Kërko

 Papa  gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot 

Papa në Engjëllin e Tënzot: si Zakeu, të shndërrohemi nga shikimi plot dashuri i Jezusit

Para lutjes mariane, Françesku kujtoi Ungjillin e Lukës të kësaj së dieleje, përqendruar tek figura e tragrambledhësit të Jerikos që, vetëm nga shikimi i Jezusit, shndërrohet në njeri të aftë për të dashur pa kurrfarë interesi. Zoti e dënon mëkatin, por - kujtoi Papa - kërkon ta shpëtojë mëkatarin.

R. SH. - Vatikan

Shikimi i mëshirshëm i Jezusit na ngulet në sy, para se të kujtohemi që kemi nevojë për shpëtimin tonë. E kjo, sepse Ai nuk e gjykon, as nuk e izolon atë, që ka rënë në mëkat. Zoti e kërkon mëkatarin. Për ta kthyer në rrugë të drejtë. E po ta ndjejmë këtë sy të mëshirshëm mbi ne, mendësia e sjellja jonë do të shndërrohen thellësisht.

Kjo i ndodhi Zakeut, tragrambledhësit të pandershëm të taksave në Jeriko, ditën kur Jezusi u ndalua në qytet, ndërsa po shtegtonte drejt Jeruzalemit. Episodi tregohet në Ungjillin e Lukës, në të Dielën e sotme të XXXI të kohës së zakonshme. E Papa Françesku e tregoi para lutjes së Engjëllit të Tënzot me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Jezusi shkelte në qytet, i rrethuar nga një turmë e madhe. E, ndërmjet turmës, ishte edhe kryetagrambledhësi, që jo vetëm mblidhte taksat për romakët, po kërkonte dhe ryshfet. E kështu pasurohej mbi kurrizin e të tjerëve, duke u bërë gjithnjë më i pështirë. Nuk dihet si e pse, por Zakeu - lexojmë në Ungjill -   bëhet kureshtar ta shikojë Jezusin, për të cilin ka dëgjuar punë të mëdha. Me që është shtatvogël, nuk gjen mënyrë tjetër, veçse të ngjitet mbi një pemë, një fik.

Jezusi ia ngul sytë i pari

Kur arrin çasti, Jezusi ia ngul sytë i pari. E kërkon i pari. E këtu Papa nënvizoi:

“Shikimi i parë nuk është i Zakeut, por i Jezusit, që ndërmjet fytyrave të shumta, që e rrethonin në turmë, kërkon pikërisht mëkatarin, tagrambledhësin. Shikimi plot mëshirë i Zotit ndeshet me sytë e tij shumë më shpejt se kujtohemi ne, që kemi nevojë për shëlbim.  E me këtë shikim  të Mësuesit Hyjnor, nis mrekullia e shndërrimit, e kthesës së mëkatarit”. Jezusi e thërret. E thërret me emër: “Zake, zbrit shpejt, sepse sot do të ndalohem në shtëpinë tënde”- i thotë Jezusi.

Zoti dënon mëkatin, por dëshiron ta shpëtojë mëkatarin

Jezusi e thërret me emër këtë tagrambledhës mëkatar. Nuk e thërret për ta qortuar, as për t’i mbajtur ndonjë predikim - kujtoi Papa Françesku - por  sepse është vullneti i Atit që të shkojë tek ai, të hyjë në shtëpinë e tij. “Shkandull" - mërmërit turma! Edhe ne do të shkandulloheshim nga kjo sjellje e Jezusit - reflektoi Papa - i cili vuri  ballë për ballë sjelljen e njeriut, me atë të Zotit:

“Përbuzja dhe largimi nga mëkatari, nuk bëjnë tjetër, veçse ta izolojnë, t’ia bëjnë zemrën gur. Ta shtyjnë të vijojë udhën e së keqes, kundër vetes e kundër bashkësisë. Ndërsa Zoti e dënon mëkatin, por përpiqet ta shpëtojë mëkatarin. Shkon ta kërkojë, për ta kthyer përsëri në rrugë të drejtë. Kush nuk e ka ndjerë mbi vete syrin e Zotit, që e kërkon për ta rigjetur rrugën e drejtë?”.

Zakeu mëson të dojë e të dhurojë

E, në shtëpinë e Zakeut, ndodh mrekullia e pendimit. Vëmendja dhe ëmbëlsia, që tregoi Jezusi ndaj tij, e nxisin të ndryshojë mendësi e ta përmbysë krejt mënyrën si e shikonte e si e përdorte paranë. Në një çast të vetëm, njeriu i lidhur ngusht me paranë, e kupton sa meskine është jeta, që    vihet e tëra në shërbim të interesit. Jeta e njeriu që s’di tjetër, veçse të grabisë e të përbuzë. E duhet kujtuar se është pikërisht prania e Zotit në shtëpinë e tij, që e bën ta shikojë botën me sy tjetër. Në sytë e tij nuk pasqyrohet më shkëlqimi verdhan i arit, po dhembshuria, që lanë aty sytë e Zotit:

“E ndryshon edhe mënyra si e shikon dhe si e përdor paranë: gjesti i grabitjes, zëvendësohet me atë të dhurimit. Mbledhësi i taksave vendos t’ua dhurojë gjysmën e pasjes të varfërve e ta kthejë katërfish gjënë e vjedhur. Zakeu zbulon nga Jezusi dashurinë pa interes. Kishte etje të grumbullojë, tani ka etje të dhurojë. Duke takuar Dashurinë e duke zbuluar  se Dikush e donte, pavarësisht nga mëkatet e tij, bëhet i aftë për t’i dashur të tjerët,  duke e shndërruar paranë në simbol solidariteti e bashkimi”.

 

03 nëntor 2019, 14:13