Audiencë në Vatikan për studentët dhe profesorët e Lumsa, Universiteti i Lirë i Zojës së ngjitur në Qiell Audiencë në Vatikan për studentët dhe profesorët e Lumsa, Universiteti i Lirë i Zojës së ngjitur në Qiell 

Papa, në takim me Lumsa-n: mos u mjaftoni me një botë ku ndryshimet janë konflikt

Audiencë në Vatikan për studentët dhe profesorët e Lumsa, Universiteti i Lirë i Zojës së ngjitur në Qiell, në vitin e 80-të të themelimit. Nxitja e Papës: punoni me mendje, zemër e duar, mos u mjaftoni me partiturën aktuale, me mendimin hegjemonik, me një botë, ku ndryshimet janë konflikt.

R.SH. - Vatikan

Ishin 6 mijë sot, studentët dhe profesorët e universitetit katolik romak Lumsa në Sallën Pali VI, në një takim festiv me Papën Françesku, në 80-vjetorin e themelimit nga Luigia Tincani. Tetëdhjetë vjet më parë qëllimi i këtij institucioni - theksoi rektori Francesco Bonini në përshëndetjen e tij - ishte të bëhej një institucion shërbimi, që fillon nga njeriu dhe arrin tek njeriu. E, akoma më shumë, nënvizoi Ati i Shenjtë në fjalën e tij, misioni i universitetit në një botë të globalizuar, plot kontradikta dhe të fragmentuar, duhet të jetë ky dhe duhet të mbështetet në punën “serioze, krijuese, artizane, e cila kalon nëpër mendje, zemra e duar”.

Çfarë është universiteti katolik?

         Për Papën Françesku, të jesh universitet katolik do të thotë të kesh mirë parasysh katër lloj përgjegjësish. Dy të parat kanë të bëjnë me koherencën dhe me besnikërinë ndaj rrënjëve të krishtera, si edhe me përgjegjësinë kulturore e misionare para botës:

         “‘Çfarë është universiteti? Cila është detyra juaj?’ - pyeste Papa Benedikti XVI, duke iu drejtuar universitetit më të vjetër në kryeqytet (La Sapienza). E përgjigjej kështu: ‘Mendoj e mund të themi se origjina e vërtetë, intime e universitetit qëndron në dëshirën për njohuri, karakteristike për njeriun. Ai dëshiron të dijë çfarë është gjithçka rreth tij. Ai dëshiron të vërtetën’. Nuk duhet të kemi frikë ta përdorim këtë fjalë, në frymën e dialogut të sinqertë. E vërteta, liria, e mira: në këtë drejtim i uroj universitetit tuaj të jetë në gjendje të ofrojë një mësimdhënie, në të cilën, krahas njohurive kurrikulare, të ketë hapësirë për formimin e gjithanshëm të njeriut”.

Përgjegjësia shoqërore dhe ndëruniversitare

         Së treti, Papa Françesku vuri në dukje përgjegjësinë shoqërore të universitetit katolik e, së fundi, edhe atë ndëruniversitare, që do të thotë bashkëpunim me atenejtë e Evropës, sidomos me ato katolike, për një formim intelektual, që mbështetet mbi të vërtetën e nuk mjaftohet me nivele mediokër:

         “Të gjithë ju, studentë, profesorë dhe drejtues të bashkësisë universitare, ju inkurajoj t’i hapni zemrat dhe mendjet. Të mos mjaftoheni - ju studentë, para së gjithash – me rezultatet aktuale, me mendimin në dukje hegjemonik, me një botë, ku ndryshimet janë konflikt. Ta ndjeni ambicien e shëndetshme për të shtuar diçka origjinale, që të jetë njëkohësisht konkrete dhe e dobishme. Ju të rinj, mos kini frikë të jeni kërkues me pedagogët, të cilët për të qenë profesorë të vërtetë duhet të jenë edhe dëshmitarë. Dhe ju, pedagogë, mos kini frikë të jeni kërkues me studentët, në mënyrë që ata të shprehin ç’kanë më të mirë nga vetja”.

14 nëntor 2019, 13:32