Papa, në katakombe: “Vendi i të krishterëve është në dorë të Zotit”
R. SH. - Vatikan
Papa, që i vizitonte për herë të parë katakombet, duke folur lirisht ndërmjet atyre galerive pa fund, ku presin zgjimin martirët e parë të krishterimit, ia kushtoi homelinë edhe katakombeve të tjera, të shumta, të përhapura në të katër anët e botës! Mendimi i tij i parë, ishte për jetën e të krishterëve të parë:
“Mund të mendojmë për jetën e këtyre njerëzve, që duhet të fshiheshin, që i varrosnin të dashurit në varre të nëndheshme dhe e po këtu e kremtonin edhe Eukaristinë…Sepse edhe ata i priste martirizimi, çast sa i shëmtuar, aq edhe i lum i historisë, që nuk ka marrë fund në shekujt e parë. Vijon”.
Lumturitë janë karta e identitetit e të krishterit
“Identiteti i këtyre njerëzve, që mblidheshin këtu për të kremtuar Eukaristinë e për të lavdëruar Zotin, është po ai i vllezërve të sotëm në shumë vende, ku të jesh i krishterë është krim, sepse feja e krishterë është e ndaluar, pa asnjë të drejtë - kujtoi Françesku - E njëjta fe. I njëjti identitet: lumnitë”.
E nuk ka identitet tjetër - vijoi Papa - o jeton kështu, o bën sikur je i krishterë. I krishteri e di për çka do të gjykohet: “Pata uri, pata etje…” Identitetin tonë mund ta shikojmë qartë, duke e jetuar këtë fragment të Mateut!
Katakombet, vend dëshmie, feje, arti
Shpirtrat e të drejtëve janë në dorë të Zotit - kujtoi Papa - për të shqiptuar, më pas, fjalën e dytë, që e frymëzoi homelinë e tij: vend. Katakombet na kujtojnë një vend, ku të krishterët e parë vinin për t’u fshehur e për të varrosur të vdekurit e tyre. E nësa shkelim në këto udhë të nëndheshme, nuk mund të mos kujtojmë të krishterët e martirizuar të të gjitha kohëve – shtoi Papa - duke u ndaluar më pas tek shembulli i murgeshës shqiptare që pagëzonte fëmijët në kampin komunist të përqendrimit, si të ishte në kohët e perandorëve gjakatarë romakë. E këtu Françesku komentoi:
“Vendi i të krishterit është nga pak kudo: ne nuk kemi vend të privilegjuar në jetë. Disa duan ta kenë - janë të krishterë të kualifikuar, që rrezikojnë të mbeten “të kualifikluar”, por jo të krishterë! Cili është vendi i të krishterëve? ‘Shpitrat e të drejtëve janë në duart e Zotit’. Atje ku dëshiron Ai. Në duart e Zotit, që janë të plagosura, që janë duart e të Birit, i cili deshi t’i mbartë me vete plagët, që t’ia shohë Ati e të ndërmjetësojë për ne!”.
Në dorë të Zotit jemi të sigurt - pohoi Papa - edhe në mes të persekutimeve. E i ftoi të gjithë ta pyesin veten: “Unë, ku ndjehem më i sigurt? Në duart e Zotit, apo gjetiu?”.
Të kapemi fort pas litarit, për të arritur në bregun tjetër
Më pas, duke kujtuar Leximin II të Meshës, shkëputur nga Libri i Zbulesës i Shën Gjonit Apostull, Papa kujtoi Atdheun, ku do të shkojmë e ku gjithçka është e re. Por, për të hyrë atje, duhet të tregosh kartën e identitetit. Shpresa jonë ankorohet në qiell, e ne, me litar në dorë, mbështesim njëri–tjetrin, duke parë bregun e lumit, që duhet ta kapërcejmë. E kjo është ardhmëria jonë!