Papa në Katakombat e Prishilës Papa në Katakombat e Prishilës 

Papa, në katakombet e Prishilës, për të kujtuar ata, që ecën para nesh

“Sot kujtojmë ata, që ecën para nesh, me shpresë se do t’i takojmë, se do të arrijmë atje, ku është dashuria, që na krijoi e na pret: dashuria e Atit”. Kështu shkruan Papa në një tweet, ditën e përkujtimit të të vdekurve. Françesku zgjodhi, për të kremtuar Meshën e sotme, një nga vendet më të lashta të dëshmisë së krishterë: Katakombet e Prishilës.

R. SH. - Vatikan

Është një nga vendvarrimet më të mëdha të të krishterëve të parë të Romës, “regina catacumbarum”: kështu quhet në të gjitha dokumentet topografike e liturgjike të lashta, varreza e martirëve, që ndodhet në Udhën Salaria, Katakomba e Shën Prishilës. Këtu, sot pasdite, në orën 16.00, Papa Françesku, siç njoftoi dje, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, arriti me makinë, për të kremtuar Eukaristinë e ditës, që Kisha ia kushton përkujtimit të besimtarëve të vdekur.

Vitin e kaluar Papa e kaloi këtë ditë në Varrezën Laurentine, me një ndalim prekës pranë varreve të fëmijëve të shuar para kohe për shkak sëmundjesh a aksidentesh e, sidomos, para varreve të vogla, të bardha, të atyre që nuk dolën kurrë në dritë. Varrosur në atë varrezë, që quhet “Kopshti i Engjëjve”.

Tri vjet para kësaj vizite, më 2013, 2014 e 2015, Papa pati vizituar e pati thënë Meshën në varrezën monumentale të Veranos. Më 2016, zgjodhi për kremtim Varrezën që njihet me emrin “Prima Porta”; më 2017, vizitoi varrezën amerikane të Nettuno-s, ku janë varrosur ushtarët amerikanë, rënë në Itali gjatë Luftës II Botërore e, më pas, Mauzolenë e “Fosse  Ardeatine”.

Dëshmia e fesë e të krishterëve të parë

Sivjet Françesku shkoi në një nga vendet, ku  ruhet dëshmia  e fesë së të krishterëve të parë, me gjithë bukurinë e saj, me të gjitha simbolet. E gërmuar në shtuf, ndërmjet shekujve të dytë e të pestë, mbi ambientet ku ndodheshin varret e Acili Glabrioni, që i përkisnin zonjës fisnike Prishila, dhuruese e trojeve - katakomba doli  përsëri në dritë në shekullin XVI. Shtrihet mbi një sipërfaqe prej 13 km, me galeri në nivele të ndryshme thellësie, më e lashta e të cilave është e para.  Në to gjejmë kthina e varre të hapura në mur, domethënë, varret e familjeve të pasura e të martirëve, e edhe një tip tjetër varri, që njihet me emrin arcisolo, të gjithë, zbukuruar edhe me piktura, me subjekte fetare. Shumë nga figurat frymëzohen nga Besëlidhja e Vjetër dhe e Re. Të gjitha pohojnë besimin në shëlbimin dhe në Ringjalljen e premtuar nga Krishti. Mbi lapidaret takojmë shpesh edhe simbolet më domethënëse për të krishterët, ndërmjet të cilëve, peshku. Në emrin e tij “ICTUS” - peshk – fshihen inicialet e katër fjalëve: “Jezu Krishti, Biri i Zoti Shëlbues”. Me vlerë të posaçme artistike është posaçërisht “Kapela Greke” dhe Nikia, ku mund të soditet figurja më e lashtë e Zojës së Bekuar, me Krishtin fëmijë në prehër. Pranë saj, profeti  që, më të majtën ka një rrotull, ndërsa më të djathën, një yll. Ka mundësi të jetë  simbol i profecisë së Balaam: “Një yll po lind prej Jakobit, një skeptër po del prej Izraelit” .

Bashkimi në Kishë dhe reflektimi mbi vdekjen

Prania e Papës në këtë vend shenjt, në të cilin gërshetohen historia, feja e dëshmia heroike e të krishterëve të parë, jo vetëm që e fuqizon akoma më shumë lidhjen e tokës me qiellin, por edhe atë të martirizimit të të krishterëve të parë, me ne, popull i Zotit i ditëve tona! Kur martirizimi vijon…

Në përfundim  të kremtimit të Eukaristisë në Katakombet e Prishilës, pas rikthimit në Vatikan, Papa do të zbresë në Kriptën poshtë Bazilikës së Shën Pjetrit,  ku do të ndalohet një çast në lutje për Papët e vdekur.

02 nëntor 2019, 15:42