Kërko

 Papa në avion me gazetarët Papa në avion me gazetarët 

Papa në avion, me gazetarët: bëjini të njohura në Perëndim këto kultura të largëta

Avioni, që e çonte Papën Françesku në Tajlandë, etapë e parë e shtegtimit të tij të 32-të apostolik, u shkëput nga aeroporti i Fiumicinos në orën 19.15. Arriti në Bangkok në orën 12.30 me orën vendase, 6.30 me atë italiane. Sot nuk parashikohen takime zyrtare. Papa do të jetë në Tajlandë deri më 23 nëntor, datë kur do të vijojë shtegtimin e tij apostolik në drejtim të Japonisë.

R. SH. - Vatikan

Papa tashmë është në Tajlandë, etapa e parë e shtegtimit të tij të 32-të apostolik, i katërti në Azinë lindore, që do të përfundojë në Japoni. Gazetarëve, që ishin me të në avion, para se t’i përshëndeste personalisht, u tha:

“Mirëmbrëma e faleminderit për shoqëriminm në këtë udhëtim. Ju falënderoj për punën tuaj. U bën shumë mirë njerëzve të informohen, t’i njohin këto kultura, që janë larg Perëndimit”.

Në shtegtim, drejt një bote të largët

Avioni papnor u nis në orën 19.15, me një çerek ore vonesë, nga aeroporti i Fiumicinos. Arriti në Bangkok në orën 12.30 me orën vendase (6.30 në Itali). Në aeroportin romak Papa, para se të ngjitej në avionin  e Alitalias, një Airbus A330, i pagëzuar me emrin “Giovanni Battista Tiepolo”, përshëndeti autoritetet civile e fetare, që kishin dalë për ta përcjellë.  Pastaj, si zakonisht, me çantën e zezë  në dorën e  majtë, ngjiti shkallët për të hyrë në avion. Para se të hynte, u përshëndet me komandantin e avionit, Alberto Colautti dhe asistentët e fluturimit, që po e prisnin. Së fundi, u kthye nga autoritetet e pranishme në tokë për një përshëndetje.

Para nisjes, takimi me dhjetë të moshuar

Para se të nisej, Papa u takua, në Shën Martë, me dhjetë të moshuar, të strehuar nga Motrat e Vogla të të Varfërve në San Pietro in Vincoli. Grupi shoqërohej nga Lëmoshtari papnor, kardinali Konrad Krajewski.

 

20 nëntor 2019, 12:14