kështu thotë Papa Françesku në viedomesazhin, dërguar pjesëmarrësve në edicionin e nëntë të Festivalit të Doktrinës Shoqërore të Kishës Katolike, i cili filloi sot e do të përfundojë më 24 nëntor, në Verona të Italisë.

Të pranishëm, të afërt, të bashkuar

Ati i Shenjtë përmend temën e këtij viti, “Të jemi të pranishëm, polifonia shoqërore”, dhe reflekton gjatë mbi kuptimin e “pranisë”. Prani, pohon ai, do të thotë t’i rrish afër dikujt, ta shoqërosh, të mos e lësh vetëm, ta bësh të ndiejë atë ngrohtësi njerëzore, që e gjallëron jetën.

“Të jesh i pranishëm do të thotë t’i mbash sytë hapur për të mos lejuar që ndokush t’i ikë vështrimit tonë. Kush nuk shikohet, bëhet pjesë e aradhes së padukshme të njerëzve të mënjanuar, të varfër, të hedhur, të shfrytëzuar. Të mos i shohësh, është mënyra më e shpejtë për të shmangur problemet; por, ata ekzistojnë e, megjithëse bëjmë sikur nuk i shohim, aty janë. Të jesh i pranishëm do të thotë ta marrësh ti iniciativën, të hedhësh hapin e parë, të shkosh drejt tyre, të arrish në udhëkryqin ku gjenden të përjashtuarit e shumtë. Është bukur të mendosh për një prani të madhe, që banon kudo, që sjell ëmbëlsi dhe vepron si tharmi në brumë”.

Shumë fytyra e vështrime për të takuar

 Papa përvijon kuptimin e pranisë, përmes tri foljeve: të shohësh, të ndalesh dhe të prekësh. “Të shohësh” është gjithmonë hapi i parë, edhe kur çka shohim mund të na trembë, ose të na bëjë të ikim dhe ta mohojmë gjendjen, por shërben gjithnjë për të dalë nga vetvetja. Pasi të kemi parë, vazhdon Ati i Shenjtë, duhet të ndalemi, sepse nxitimi nuk na lejon t’i shikojmë shumë nga fytyrat e gjendjet.

“Sa njerëz, vetëm shumë vonë në jetë, e kuptojnë se kanë vrapuar dhe se nuk kanë pasur kurrë kohë të ndalen dhe të luajnë me fëmijët e tyre, të bisedojnë me prindërit e moshuar, të kujdesen për të dashurit, të tregohen të gatshëm për të ndihmuar. Kur e do dikë, ndien dëshirën e fortë të rrish me të dhe të mos vraposh për diku tjetër”.

Mos u dorëzoni para indiferencës

Por, vetëm kur e prek tjetrin, i shlyen përfundimisht distancat. Ftesa për të qenë të pranishëm për të tjerët, me ëmbëlsi dhe dialog, sipas fjalëve të Papës, arrin tek të gjithë dhe ndihmon për të thurur sërish indin shoqëror, duke e shpluhuruar bukurinë dhe forcën e të qenit popull.

“Për të zgjidhur problemet nuk ka nevojë për administratorë të mëdhenj, ose për njerëz të fortë, por për bashkim në impenjimin që të mos dorëzohemi para indiferencës. Secili, me cilësitë dhe me dhuratat e veta, mund të bëhet ndërtues vëllazërimi. Bota ndryshon jo kur bën mrekulli dikush, por kur të gjithë bëjnë atë që duhet, çdo ditë. Ndryshimi i qëndrueshëm fillon gjithnjë nga poshtë, nuk është kurrë vetëm operacion nga lart”.

Endës të indit shoqëror

Në këtë këndvështrim, bëhen të rëndësishëm e të çmuar ata, që më parë refuzoheshin dhe gjykoheshin: të varfërit, të sëmurët, të moshuarit, fëmijët, punëtorët, profesionistët, të diturit dhe injorantët.

“Është urgjente të mos i vihet fre lirisë për të bërë mirë. Vendi ynë ecën përpara, sepse shumë njerëz, në heshtje, jetojnë me ndershmëri, punojnë, janë solidarë, kujdesen për nevojtarët. Uroj që të gjithë ju, pjesëmarrës në Festivalin e nëntë të Doktrinës Shoqërore të Kishës, të jeni endës të asaj pëlhure shoqërore, ku prania bëhet dhuratë, që e bën të shkëlqejë bukurinë e vëllazërimit”.

21 nëntor 2019, 20:35