Kërko

33.jpg

Papa për ata, që birësojnë emigrantët: humanitet i fshehur, në mbrojtje të jetës

Libri “Më parë të fundmit” mbledh histori njerëzish, që nuk i mbyllën sytë para dramës së migracionit. Letra e Papës Françesku drejtuar autorit: “Ekziston një humanitet i fshehur - shkruan Ati i Shenjtë - që përditë mbron jetën në çdo rast, që preket dhe mallëgjehet, që meriton të njihet”.

R.SH. - Vatikan

“Më parë të Fundmit”, libër i botuar nga Paolinet, nuk është koleksion i bukur me histori jetësh e as shkrim i ndonjë bamirësi të bindur. Por, pa dyshim, është thirrje e ëmbël dhe e fuqishme njëkohësisht, për përgjegjësinë që ka secili prej nesh ndaj vëllezërve, ndaj atij njerëzimi të plagosur, të rraskapitur e të dhunuar, që shpesh, mbërrin në Evropë nga deti. Do të mjaftonte leximi i dedikimit (kujt i kushtohet libri) dhe i letrës së Papës Françesku për autorin - Rino Canzoneri - që 230 faqet e librit të shfletoheshin pa menduar për polemikat, që aq shpesh i shoqërojnë zbarkimet e emigrantëve në brigjet e vendeve perëndimore, në kërkim të një jete më të mirë.

Ndërgjegjja dhe Ungjilli

Dedikimi i librit duket sikur ngul një heshtë të përvëluar në ndërgjegjen e secilit, me atë frazë kaq pak “politikisht korrekt”:

“Për të gjithë ata, që vdiqën gjatë kalimit nëpër shkretëtirë dhe në Mesdhe; për ata, që kanë pësuar dhe pësojnë dhunë në kampet e paraburgimit dhe në burgjet e Libisë. Askush nuk do të mundë të na falë që nuk ju shpëtuam, që nuk ju ndihmuam të jetoni me dinjitet”.

Ndërkaq, fjalët e Papës Françesku për autorin, Rino Canzoneri, kanë ngjyrat e shpresës. Falënderim për punën e gazetarit, i cili i “jep zë – shkruan Ati i Shenjtë - asaj pjese të realitetit që, falë Zotit, është akoma më e përhapura, realiteti i atyre, që nuk i dorëzohen indiferencës”:

“Në një kohë si kjo në të cilën jetojmë, karakterizuar nga polarizimi, nga thjeshtëzimet mediatike, nga tituj ‘bombastikë’ gazetash, që mund ta pasqyrojnë gabim realitetin, nga parullat boshe dhe - fatkeqësisht - nga shumë lajme të këqija, jam i sigurt se puna e tij do të jetë një puhizë ajri i pastër: do të bëjë shumë mirë! Nisma e tij është rasti për t’i dhënë zë edhe asaj pjese të realitetit që, falë Zotit, është akoma më e përhapura: realiteti i atyre që nuk i dorëzohen indiferentizmit”.

Letra e Françeskut përshkon edhe versetet e Ungjillit, duke na kujtuar Fjalët e Krishtit, që nganjëherë harrohen nga disa, por jetohen thellësisht nga shumë të tjerë:

“Është bukur dhe ngushëlluese të dihet se kaq shumë njerëz vënë në jetë fjalët e Jezusit, që i lexojmë në kapitullin 25 të Ungjillit sipas Mateut, ato fjalë, që më pëlqen t’i quaj ‘protokolli’, mbi bazën e të cilit do të gjykohemi të gjithë: ‘Pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë’”.

Protagonistët e librit

         Nuk janë heronj protagonistët e “Më parë të Fundmit”, por e kompromentojnë veten e jetën e tyre. Si? Duke e parë në sy problemin, pyesin çfarë mund të bëjnë dhe vendosin t’u japin një dorë atyre, që kërkojnë ndihmë. Në ç’mënyrë? Duke birësuar “fëmijë pak muajsh, mbërritur vetëm, sepse nënat e tyre e humbën jetën në det”, ose “fëmijë të braktisur nga gra të reja të dhunuara”; duke bërë çmos “për t’u siguruar një të ardhme të rinjve në gjendje të vështirë”, ose duke mbështetur “migrantët e rinj deri sa të arrijnë objektivat e ëndërruara”. Formula për të dhënë sërish shpresë e jetë “pa u kthyer nga ana tjetër”, siç thotë nëntitulli i librit, ka shumë, ashtu siç janë shumë historitë, emocionet dhe gëzimet e përmbledhura në këto 230 faqe, të cilat, njëra pas tjetrës, na ftojnë të shpresojmë, sepse humaniteti nuk ka vdekur dhe një botë tjetër, më e mirë, nuk është utopi.

11 nëntor 2019, 18:04