Kërko

 Papa duke kremtuar lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa duke kremtuar lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa në lutjen e Engjëllit: të shumtë janë Shenjtorët e portës pranë nesh

Në solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve, Papa kujtoi dëshmitarët e shumtë, që “jetojnë pranë nesh e janë pasyrim i pranisë së Zotit”.

R. SH. - Vatikan

Sot, kur paralajmërohej shi me rrëshekë, qielli u hap mbi Sheshin e Shën Pjetrit, duke krijuar atmosferën plot dritë e kaltërsi, që përkonte mrekullisht me simbolikën e Festës së Shenjtorëve, për të cilën foli  Papa.

Solemniteti i Gjithë Shenjtorëve - ishin fjalët e para drejtuar nga Françesku besimtarëve të shumtë, që mbushnin plot Sheshin - na kujton se të gjithë jemi të thirrur  për shenjtëri. Shenjtorët e shenjtoret, që i kremtojmë sot së bashku, nuk janë thjesht simbole, qenie njerëzore të largëta, të paarritshme - pohoi - Përkundrazi, janë njerëz, që jetuan me këmbë në tokë:

“Provuan të përditshmen e jetës, me sukseset e dështimet e saj, duke e gjetur në Zotin, forcën për t’u ngritur gjithnjë në këmbë e për ta vijuar rrugën”.

Nga kjo - vijoi Papa - kuptohet se shenjtëria është cak, që nuk mund të arrihet vetëm me forcat tona, por fryt i hirit të Hyjit dhe i lirisë sonë për t’iu përgjigjur. Është dhuratë, pra, shenjtëria, dhuratë e thirrje.

Shenjtëria: dhuratë e thirrje

“Me që është hir i Hyjit, pra, dhuratë e Tij, domethënë se nuk mund të blihet e as të shkëmbehet, por vetëm të pranohet, duke marrë kështu pjesë në të njëjtën jetë hyjnore, që e kemi në shpirtin tonë qysh nga dita e Pagëzimit. Nuk duhet harruar kurrë se jemi të shartuar në Krishtin, të lidhur me Të, si  shermendi me hardhinë”.

Prandaj mund e duhet të jetojmë me Të e në Të si bij të Zotit- është porosia e Papës. - Atëhere - vijoi - shenjtëri do të thotë të jetosh në bashkim të plotë me Zotin që tani, gjatë shtegtimit tonë mbi tokë:

“Por shenjtëria, përveçse dhuratë, është edhe thirrje. Thirrje e gjithë dishepujve të Krishtit; është udhë e përsosurisë, të cilën çdo i krishterë është i thirrur ta përshkojë në fe, duke ecur drejt cakut të fundit: bashkimit përfundimtar me Zotin, në jetën e amshuar. Shenjtëria bëhet, kështu,  përgjigje, që i jepet dhuratës së Zotit, sepse manifestohet si pranim i përgjegjësisë”.

Në këtë perspektivë, është e rëndësishme të marrim mbi vete zotimin serioz e të përditshëm të shenjtërimit, në kushtet, detyrat e rrethanat e ndryshme të jetës sonë, duke u përpjekur ta jetojmë gjithçka me dashuri e mëshirë.

Sytë drejt Qiellit

Shenjtorët, që i kremtojmë sot në liturgji, kujtoi Papa…

 “…janë vëllezër e motra, që pranuan gjithë jetën se kanë nevojë për dritën hyjnore, në krahët e së cilës e lëshuan plot besim vetveten. E tani, para fronit të Zotit, këndojnë në amshim lumninë e Tij. Ata formojnë  ‘Qytetin Shenjt’, të cilin e shikojmë plot me shpresë, si caku ynë përfundimtar, ndërsa vijojmë të jemi shtegtarë ‘në qytetin tokësor’, shpesh të lodhur e të këputur nga vështirësitë e rrugës. Duke e njohur jetën e tyre, përpiqemi t’u përngjasim. Ndërmjet tyre janë edhe shumë dëshmitarë të shenjtërisë së ‘portës pranë”, që jetojnë pranë nesh, duke pasqyruar praninë e Zotit”.

Kujtimi i shenjtorëve na nxit t’i ngremë sytë drejt qiellit: jo për ta harruar realitetin e tokës, por për ta përballuar me më shumë guxim e shpresë - tha Papa - duke  përfunduar  me urimin:

“Na shoqëroftë, me ndërmjetësimin e saj amtar, Maria, Nëna jonë e shenjtnueshme, simbol ngushëllimi e shprese të sigurt”.

01 nëntor 2019, 14:20